Tiranë, Shqipëri | Gjer më 31 janar, 61 bashkitë, duhet të dorëzojnë pranë Ministrisë së Ekonomisë projektet e tyre mbi programet sociale të strehimit.
Programi Kombëtar i Strehimit Social vijon punën për të ofruar zgjidhje për familjet në nevojë me të ardhura të ulëta ekonomike.
Gjatë vitit 2024, nga ky program përfituan 847 familje në 22 bashki, por puna vazhdon për të sjellë më shumë shpresë dhe siguri për ata që kanë më shumë nevojë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri me dije se programi do të t’iu vijë në ndihmë qytetarëve edhe gjatë 2025-ës.
“Viti 2025 ka gjetur shumë prej qytetarëve me të ardhura të ulëta ekonomike në shtëpi të reja, të restauruara, larg shiut dhe të ftohtit”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale virtuale.
Ministria e Ekonomisë theksoi se vijon të jetë e hapur thirrja për aplikime në kuadër të Programit Kombëtar të Strehimit Social 2025-2026, duke shtuar se bashkitë kanë mundësinë të përfitojnë financime për projekte që përmirësojnë cilësinë e jetesës dhe ofrojnë siguri për qytetarët.
Vlen të theksohet se projektet e mbështetura përfshijnë banesa sociale nëpërmjet adaptimit të objekteve ekzistuese ose ndërtimit të ri; përmirësim i banesave për komunitete të pafavorizuara, përmirësim i infrastrukturës veçanërisht në zona informale dhe streha të përkohshme përmes blerjes, montimit ose adaptimit të objekteve ekzistuese.
Programet aktuale për këtë qëllim janë programet e banesave me kosto të ulët dhe skemat e kredive të përballueshme hipotekare.
Sakaq, bashkitë duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë pranë Drejtorisë së Strehimit brenda datës 31 janar 2025.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë bëri të ditur se qytetarët mund të aplikojnë “online” nëpërmjet “e-Albania” (gjendet me një kërkim të thjeshtë duke futur fjalën “strehim” në motorin e kërkimit tek ‘eAlbania’) për mbështetje me një nga programet sociale të strehimit ose për njërin nga instrumentet financiare, subvencionimi i qirasë ose subvencionimi i interesave të kredive.
Nga fondi i banesave sociale me qira, jo më pak se 80% e familjeve që përzgjidhen të trajtohen në banesa sociale me qira duhet të kenë të ardhura nga 0 deri 100% të të ardhurave mesatare familjare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse.
Pjesa tjetër, jo më shumë se 20% e familjeve mund të përzgjidhet brenda intervalit 100-120 për qind të nivelit të të ardhurave mesatare.
“Banesat sociale me qira regjistrohen në pronësi të subjektit që e ka financuar. Kur banesat sociale me qira financohen tërësisht nga buxheti i shtetit ose bashkërisht nga buxheti i shtetit dhe nga buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore, ato regjistrohen në zyrën vendore të regjistrimit të pronave, në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose të institucionit publik të parashikuar në nenin 72, shkronja ‘g’, me shënimin përkatës për marrëveshjen kufizuese që ndalon tjetërsimin e pasurisë”, thuhet në ligj.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments