BANGLADESH: 778 TË VDEKUR NGA EPIDEMIA E DENGËS.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Sep 15, 2023
- 1 min read

Bangladesh | Sipas të dhënave të qeverisë, 157172 njerëz janë infektuar me sëmundjen e dengës, por, shifrat mund të jenë më të larta.
Bangladeshi është goditur nga një epidemi e dengës, e cila, deri më tani, ka marrë jetën e 778 personave.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Shëndetësore të qeverisë, 157172 persona janë prekur nga kjo sëmundje.
Megjithatë, sipas agjencisë së fëmijëve të Kombeve të Bashkuara, shifrat mund të jenë më të larta, sepse, shumë raste nuk raportohen. Në vitin 2022, 281 njerëz vdiqën.
Ethet e dengës janë një sëmundje infektive tropikale, e shkaktuar nga një virus i transmetuar nga mushkonjat.
Sëmundja zakonisht manifestohet me temperaturë të lartë, dhimbje koke, të përziera, të vjella, dhimbje muskujsh, kyçesh, skuqje të lëkurës, dhe në raste më të rënda, gjakderdhje.
OBSH deklaroi së fundmi se sëmundjet si dënga, Zika, çikungunia (chikungunya), dhe ethet e verdha, të shkaktuara nga viruset e transmetuara nga mushkonjat, po përhapen gjithnjë e më shpejt për shkak të ndryshimeve klimatike.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Comments