AGJENCIA TELEGRAFIKE VOX JU URON NGA MOT GËZUAR!
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jan 1, 2024
- 2 min read
📜 Titulli: Hip, hip, urra.
👨🎨 Autori: Peder Krøyer.
🕰 Viti: 1888.
🏛 Muzeu i Artit i Goteborgut (vaj mbi kanavacë, 134x165).
Tiranë, Shqipëri | Për t'ju uruar lexuesve të Agjencisë Telegrafike Vox (Voks), dhe mbarë Shqiptarisë, një vit të mbarë dhe të gëzuar, zgjodha këtë vepër arti (pikturë) të artistit norvegjezo-danez Peder Severin Krøer, eksponentit më të madh të Shkollës Skagen.
Piktura u krijua duke marrë frymëzim nga një festë, që u mbajt në shtëpinë e fshatit të Majkll Ançërit (Michael Ancher), një tjetër piktor i grupit, dhe njëkohësisht bashkëshorti i Ena Ançërit (Anna Ancher), gjithashtu piktore. Një ditë pas festës, artisti Krøer shkoi në kopshtin e mikut të tij, për të filluar të pikturonte, por, i zoti i shtëpisë, i cili, kishte shkuar të jetonte në fshat për tu qetësuar, nuk e mori për mirë.
Kishte gjithashtu një debat midis dy piktorëve, i cili, më vonë u zgjidh me një kompromis, falë të cilit, artisti Krøer kishte akses në kopsht vetëm herë pas here.
Gjithashtu duke përdorur skicat e bëra gjatë festës, piktori e përfundoi punën në katër vjet.
Vogëlushja bjonde që shohim nga pas në plan të parë, në kohën e festës, nuk ishte ende një vjeç, dhe artisti Krøer e shtoi atë pak para se të përfundonte pikturën, kur ajo kishte shkuar katër vjeç!
Pikërisht detaji i mrekullueshëm, e i gjallë i vogëlushes, dhe nënës së saj në krah, na tregojnë afërsinë e piktorëve të Shkollës Skagen me impresionizmin.
Vetë piktura e Renoir-it “Mëngjesi i Vozitësve”, është një referencë e qartë për piktorin.
Me këtë pamje të bukur dhe të freskët, që përjetëson një grup artistësh, ngre një dolli me të gjithë Ju. Nga mot gëzuar!
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments