CILA ËSHTË LINJA NAIN DESH (NINE DASH)? | LINJA E TENSIONIT NË DETIN E KINËS JUGORE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Feb 4, 2024
- 5 min read
Nga z. Federiko Xhuliani (Federico Giuliani).
Romë, Itali | Linja Nain Desh (Nine Dash) është një vijë demarkacioni e hequr nga Kina rreth territoreve të pretenduara nga Pekini në Detin e Kinës Jugore.
Drafti i parë, që daton në vitin 1947 - kur gjigandi aziatik drejtohej ende nga partia nacionaliste Kuomintang - në fakt përfshinte njëmbëdhjetë pika.
Këto theksuan dëshirën e Kinës për të njohur hapësirat detare të vendosura midis Vietnamit, Malajzisë dhe Filipineve.
Më pas, me ngritjen në pushtet të Partisë Komuniste Kineze (PKK) në vitin 1952, Mao Ce Duni braktisi pretendimet kineze mbi Gjirin e Tonkinit, me kryeministrin e atëhershëm Zhou Enlai, që anuloi dy seksione, duke i reduktuar ato në nëntë.
Ato rreshta, edhe pse të pakësuara në sasi, mbetën tepër të paqarta. Sikur të mos mjaftonte kjo, vendet fqinje të Kinës nuk u pajtuan fare. Kjo shkaktoi një tërheqje ligjore që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Problemet, në realitet, u ngritën disa dekada më parë, duke qenë se Dragoi - jo më gjendja e varfër dhe e dobët e periudhës maoiste - është rikthyer për të rimarrë me forcë zonën e tij territoriale në Detin e Kinës Jugore. E cila, jo çuditërisht, është e njëjta e kufizuar nga Linja Nain Desh (Nine Dash).
Kina pretendon “sovranitet të padiskutueshëm’ mbi Detin e Kinës Jugore, aq sa disa zyrtarë e quajnë këtë zonë “toka blu kombëtare”, një term që përdoret për t'iu referuar ujërave në brigjet e vendit.
Origjina e linjës me nëntë pika - më parë njëmbëdhjetë - mund të gjurmohet në hartat zyrtare të krijuara nga qeveria nacionaliste Kuomintang, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 1949, forcat komuniste të Mao Ce Dunit mundën nacionalistët, të cilët, u larguan në Tajvan, duke vendosur sundimin e tyre atje.
Si rezultat, Republika Popullore e Kinës dhe Tajvani pretendojnë të dyja pronësinë e Detit të Kinës Jugore.
Zona e diskutueshme, në qendër të pretendimeve të ndërsjella midis disa kombeve në rajon, përfshin Ishujt Paracel, Ishujt Spratly (nga të cilët ishulli Taiping, më i madhi, kontrollohet nga Tajvani) dhe zona të tjera, duke përfshirë ishullin Pratas, atë Vereker Banks, dhe atolet Macclesfield Bank dhe Scarborough Shoal.
Shumica e territoreve dhe ishujve të diskutueshëm janë vetëm pjesë të vogla toke me pak histori pas tyre dhe praktikisht pa civilë.
Është edhe për këtë arsye që shumë vende kanë arritur t'i shndërrojnë ato në simbole të patriotizmit.
Gjeografi kinez Jang (Yang) Huairen ishte një nga figurat e shquara që ndihmoi në gdhendjen e linjës.
Z. Yang, i lindur në vitin 1917, u punësua nga qeveria e atëhershme nacionaliste kineze pasi mori një arsim akademik në Mbretërinë e Bashkuar.
Në vitin 1947, ai punoi në hartën e parë, duke prezantuar linjën me 11 pika, duke emërtuar zyrtarisht çdo pjesë shkëmbi dhe shkëmbi koral në zonë, duke e quajtur të gjithë zonën “Ishujt e Detit të Kinës Jugore”.
Megjithatë, origjina e mosmarrëveshjes shkon prapa edhe më tej në kohë.
Në fund të Luftës Kino-Franceze, në vitin 1885, Kina nënshkroi Traktatin e Tientsit me Francën, duke hequr dorë nga sovraniteti i saj mbi Vietnamin.
Dy vjet më vonë, qeveria e atëhershme Çing nënshkroi një konventë për përcaktimin e kufirit midis Kinës dhe Tonkinit, por ai dokument nuk e qartësonte fare kufirin ujor midis Kinës dhe Indokinës Franceze.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Japonia u mund, dhe Republika e Kinës (e qeverisur nga nacionalistët) pretendoi Ishujt Paracel, Pratas dhe Spratly.
Çështja ishte se sipas Deklaratës së Kajros, të vitit 1943, dhe Deklaratës së Potsdamit, të vitit 1945, sovraniteti kinez mbi zonën e madhe të Detit të Kinës Jugore nuk ishte shpallur.
Në dhjetor 1947, Ministria e Brendshme e qeverisë nacionaliste kineze publikoi “Hartën e vendndodhjes së Ishujve të Detit të Jugut”, e cila, paraqiste një vijë me njëmbëdhjetë pika.
Kina e mbështet pretendimin e saj për Detin e Kinës Jugore në baza historike. Në fakt, disa analistë dhe akademikë kinezë pohojnë se ishujt e Detit të Kinës Jugore u zbuluan për herë të parë nga dinastia kineze Han, më shumë se dy mijëvjeçarë më parë.
Siç theksoi Time, duke cituar burime kineze, një mision kinez në shekullin e tretë pas Krishtit, në Kamboxhia dha llogari të detajuara për Ishujt Paracels dhe Spratly.
Më vonë, midis shekujve 10 dhe 14, gjatë dinastive Song dhe Juan (Yuan), shumë rrëfime zyrtare dhe jozyrtare kineze treguan Detin e Kinës Jugore brenda kufijve kombëtarë të Kinës.
Linja ka qenë prej kohësh objekt spekulimesh për atë që përfaqëson.
Ka nga ata që e konsiderojnë atë një pretendim territorial kinez, dhe nga ata që e konsiderojnë atë një pretendim kinez për një hapësirë detare, ndërsa analistë të tjerë pyesin nëse pikat synojnë të shtrijnë sovranitetin kinez mbi të gjithë zonën e shënuar, apo vetëm mbi burimet e pranishme në vend.
Pekini nuk ka qenë kurrë shumë i qartë. Ai u kufizua në pretendimin, në një mënyrë të përgjithshme, të linjës me nëntë seksione.
Në vitin 2013, Filipinet paraqitën një ankesë në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit në Hagë, kundër pozicionit të Kinës.
Në vitin 2016, i njëjti Tribunal, duke vendosur në favor të Manilës, deklaroi se vija me nëntë pika ishte një shkelje e të drejtave ndërkombëtare.
Ndërsa ajo nuk përcakton asnjë çështje të sovranitetit mbi territorin tokësor, dhe nuk do të kufizojë asnjë kufi detar midis palëve, arbitrazhi arriti në përfundimin se Kina nuk ka ushtruar historikisht kontroll ekskluziv mbi ujërat brenda vijës Nain Desh (Nine Dash), dhe nuk ka asnjë të drejtë ligjore bazë për të kërkuar të drejta historike për burimet e pranishme.
Për më tepër, kundërshtarët e qëndrimit kinez theksojnë faktin se Pekini ka nënshkruar Konventën për të Drejtën e Detit, e njëjta që krijon zonën ekskluzive ekonomike të një vendi, në hapësirën e kufizuar brenda 200 miljeve nga brigjet e tij.
Sipas kësaj, ishujt e pretenduar nga PKK nuk do t'i përkisnin Dragoit. Ky i fundit ka ripërsëritur se vendimi i Hagës do të konsiderohet si letër mbetje.
RASTI I FILMIT BARBI (BARBIE).
Situata u rikthye papritur në titujt kryesorë për “fajin” e filmit Barbie.
Vietnami bllokoi publikimin e të gjithë filmit për arsye gjeopolitike, pasi përmban një skenë që tregon një hartë të diskutueshme në sytë e qeverisë vietnameze, me pretendime kineze për të gjithë Detin e Kinës Jugore, pjesë të të cilit e pretendon Hanoi.
Vi Kien Thanh, kreu i departamentit të filmit në Vietnam, ishte i qartë: “Ne nuk lejojmë shfaqjen e filmit amerikan Barbie në Vietnam, sepse ai përmban imazhin fyes të linjës me nëntë pika.”
Kjo nuk është hera e parë që qeveria vietnameze ka vendosur të ndalojë publikimin e një filmi për shkak të përfshirjes së linjës me nëntë pika.
Në vitin 2022, filmi aksion i kompanisë Sani (Sony), Uncharted, u tërhoq për të njëjtën arsye, siç ishte filmi i animuar i kompanisë DreamWorks, Abominable në vitin 2019.
Në vend të kësaj, Netflix hoqi serialin dramatik me spiunazh australian Pine Gap, në vitin 2021.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments