top of page
E BARDHË SHIRIT.png

A PO KËTHEHET TERRORI ISLAMIK NË EUROPË | FLET EKSPERTI I XHIHADIT ISLAMIK.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Oct 21, 2023
  • 7 min read

Nga z. Allivër Rai (Olivier Roy)*. Olivier Roy është shkencëtar politik francez, profesor në Institutin Universitar Evropian në Firence, Itali. Ai ka botuar artikuj dhe libra mbi sekularizimin dhe Islamin, duke përfshirë “Islamin Global”, dhe “Dështimi i Islamit Politik”. Firence, Itali | Cila është marrëdhënia midis Hamasit dhe botës arabe? Sa e rëndësishme është çështja palestineze për të rinjtë myslimanë në Evropë? Përgjigjet e politologut francez, një prej ekspertëve kryesorë të xhihadizmit. Sa herë që pakti i brishtë midis vlerave perëndimore dhe islamit vihet në pikëpyetje nga tmerret e lajmeve, mendimet e z. Allivër Rai (Olivier Roy) – politologu francez dhe eksperti kryesor i xhihadizmit – bëhen sërish një fener për bashkëjetesën e vështirë mes kulturave në shekulli evropian, në shekullin e 21-të. Autor i teksteve të shumta mbi radikalizimin islamik, mbështetës i teorisë, sipas së cilës, perëndia e terroristëve të rinj nuk është Allahu, por nihilizmi perëndimor, i cili, ka gjetur një vend në fundamentalizmin islamik, ai përgjigjet përmes Zoom nga Firence, ku jep mësim në Instituti Universitar Evropian i Firences. PYETJE: Profesor, pas masakrës së spitalit në qytetin e Gazës, filluan protestat në të gjithë Lindjen e Mesme kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Si i komentoni ato? PËRGJIGJE: Unë nuk mendoj se ato janë të lidhura me episodin e vetëm. Do të kishte ndodhur gjithsesi: ndoshta nesër ose pas disa ditësh. Pyetja e vërtetë që duhet bërë është pse Hamasi e filloi këtë luftë qëllimisht? Sulmi i tyre ndaj Izraelit ka dy dimensione: njëri është ushtarak – shkatërrimi i pozicioneve të ushtarëve, i sistemit elektrik, i kullave të kontrollit. Tjetra është masakra e civilëve. Nëse do të ishin kufizuar në të parën, do të ishin në një pozicion më të mirë për të negociuar. Por, ne e dimë se ata vendosën të vrasin civilë: ka dokumente që e vërtetojnë këtë, dhe vetë grupi nuk e ka mohuar kurrë. Prandaj, ata kanë krijuar një situatë të pakthyeshme, në të cilën Izraeli nuk ka zgjidhje tjetër veçse t'i eliminojë ata. Hamasi po e josh Izraelin në një kurth, dhe kurthi janë civilët palestinezë. Masakra që rezultoi është e vetmja mënyrë që ai mund të rezistojë. Në luftën kundër Izraelit, milicët presin mbështetjen e botës arabe, por, është një pozicion vetëvrasës, sepse askush nuk do t'i ndihmojë hapur. As Irani – i cili dëshiron të shkatërrojë Izraelin – nuk do të dërgonte ushtarë për të luftuar përkrah Hamasit në Palestinë. PYETJE: Cili është roli i fesë në këtë sulm? PËRGJGIJE: Lufta mes Izraelit dhe Palestinës filloi në vitin 1948, si një luftë nacionaliste, dhe për gati 30 vjet, të dyja palët në konflikt ishin laike. Një nga grupet më aktive çlirimtare palestineze, Fronti Demokratik për Çlirimin e Palestinës, kishte dy udhëheqës të krishterë: Nayef Hawatmeh, dhe Georges Habache. Le të shkojmë te e sotmja: Hamasi është një lëvizje nacionaliste islamike. Ndryshe nga PLO (Organizata për Çlirimin e Palestinës), ajo dëshiron një shtet të organizuar sipas ligjeve islame, por, strategjia është nacionaliste. Ata përdorin fenë vetëm për të motivuar milicët që duhet të luftojnë dhe të vdesin, por nuk ka matricë fetare. PYETJE: Hamasi nuk është i vetmi grup islamik i përfshirë në këtë luftë, është edhe Xhihadi Islamik. Si janë të lidhura? PËRGJIGJE: Nuk jam i sigurt se ata mbështesin Hamasin, ata sigurisht po mbështesin popullsinë civile në Gaza, dhe luftën kundër Izraelit. Hamasi po përpiqet në çdo mënyrë të nxisë një kryengritje në botën palestineze, duke filluar nga Bregu Perëndimor, por, nuk ia del. Pjesërisht, sepse ekziston Autoriteti Palestinez, i cili, pavarësisht se qeveris pa asnjë autoritet të njohur, kundërshton Hamasin. Pjesërisht, sepse palestinezët nuk duan t'ua lënë tokën e tyre “kolonëve”. Do të ketë revolta në emër të Palestinës, por unë nuk parashikoj një Intifada të re. PYETJE: Pas masakrës së Hamasit, në Evropë ndodhën dy sulme terroriste të kryera në emër të Allahut. Sa i lartë është rreziku i një rikthimi të terrorit islamist në kontinentin tonë? PËRGJIGJE: Terroristët thanë se ishin të lidhur me ISIS-in, jo me Hamasin. Dhe vetë ISIS - ndryshe nga Al Kaeda - nuk ka shprehur mbështetje për Hamasin, për sulmin kundër Izraelit, sepse, e konsideron atë një lëvizje nacionaliste, që minon themelet e xhihadizmit global. Dy episodet që ndodhën në Francë, dhe në Bruksel, janë në përputhje me vazhdimësinë e valës së fundit të terrorizmit islamik në Evropë. E kam fjalën për atë që filloi në 2016. Deri atëherë - dhe duke filluar nga viti 1996 - terroristët i përkisnin kryesisht brezit të dytë të emigrantëve arabë në Evropë, plus disa të konvertuar në Islam. Ato ishin të organizuara mirë, të koordinuara fillimisht nga Al Kaeda, dhe më pas, nga ISIS. Sulmet ishin planifikuar: ata kishin armë të fundit, eksplozivë. Që nga viti 2016, jemi dëshmitarë të një ndryshimi rrënjësor: sulmet kryhen me thika, prerëse kutish, dhe armë të improvizuara. Terroristët janë njerëz që në fakt veprojnë vetëm, ose me ndihmën e ndonjë të afërmi ose miku. Nuk ka asnjë logjistikë, as ndonjë lidhje reale me ISIS-in apo Al Kaedën, edhe pse sulmuesit thonë se po veprojnë në emër të tyre. Ka më pak viktima se në të kaluarën, sepse, ata janë më pak të organizuar, dhe më pak efikasë. Autorët e këtyre sulmeve nuk janë më arabë të gjeneratës së dytë, me qëllim, por, njerëz në margjinat e shoqërisë. Çeçenët - protagonistët e fundit të radikalizimit dhe emigrimit masiv - janë të përfaqësuar shumë mirë në këtë kategori të re. Për pjesën tjetër, ata janë njerëz në lëvizje të vazhdueshme: ata vijnë nga e gjithë bota - Pakistani, Afganistani - dhe shpërngulen në Tunizi, Itali, Francë, Belgjikë. Kjo vlen për sulmin e fundit në Bruksel, por edhe për sulmuesit e Nicës (masakra e vitit 2016). Një aspekt tjetër i rëndësishëm për t'u marrë parasysh është se ata nuk janë më të rinj ose shumë të rinj, por, njerëz të të gjitha moshave, shumë shpesh me probleme të shëndetit mendor. A do të shpërthejë sërish kjo valë sulmesh terroriste të rastësishme me Gazën? Të gjithë e presin, dhe ka shumë gjasa që të ndodhë. Sigurisht që disa do të thonë se po e bëjnë në emër të Palestinës, por, nuk mendoj se kjo do të jetë tipari më i rëndësishëm i valës së re të protestave me të cilën përballemi. PYETJE: Ç’ka do te jetë? PËRGJIGJE: Mbështetja për Palestinën është e orientuar politikisht, dhe drejtohet kryesisht nga intelektualë, gazetarë dhe sportistë. Nuk është revolta e margjinave, por një protestë kryesore e shtresave të mesme dhe të larta. Megjithatë, ata trajtohen si terroristë, dhe ky është një problem i madh. Një demokraci, nuk duhet të shtypë, ata që duan ta shtyjnë debatin për Gazën në drejtime më politike dhe humanitare. Kjo është e vërtetë, si në Evropë, ashtu edhe në vendet arabe, ku për momentin shohim shumë njerëz që demonstrojnë në rrugë. Në të kaluarën, nuk kemi parë kurrë protesta që mbështesin Al Kaedën, ose ISIS-in: mbështetësit e tyre kanë qenë gjithmonë në margjina. Sot, kauza palestineze ka mbështetjen e klasës së mesme. Hamasi nuk ka ndërmend të kryejë sulme terroriste jashtë kufirit izraelito-palestinez: nuk e ka bërë kurrë këtë, dhe sinqerisht nuk mendoj se do të fillojë tani. Në këtë, ai është më pak terrorist sesa lëvizjet historike laike pro-palestineze. Masakra e civilëve izraelitë është një akt terrorizmi, sepse ishte i qëllimshëm kundër civilëve, por, Hamasi, sigurisht nuk është një organizatë terroriste globale. PYETJE: A thua se Hamasi nuk është i interesuar të ndërtojë një rrjet global të ekstremistëve islamikë kundër Perëndimit? PËRGJGIJE: Hamasi ishte një aleat i Vëllazërisë Myslimane, e cila, kurrë nuk u përfshi në sulme terroriste në Perëndim. Ata nuk i përkasin xhihadit global, por atij kombëtar. Ndryshe nga Irani, ata nuk e kundërshtojnë ekzistencën e shtetit të Izraelit, por duan të kthehen në ndarjen kufitare të vitit 1967. Sigurisht, dikush mund të shfrytëzojë situatën, për të nxitur një luftë globale kundër Perëndimit, por, çështja për Hamasin është politike dhe territoriale. PYETJE: Cili është ndikimi i kësaj lufte te fuqitë rajonale? PËRGJGIJE: Unë nuk mendoj se kriza do të ngrijë plotësisht procesin e normalizimit të parashikuar në Marrëveshjet e Abrahamit. Shtetet arabe e urrejnë Hamasin: ai nuk respekton vijat e kuqe, i vë qytetarët në situata shumë të vështira, dhe minon marrëdhëniet me partnerë të rëndësishëm, brenda dhe jashtë rajonit. Lidhja e grupit me Vëllazërinë Myslimane është një problem për shumë njerëz. Situata është shumë konfuze: Presidenti turk Erdogan dëshiron të mbajë një marrëdhënie me Izraelin. Maroku po bën shumë punë, për t'i afruar më shumë hebrenjtë marokenë të Izraelit. Ngrirja e Marrëveshjeve të Abrahamit, nuk është në interes të vendeve arabe, por, vetëm të Iranit. Pas kësaj, shumë do të varet nga kohëzgjatja e kësaj lufte. PYETJE: Ndonjë parashikim? PËRGJGIJE: Nëse zgjidhet brenda pak javësh, besoj se një ekuilibër global do të rivendoset brenda një maksimumi prej dy vjetësh. Por nëse konflikti vazhdon për muaj të tërë, situata rrezikon të dalë totalisht jashtë kontrollit, dhe do të jetë gjithnjë e më e vështirë për të gjetur një zgjidhje politike. Siç thashë, Izraeli nuk ka zgjidhje tjetër veçse të shkatërrojë Hamasin, por, nuk dëshiron që konflikti të zgjerohet. Këtë e dëshmon edhe qëndrimi ndaj Katarit: liderët politikë të Hamasit janë në Doha, por qeveria e Netanjahut nuk e ka kërcënuar asnjëherë Tamim bin Hamad Al Thani-in për këtë arsye. Katarianët i dhanë mbështetje politike – asnjëherë ushtarake – Hamasit me miratimin e Netanjahut. PYETJE: Sa e rëndësishme është çështja palestineze për të rinjtë myslimanë arabë në Perëndim? PËRGJGJE: Ata janë më pak pro-palestinez se baballarët e tyre. Në vitet 1980 dhe 1990, flamuri palestinez dhe keffiyeh-i u shfaqën në të gjitha protestat. Sot pothuajse mungojnë. Rëndësia e çështjes palestineze, është më e dukshme tek muslimanët dhe intelektualët e klasës së mesme, në Evropë dhe SHBA. Vetëm mendoni se ku janë protestat: në Harvard, jo në rrugë. Dhe kjo ndodh edhe në Francë. PYETJE: Në çfarë faze është integrimi i myslimanëve në Evropë? Cilat janë – nëse ka – gabimet e Perëndimit në radikalizimin e disave? PËRGJIGJE: Është dekulturimi (procesi që çon në humbjen e elementeve tipike kulturore të një populli ose një grupi - red.) që mund të çojë në radikalizëm. Dëshmi për këtë janë gjeneratat e reja, gjyshërit e të cilëve mbërritën në Evropë në vitet 1960. Ata duan të pranohen si myslimanë, por jo si arabë. Megjithatë ata vazhdojnë të sillen si arabë: të huaj me një kulturë, muzikë, pamje specifike. Kjo është një temë për të gjithë Evropën, por, në veçanti për Francën, e cila, nuk ka luftuar vetëm kundër Islamit, por kundër fesë në përgjithësi: mbulesës, si dhe kryqit. Dhe është pikërisht, kjo politikë e humbjes së identiteteve specifike të lidhura me fenë, që ka përfunduar kundër nesh. PYETJE: Ju e njihni mirë Italinë. Si e mendoni situatën në Itali?


PËRGJIGJE: Ky është momenti i brezave të dytë në Itali.


Unë nuk shoh shenja të radikalizimit islamik të lidhur me ta: kur ka, ato kanë të bëjnë gjithmonë me imamët, udhëheqësit e moshuar.


Ndoshta sepse në Itali ka edhe një sfond social më të larmishëm se ai francez; shumë muslimanë që mbërrijnë këtu, tashmë i përkasin klasës së mesme.


Me të rinjtë problemi është më shumë tek dëshira e ndrydhur për shpengim, zemërimi dhe krimi, por jo feja.


Ose të paktën jo ende.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page