BILL GATES PARASHIKON SE TË GJITHË DO TË KENË NDIHMËS ROBOTË BRENDA 5 VITEVE TË ARDHSHME.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Nov 16, 2023
- 3 min read

Uashington, Amerikë | Miliardieri Bill Geits (Bill Gates) parashikon që të gjithë do të kenë agjentë robotë brenda 5 viteve. Bashkëthemeluesi i Microsoft Bill Geits (Bill Gates) parashikon një të ardhme ku çdo individ do të ketë agjentë personalë robotë që punojnë në emër të tyre.
Miliarderi deklaroi se këta ndihmës të inteligjencës Artificiale (AI) do të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si jetojmë, sipas një raporti të entit mediatik “Fortune”.
Edhe pse ai pranoi se që nga viti 2023, softueri është ende goxha memec, ai parashikon një transformim të plotë të inteligjencës artificiale (AI) brenda pesë viteve të ardhshme.
Ai tha: “Agjentët janë më të zgjuar. Ata janë proaktivë – të aftë për të bërë sugjerime para se t'i kërkoni ato.”
Miliarderi sipërmarrës i teknologjisë tha se pothuajse të gjithë do të kenë një asistent personal, që mund të bëjë shumë gjëra, si planifikimi i pushimeve të tëra për përdoruesit e tij.
Ai gjithashtu parashikoi se inteligjenca artificiale (AI) do të jetë në gjendje të kryejë detyra më komplekse në krahasim me asistentët zanorë të sotëm.
“Nëse miku juaj sapo ka bërë një operacion, agjenti juaj do të ofrojë të dërgojë lule, dhe të jetë në gjendje t'i porosisë ato për ju”, sugjeroi ai.
“Nëse i thoni se dëshironi të kapni hapin me shokun tuaj të vjetër të kolegjit, do të punojë me agjentin e tyre për të gjetur një kohë për t'u mbledhur, dhe pak para se të mbërrini, do t'ju kujtojë se fëmija i tyre më i madh sapo ka filluar kolegjin në universitetin lokal.”
PËRPARIME NË ASISTENTËT ZANORË PËR MË SHUMË SAKTËSI DHE AKSES.
Z. Semjuëll Men-Gëulld-Lenet (Samuel Mangold-Lenett), një redaktor i stafit në entin mediatik “The Federalist”, sugjeron që duke integruar inteligjencën artificiale (AI) me asistentët që përdorim aktualisht, këto sisteme mund të bëhen më të sakta se teknologjia jonë aktuale.
“Disa vite më parë, të kishe një smartphone me një asistent dixhital të aktivizuar me zë konsiderohej një luks. Tani, pothuajse të gjithë në Perëndim e kanë një të tillë”, tha ai për entin mediatik amerikan Fox News Digital.
“Inteligjenca artificiale (AI) po bëhet po aq e aksesueshme dhe me sistemet që bëhen më të lehta dhe më të lira për programuesit për t'u prodhuar. Është e arsyeshme të mendohet se asistentët e zërit, si Siri dhe Alexa, do të bëhen sisteme me inteligjencë artificiale (AI). Kjo do të ishte e ndryshme në atë që këto sisteme do të ofronin rezultate kërkimi më të sakta, dhe specifike, të bazuara në analizën holistike të të dhënave të përdoruesve.”
Ndërsa bashkëthemeluesi i Microsoft beson se përdoruesit do të duhet të paguajnë për llojin e teknologjisë që ai parashikon, ai argumenton se konkurrenca e konsiderueshme në zhvillimin e këtyre mjeteve do të çojë përfundimisht në kosto më të ulëta.
“Nëse numri i kompanive që kanë filluar të punojnë në inteligjencën artificiale (AI) vetëm këtë vit është ndonjë tregues, do të ketë një sasi të jashtëzakonshme konkurrence, e cila do t'i bëjë agjentët shumë të lirë”, shtoi z. Geits (Gates).
“Sot, agjentët janë të përfshirë në softuer të tjerë si përpunuesit e tekstit dhe tabelat, por, përfundimisht ata do të funksionojnë vetë. Pavarësisht nëse punoni në një zyrë, apo jo, agjenti juaj do të jetë në gjendje t'ju ndihmojë në të njëjtën mënyrë që asistentët personalë mbështesin drejtuesit sot”, shtoi ai.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments