1PHONE 15 ERDHI | POR A IA VLEN BLERJA E TIJ?
- Agjencia Telegrafike Vox
- Nov 1, 2023
- 4 min read

Uashington, Amerikë | Apple të martën prezantoi brezin e ri të iPhone-ave, të cilën, e karakterizojnë kamera më të mira, procesorë më të shpejtë, një sistem i ri i mbushjes, dhe një ngritje çmimi për modelin më të avancuar.
Prezantimi i telefonave të rinj të lëvizshëm (celularë) në selinë e gjigantit teknologjik në Kupertino, Kaliforni, u bë teksa kompania Apple po përpiqet të përmbysë një rënie të shitjeve, për tri periudha tremujore radhazi.
Shitjet më të pakta kanë bërë që çmimi i aksioneve të kompanisë të bjerë për rreth 10% që nga mesi i muaji korriku, duke e zvogëluar vlerën e Apple-it në treg nën pragun prej 3 trilionë $, që firma e arriti për herë të parë më herët këtë vit.
Investitorëve me sa duket nuk iu bënë shumë përshtypje produktet e prezantuara nga Apple më 12 shtator 2023, teksa aksionet e kompanisë ranë për gati 2% të martën.
Siç ka ndodhur me Apple-in dhe me prodhuesit e tjerë të telefonave të mençur, katër modelet e reja të iPhone 15 nuk kanë bërë ndonjë përparim të madh në teknologji.
Por, Apple ka shtuar mjaftueshëm veçori të reja në modelin më të avancuar – iPhone 15 Pro Max – për ta rritur çmimin e tij bazë për 100 $ në Shtetet e Bashkuara, apo 9% në krahasim me versionin e vitit të kaluar, në 1200 $.
Si pjesë e çmimit më të lartë bazë, iPhone 15 Pro Max më i lirë do të ofrojë 256 gigabajt hapësirë të brendshme, në krahasim me versionin më pak të kushtueshëm prej 128 gigabajtësh të iPhone 14 Pro Max-it.
Kompania Apple i ka mbajtur të njëjta çmimet për pjesën tjetër të modeleve, teksa iPhone 15 bazik do të shitet për 800 $, iPhone 15 Plus për 900 $, ndërsa iPhone 15 Pro për 1000 $.
Ndonëse ruajtja e këtyre çmimeve pritet të ndikojë në fitimet e kompanisë Apple, dhe t’i bëjë trysni shtesë çmimit të aksioneve të kompanisë, analisti nga Investing.com, Thomas Monteiro, beson se ky është një hap i kujdesshëm, teksa inflacioni ende i lartë, dhe shkalla e interesit në rritje, po i tkurrin buxhetet e familjeve.
“Realiteti është se Apple e ka gjetur veten në një pozitë sfiduese para kësaj ngjarjeje”, ka pohuar z. Monteiro.
Dhe, rritja e çmimit të iPhone 15 Pro Max mund t’i ndihmojë kompanisë Apple t’i rrisë shitjet, nëse konsumatorët vazhdojnë të anojnë nga modelet më të avancuara të kompanisë.
Analisti nga Wedbush Securities, Dan Ives, pret që iPhone 15 Pro dhe Pro Max të përbëjnë rreth 75% të shitjeve totale të gjeneratës së re në vitin pasardhës.
Të gjitha modelet e reja dolën në shitje më 22 shtator në SHBA dhe në disa tregje tjera perëndimore.
Një prej ndryshimeve më të mëdha që kompania Apple njoftoi është një mënyrë e re për t’i mbushur modelet e iPhone 15, dhe brezat e ardhshm.
Kompania ka kaluar në standardin USB-C, i cili tashmë përdoret gjerësisht në shumë pajisje, përfshirë kompjuterët e saj Mac dhe shumë prej iPad-ëve të saj.
Kompania Apple është detyruar të pensionojë kabllot me portin e quajtur Lightning, që i prezantoi në vitin 2012, për shkak të një vendimi që rregullatorët evropianë planifikojnë ta zbatojnë duke filluar nga viti 2024.
Ndonëse konsumatorët shpesh nuk i pëlqejnë ndryshimet, kalimi në portet USB-C mund të mos jetë aq i papërshtatshëm – për shkak se ky standard është në përdorim të gjerë në një varg kompjuterësh, telefonash të mençur e pajisjesh të tjera që njerëzit tashmë i posedojnë.
Kalimi në USB-C mund të rezultojë edhe hap i pëlqyer, pasi ky standard zakonisht i mbush pajisjet më shpejt, si dhe siguron bartje më të shpejtë të të dhënave.
Modelet bazike të iPhone 15 janë ridizajnuar për të ofruar një hapësirë ndryshuese në ekranin e telefonave, të cilën Apple e quan “Ishulli Dinamik”, për njoftime nga aplikacionet – një risi që u soll me pajisjet e vitit të kaluar Pro dhe Pro Max.
Ato, po ashtu, kanë çip më të shpejtë, që është përdorur në modelet Pro dhe Pro Max të vitit të kaluar, ndërsa iPhone 15 më të avancuar fuqizohen nga një procesor edhe më të avancuar, i cili, u mundëson pajisjeve t’i akomodojnë të njëjtat videolojëra që zakonisht mund të luhen vetëm në aparate lojërash.
iPhone 15 Pro dhe Pro Max do të kenë edhe atë që Apple pohon se është ekuivalent i shtatë thjerrave të kamerave.
Sistemi i kamerave përfshin një thjerrë telefotografike të stilit të periskopit, e cila, do të përmirësojë cilësinë e fotografive të shkrepura nga largësi të mëdha.
Thjerra telefotografike ofron zmadhim optik deri në pesë herë – duke mbetur prapa zmadhimit deri në 10 herë që mundëson modeli i avancuar Galaxy S22 Ultra i Samsung-ut – por, përfaqëson një përparim nga zmadhimi deri në 3 herë, që ofrojnë iPhone 14 Pro dhe Pro Max.
Kompania Apple ka vendosur t’i veshë modelet premium me titan, që kompania thotë se është materiali i njëjtë që përdoret në disa anije kozmike.
Përveç iPhone-ave të rinj, kopmania Apple po ashtu ka prezantuar gjeneratën e saj të ardhshme të orëve të mençura – një produkt që debutimin e pati gati një dekadë më parë.
Seria 9 e Apple Watch-it, që do të jetë në shitje nga 22 shtatori, vjen me një mundësi për kontrollimin e pajisjes me një gjest, i cili, iu mundëson përdoruesve t’i menaxhojnë alarmed, dhe t’iu përgjigjen thirrjeve telefonike, duke e prekur dy herë gishtin e madh, me një gisht tjetër. Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments