BRITANI E MADHE: ROLAND ZANI U DËNUA ME 4 VJET BURG | TREGTAR DROGE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 5 days ago
- 2 min read

Londër, Britani e Madhe | Autoritetet britanike janë duke u përpjekur ta dëbojnë për herë të tretë z. Roland Zani.
Ai rezulton i dënuar penalisht disa herë për tregti droge dhe pjesëmarrje në grupe kriminale.
Z. Zani, me moshë 26 vjeç, është dëbuar dy herë më parë nga Mbretëria e Bashkuar por ka arritur të rihyjë në Britani.
Ai u kap për herë të fundit më 13 shkurt 2025 në qytetin Burnmauth (Bournemouth), duke drejtuar një automjet pa leje drejtimi dhe pa siguracion.
Policia i gjeti mbi 2 mijë euro para të thata dhe 24.75 gramë kokainë me një vlerë tregu prej rreth 3 mijë eurosh.
Ai u dëbua fillimisht në vitin 2019, pasi u dënua për shitje kokaine. Ai u kthye disa muaj më vonë dhe rifilloi aktivitetin kriminal, duke u thënë klientëve të tij: “Jam kthyer në punë”.
Në një nga arrestimet e mëvonshme, autoritetet gjetën në zotërim të tij 5 mijë euro, kokainë, tre telefona të llojit njëpërdorimësh, peshore, lista klientësh dhe një kartë identiteti të rreme greke.
Ai ka deklaruar se punonte për një bandë kriminale për të shlyer një borxh prej mbi 17500 eurosh ndaj trafikantëve të qenieve njerëzore që e ndihmuan të rifutej në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Pasi vuajti një dënim me heqje lirie prej tre vjetësh ai u dëbua për herë të dytë në muajin maj të vitit 2021.
Por, ai u rikthye në Mbretërinë e Bashkuar duke qëndruar i fshehur në pjesën e pasme të një kamioni.
Në seancën gjyqësore në Gjykatën Mbretërore të Burnmauthit (Bournemouth), gjyqtari Riçërd Fullër (Richard Fuller) e dënoi z. Zani me katër vjet heqje lirie dhe theksoi se priste që ai të dëbohej përsëri.
“Nuk mund të ketë dhembshuri për dikë që me vetëdije punon për tregtarët e drogës. Ju e dinit në çfarë po futeshit” tha gjyqtari.
Z. Zani ka pranuar fajësinë për:
1- Hyrje të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.
2- Zotërim prone kriminale.
3- Zotërim kokaine me qëllim shpërndarjeje.
4- Drejtim automjeti pa lejedrejtimi dhe siguracion.
Avokati i tij, Xhonëten Ris (Jonathan Rees), deklaroi se klienti i tij ishte kthyer në Britani me qëllim që të punonte në ndërtim, por mungesa e të ardhurave e kishte shtyrë të kthehej në rrjetet kriminale.
Një zëdhënës i Zyrës së Brendshme britanike u shpreh se: “Shtetasit e huaj që kryejnë krime të tmerrshme nuk duhet të kenë asnjë dyshim se do të largohen nga Mbretëria e Bashkuar sa më shpejt që të jetë e mundur, duke shtuar se që nga zgjedhjet, janë dëbuar 3594 kriminelë të huaj, një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Kommentare