BOLONJË: PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË BAJRAM BEGAJ ISHTE PËR VIZITË NË BOLONJË KU U PRIT NGA FËMIJË DHE PRINDËR TË SHKOLLËS SHQIPE (NJË INVESTIM I SHOQATËS “KORABI”).
- Agjencia Telegrafike Vox
- Dec 3, 2024
- 2 min read

Bolonjë, Itali | Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ndodhet në një vizitë në Bolonjë të Italisë, ku u prit nga fëmijë e prindër të shkollës shqipe, një investim i Shoqatës “Korabi” në këtë rajon, për të ruajtur e trashëguar gjuhën amtare.
Presidenti Begaj vizitoi kompaninë “Poti”, sipërmarrje e një shqiptari të suksesshëm, në të cilën, janë të punësuar shqiptarë dhe italianë.
Ndërsa i falënderoi për mikpritjen, presidenti Begaj përgëzoi komunitetin shqiptar të këtij rajoni për sipërmarrjen në biznes, bashkëpunimin me qytetarët italianë, si dhe angazhimin për ruajtjen e identitetit.
“Mos e harroni kurrë atdheun e të parëve!”, tha presidenti Begaj.
“Vazhdoni të punoni me dinjitet, duke ngritur lart flamujt e vendit nga keni ardhur dhe vendeve që ju kanë mirëpritur, ashtu siç shpalosen dhe flamujt në hyrje të sipërmarrjrd suaj”, tha më tej presidenti Begaj.
Gjatë kësaj vizite, presidenti Begaj zhvilloi takime të veçanta me kryetarin e Bashkisë së Bolonjës, z. Matteo Lepore, me presidentin e sapozgjedhur, Mikele de Paskale (Michele de Pascale), dhe atë në detyrë të rajonit Emilia-Romagnia, znj. Irene Priolo.
Presidenti Begaj vlerësoi rolin e komunitetit shqiptar në Itali, të arbëreshëve dhe Mërgatës së re, por edhe të qytetarëve dhe bizneseve italiane në Shqipëri, duke i cilësuar ata si një urë të re bashkëpunimi.
Presidenti Begaj vlerësoi se marrëdhëniet e shkëlqyera politike janë pasuar nga marrëdhëniet ekonomike shumë të mira, duke theksuar afrimin mes qytetarëve të dy shteteve, të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali, dhe të italianëve që kanë zgjedhur të investojnë e të jetojnë në Shqipëri.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments