
Tiranë, Shqipëri | Apeli i GjKKO-së shtyu për nesër dhënien e vendimit për kërkesën proceduriale penale që lidhet me lehtësimin e masës së sigurimit vetjak “arrest në burg” për kryetarin e arrestuar të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Seanca e radhës pritet që të mbahet të mërkurën (11.04.2025) në orën 12:30.
Avokatët e z. Veliaj mësohet se kanë kërkuar të njihen me prova të reja.
Sipas informacioneve, z. Veliaj ende nuk ka mbajtur fjalën e tij në seancën gjyqësore, e cila, sot zgjati mbi 7 orë.
Avokatura e z. Veliaj ka bërë parashtrimet dhe ka këmbëngulur që masa e sigurisë “arrest në burg” duhet të shfuqizohet dhe se z. Veliaj duhet t’i jepet mundësia të dalë nga paraburgimi, duke i’u shqiptuar një masë më e lehtë sigurimi, sepse, sipas avokaturës së tij, z. Veliaj nuk ka asnjë rrezik të prishë provat apo t’i dëmtojë ato si dhe as të trembë (intimidojë) dëshmitarët.
Ankimimin e kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës po e shqyrton gjyqtari Engert Pëllumbi.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është në masë sigurimi vetjak “detyrim paraqitje”.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Kommentare