1 MILIARDË DIABETIKË GJER NË VITIN 2050.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jul 12, 2023
- 1 min read

Londër, Britani e Madhe | Gjatë tre dekadave të ardhshme, numri i njerëzve me diabet në mbarë botën, pritet të dyfishohet, duke arritur në 1.3 miliardë deri në vitin 2050, sipas një studimi të botuar në Lancet. Studiuesit zbuluan se 529 milionë persona kishin diabet në vitin 2021, dhe rritja e numrit të diabetit do të rriste prevalencën e sëmundjes nga 6.0 për qind e popullsisë së botës, në gati 10 për qind, deri në vitin 2050, gjetje këto që bazohen në analizën e të dhënave nga më shumë se 27000 burime, në 204 vende dhe territore. Sipas të dhënave nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, më shumë se 37 milionë qytetarë në SHBA kanë diabet. Diabeti është një sëmundje kronike që zhvillohet kur niveli i sheqerit (glukozës) në gjak të një personi është shumë i lartë. Studiuesit zbuluan se rreth 96 për qind e njerëzve në mbarë botën që kishin diabet në vitin 2021, ishin me diabet të tipit 2, duke vënë në dukje se prevalenca në rritje e diabetit të tipit 2 në mbarë botën është “kryesisht për shkak të rritjes së obezitetit”. Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Comments