AKUZAT PENALE NDAJ DONALD TRAMPIT PO JAPIN EFEKTIN E KUNDËR NGA SA PRITEJ.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jun 29, 2023
- 3 min read

Z. Donald Tramp po përballet me akuza penale për shkelje të ligjit të spiunazhit, dhe pengim të drejtësisë, por, dëmi i menjëhershëm politik është ndjerë më së shumti jo nga i pandehuri, por nga rivalët e tij, për nominimin në zgjedhjet presidenciale republikane.
Për habinë e rivalëve të z. Tramp, fituesi më i madh politik – të paktën deri tani – i aktakuzës kundër z. Trump në rastin e dokumenteve në Mar-a-Lagos duket të jetë vetë ai, i cili ka qenë fokusi i veçantë i mbulimit mediatik, dhe i konsideruar si martir nga pjesa më e madhe e partisë republikane.
Këshilltarët e fushatave të të tjerëve janë ankuar privatisht se z. Tramp ka thithur aq shumë oksigjen, sa që kandidatët e tyre nuk mund të tërheqin vëmendjen nëse nuk pranojnë të diskutojnë mbi z. Tramp, dhe shanset e tij për t’i mundur ata, sikur të ishin thjesht komentuesë politikë të radhës.
Por çfarë ka qenë edhe më e rrezikshme për rivalët e z. Tramp, ka qenë se kur ata janë rezervuar për t’u shfaqur në emisionet e lajmeve, sipas këshilltarëve të tyre, atyre u duhet të kujtojnë të jenë të kujdesshëm për të dhënë përgjigje që janë të sigurt se nuk do të armiqësojnë bazën e z. Tramp.
Vallëzimi i kujdesshëm u shfaq qartë pasi ish-presidenti u akuzua mbi çështjen e dokumenteve të klasifikuara që mbante në Mar-a-Lago në Florida. Guvernatori i djathtë i Floridës, z. Ron DeSantis e kritikoi ish-presidentin, por vetëm në mënyrë delikate, dhe komentet e tij më të forta mbi këtë rast, dukej se ishin një dënim i përgjithshëm i një “armatizimi” të perceptuar të departamentit të drejtësisë.
Ish-zëvendëspresidenti i z. Tramp, z. Maik Pens (Mike Pence), i quajti veprimet e tij mbi grumbullimin e informacionit të mbrojtjes kombëtare – përfshirë sekretet bërthamore të SHBA-së – të pambrojtshme, por nuk shkoi më tej në kritikat e tij.
Senatori i Karolinës së Jugut z. Tim Skot (Tim Scott), dhe ish-ambasadorja e z. Tramp në Kombet e Bashkuara, znj Niki Halei (Nikki Haley) dhanë përgjigje të përziera, duke dënuar fillimisht departamentin e drejtësisë për akuzën e z. Trap, përpara se të pranonin se provat në aktakuzë ishin thellësisht problematike.
Përgjigjet e vakëta dhe të pasigurta i hapën rrugën z. Vivek Ramasvamyt, sipërmarrësit të pasur, gjithashtu pjesë e garës republikane, që të tërhiqte vëmendjen duke pyetur nëse z. Tramp duhet të falet, nëse do të dënohej.
Tweet-i i tij për faljen e mundshme të z. Tramp përmbledh frymën e momentit: asnjë nga kandidatët e tjerë nuk mund të jepte një përgjigje përfundimtare për këtë gjë.
Pasojat nga aktakuza e parë dhe e dytë e kanë fuqizuar kaq shumë z. Tramp, saqë këshilltarët e tij besojnë se kjo mund ta ndihmojë në nominimin republikan.
Përpara se të mbërrinte aktakuza mbi çështjen e dokumenteve, këshilltarët e z. Tramp shpresonin se votuesit republikanë mund ta refuzonin atë, si një përpjekje partiake, siç ka pretenduar vazhdimisht z. Tramp, duke i dhënë ish-presidentit një shtysë për mbledhje të fondeve, thanë njerëz të afërt me fushatën.
Dhe shtytja për z. Tramp doli të ishte më e madhe nga sa prisnin. Në një sondazh me votuesit republikanë, i kryer nga Morning Kënsallt (Morning Consult), z. Tramp e rriti epërsinë e tij ndaj z. DeSantis me 4% pas aktakuzës.
Ai u mbështet me 59% krahasuar me DeSantis 19%. Fushata e z. Tramp tha gjithashtu se kishte mbledhur më shumë se 7 milion dollarë donacione që nga dalja e aktakuzës, megjithëse shifra nuk është verifikuar.
Cikli i lajmeve mbi aktakuzën mund ta çojë z. Tramp deri tek nominimi, duke pasur parasysh probabilitetin e lartë të akuzave të mëtejshme që rrjedhin nga hetimet penale mbi përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Çështja e dokumenteve në Mar-a-Lago ishte aktakuza e tij e dytë në dy muaj, dhe z. Tramp, mund të paditet për herë të tretë në Xhorxha (Georgia), nga prokurori i qarkut Falltën (Fulton), z. Feni Uillis (Fani Willis), i cili ka hetuar me kujdes ndërhyrjen e z. Tramp në zgjedhje në këtë shtet. Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Comments