Sarajevë, Bosnje Hercegovinë | Të paktën 14 veta kanë humbur jetën në Bosnje nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm dhe rrëshqitjet e dheut.
Bilanci i përkohshëm u komunikua nga z. Darko Jukan, zëdhënës i qeverisë së Jabllanicës, në rajonin midis Bosnjës qendrore dhe jugore.
“Për momentin, ne kemi gjetur 14 trupa në rajonin e Jabllanicës. Fatkeqësisht, ka një shans të mirë që ky të mos jetë numri përfundimtar”, nënvizoi burimi, duke pasur parasysh se përpjekjet e ndihmës po hasin në vështirësi për të arritur në të gjitha fshatrat e prekura në zonë.
“Disa banorë janë ende të ngecur në shtëpitë e tyre”, raportoi në rrjetin social virtual Iks (X) një zyrtar nga entiteti mysliman kroat i Bosnjës, Nermin Niksic.
Shirat e dendur që kanë rënë në 24 orët e fundit në Bosnjën qendrore kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të rënda të dheut, veçanërisht në Jabllanicë, rreth 70 kilometra në jug-perëndim të Sarajevës.
Qyteza prej 4 mijë banorësh, e vendosur pranë liqenit artificial me të njëjtin emër, është shkëputur nga bota që në orët e para të ditës për shkak të rrëshqitjeve të tokës që penguan afrimin e çdo automjeti.
Në Kiseljak, rreth njëzet kilometra në jug-perëndim të Sarajevës, disa shtëpi, makina dhe kopshte përfunduan nën ujë.
Sipas Administratës Federale të Mbrojtjes Civile, një pjesë e madhe e popullsisë është në rrezik për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.
Zjarrfikësit, policia dhe shërbimet publike janë mobilizuar, por nevojitet ndihmë e mëtejshme për të kontrolluar situatën dhe për të zbutur pasojat e stuhive dhe reshjeve.
Në Kroacinë fqinje, autoritetet rreth portit të Rijekës, në Istria dhe në qendër të vendit kanë lëshuar një paralajmërim të kuq për përmbytje.
Në një deklaratë për shtyp ata paralajmëruan se përmbytje, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike dhe ujit, mund të ndodhin në disa qytete.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments