AMBASADORJA CATHERINE SUARD: FRANCA MBËSHTET RRUGËTIMIN E SHQIPËRISË DREJT BASHKIMIT EUROPIAN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Sep 13, 2024
- 1 min read
Korçë, Shqipëri | Ambasadorja e Francës në Tiranë, Catherine Suard, deklaroi sot nga Korça se Franca e mbështet rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Në një prononcim për mediet pas aktivitetit të organizuar në kuadër të projektit “Porta të hapura”, ambasadorja Suard e pyetur lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë tha se: “Ajo që thashë është pikërisht ajo që presidenti më ka thënë 1 vit më përpara, kur ai ka qenë në Shqipëri dhe e ka përsëritur kur kryeministri i Shqipërisë ka qenë në Francë. Ne dëshirojmë të mbështesim rrugëtimin drejt Bashkimit Europian”.
Lidhur me projektin “Porta të hapura”, ambasadorja Suard tha se ky projekt ishte në ndihmë të Shqipërisë, sidomos si një nga pikat për hyrjen në Bashkimin Europian, duke i ndihmuar fermerët shqiptarë në lidhje me këtë projekt të bujqësisë dhe blegtorisë, duke respektuar natyrën, mundësitë e ndryshme të fermerëve për të zhvilluar edhe më shumë bujqësinë dhe blegtorinë.
“Çështja është që të sigurohen praktika të mira, ndarja e këtyre praktikave në sa më shumë fermerë, që të ndërmjetësohet me Ministrinë e Bujqësisë shqiptare, e cila do të zhvillojë më tej këtë mundësi”, tha ambasadorja Suard.
“E rëndësishme është që të vazhdohet mbështetja ndaj bujqësisë dhe blegtorisë, të zbatohen praktikat e mira, duke pasur parasysh ndryshimet klimatike, në mënyrë që të vazhdojë të ecet më përpara në lidhje me bujqësinë”, shtoi ambasadorja Suard.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments