Podgoricë, Mali i Zi | Të paktën 10 veta (duke përfshirë dy të mitur) u vranë nga të shtënat në një restorant në Cetinje të Malit të Zi.
Dorasi quhet Aleksandër (Aca) Martinoviç.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm Danilo Saranoviq, kur tha se ai u ka marrë jetën të paktën dhjetë vetave, mes të cilëve dy të mitur nga familja Vuletiç, pronarë të restorantit.
Sipas informacioneve fillestare të dhëna nga autoritetet, ka qenë një sherr që ka përfunduar keq dhe i dyshuari ka qëlluar edhe disa anëtarë të familjes së tij, ka raportuar ministri i cili ka folur për një ngjarje të karakterit privat.
Burri është ende në arrati dhe është shpallur në kërkim policor. Policia ka lëshuar një fotografi të tij.
Trupat speciale janë përfshirë në kërkimin e tij pas të shtënave rreth 18 milje në veriperëndim të kryeqytetit Podgoricë.
Ministri Saranoviç ka thënë se i dyshuari vrau pronarin e lokalit, fëmijët e pronarit të lokalit dhe anëtarët e familjes së tij.
“Në këtë moment jemi fokusuar në arrestimin e tij”, shtoi ministri i Brendshëm.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, tha në një postim në platformën e mediave sociale virtuale Iks (X) se ishte i tronditur dhe i shtangur nga tragjedia.
“Në vend të gëzimit të festës... na ka kapluar trishtimi për humbjen e jetëve të pafajshme”, tha ai.
Kryeministri Milojko Spajiç ka shkuar në spitalin ku po trajtohen të plagosurit dhe ka shpallur tri ditë zie.
“Kjo është një tragjedi e tmerrshme që na ka prekur të gjithëve”, tha z. Spajiç.
“Të gjitha ekipet e policisë janë jashtë në krye të detyrës”, tha ai.
Transmetuesi shtetëror RTCG, i cili, botoi foton e z. Martinoviç në faqen e tij të internetit, tha se i dyshuari ishte i njohur për sjellje të çrregullt dhe ishte arrestuar në të kaluarën për posedim të paligjshëm të armëve.
Raporti thoshte se ai shkoi në shtëpi për të marrë armën e tij pas një zënke përpara se të kthehej në lokal dhe të hapte zjarr.
“Më pas ai shkoi në një vend tjetër ku vrau fëmijët e pronarit të lokalit dhe një grua”, tha ai.
Z. Saranoviç ka thënë gjithashtu se anëtarët e familjes së të dyshuarit janë në mesin e të vdekurve.
Mali i Zi, i cili, ka një popullsi prej 620000 banorësh, është i njohur për kulturën e armëve dhe shumë njerëz tradicionalisht kanë armë.
Sulmi i sonte me armë është sulmi i dytë i të shtënave gjatë tre viteve të fundit në Cetinje, ish-kryeqyteti mbretëror i Malit të Zi.
Një sulmues vrau gjithashtu 10 persona, duke përfshirë dy fëmijë, në gusht 2022 para se të qëllohej dhe vritej nga një kalimtar.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
コメント