DETI MESDHE | UDHËKRYQ QYTETËRIMESH.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Sep 17, 2023
- 5 min read

Nga z. David Abulafia, dhe z. Andrea Pontini.
Romë, Itali | Mesdheu përbën vetëm 0.8% të sipërfaqes detare të globit, dhe megjithatë ai ka pasur një rëndësi në historinë njerëzore shumë më tepër se sa madhësia e tij mund të duket se meriton.
Në të vërtetë, vogëlsia e tij relative, në krahasim me oqeanet, është një nga arsyet e rëndësisë së tij.
Këtu është hapësira që bashkon tre kontinente, Evropën, Azinë dhe Afrikën, dhe historia e së cilës bazohet në ndërveprimin intensiv politik, tregtar dhe kulturor që ka ndodhur në të gjithë sipërfaqen e saj.
Ajo ka qenë skena e pushtimeve, tregtisë, migrimit, marrëdhënieve kulturore, për afro 3000 vjet, që kur gjatësia e tij u përshkua nga detarët fenikas, etruskë, ilirë dhe grekë, dhe qysh nga qytetet e saj, si Tiri, Korinthi, Tarakuinia (Tarquinia), Kartagjena dhe Roma u shfaq si nyjet kryesore të popullsisë.
Me hapjen e Atlantikut, dhe të rrugëve nga Evropa në Indi, në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë, rëndësia ekonomike e Mesdheut gradualisht u zvogëlua, megjithëse nuk u zhduk kurrë.
Çuditërisht, ndoshta, hapja e Kanalit të Suezit në shekullin e nëntëmbëdhjetë nuk i rriti pasuritë e Mesdheut, pasi Mesdheu u bë një rrugë kalimi për transportin detar (veçanërisht nga Britania e Madhe) rrugës për në Indi, dhe më gjerë.
Zotërimi i Britanisë së Gjibraltarit, Maltës dhe përfundimisht Qipros, si dhe roli i saj në Egjipt dhe Levant, ishte i lidhur drejtpërdrejt me kërkesat e perandorisë së saj aziatike, dhe jo me çështjet specifike të Mesdheut.
Një perspektivë historike mbi rëndësinë e Mesdheut është jetike, sepse trashëgimia e atyre shekujve të kaluar ndihet ende brenda Mesdheut.
Harta e tij pasqyron lëvizjen e popujve përgjatë mijëvjeçarëve, kështu që Adriatiku, për shembull, ruan ndarjen midis zonave të vendosura nga popujt sllavë, në brigjet e tij lindore, dhe folësve të italishtes në brigjet e saj perëndimore; por kjo shkon më tej dhe shprehet në larminë fetare të anës lindore, e reflektuar në ndarjet e hidhura gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë: katolikë në Kroaci, ortodoksë sllavë në Serbi dhe Mal të Zi, myslimanë në Bosnje.
Trashëgime komplekse mund të identifikohen në Sardenjë dhe Korsikë, të dy ishujt janë futur në sferën italiane nga gjenovezët dhe pizanët, megjithëse Korsika më në fund ra nën sundimin francez, ndërkohë që ruan ende karakteristika dalluese, si një gjuhë shumë më afër italishtes sesa frëngjishtes.
Madje, mund të thuhet se mënyra se si ne e përkufizojmë Evropën është rezultat i historisë së gjatë të Mesdheut: humbja e Majorkës, Sardenjës, Siçilisë, Kretës dhe Qipros nga fuqitë evropiane siguroi që ato të shiheshin si pjesë e Evropës dhe jo si zgjerime të Afrikës dhe Azinë.
Një nga veçoritë e rëndësishme të Mesdheut ka qenë ekzistenca e qyteteve portuale të tij, vende ku, të paktën në shekujt e mëparshëm, popuj me origjinë të ndryshme etnike, dhe identitete fetare jetonin krah për krah, në marrëdhënie shpesh miqësore, por ndonjëherë të tensionuara me njëri-tjetrin.
Portet e Mesdheut vepruan si magnet që tërhiqnin jo vetëm popullsinë e fshatit përreth, por një popullsi të larmishme të tërhequr nga e gjithë rajoni – tregtarë, mercenarë, misionarë dhe lloj-lloj emigrantësh të tjerë, duke mos harruar tregtinë aktive të skllevërve, në epokën e Korsairëve Barbarë dhe kalorësve të Santo Stefanos dhe të Maltës.
Diçka nga kjo botë mbijetoi derisa lëvizjet nacionaliste i panë këto qytete port të copëtuara nga rivalitetet politike, ndërsa grekët dhe armenët u larguan nga Smirna (Izmiri) në 1922.
Fundi i pushtimit kolonial bëri që kolonët evropianë të largoheshin nga Algjeri dhe Tunizia (jo vetëm francezët, por spanjollët dhe italianët), ndërsa italianët u larguan nga Tripoli.
Megjithatë, këto qytete përmbajnë kujtime të dukshme të së kaluarës së tyre koloniale në rrugët e tyre të rreshtuara nga ndërtesa monumentale të modeluara sipas atyre të Parisit dhe Romës.
Konvulsionet etnike kanë vazhduar të ndodhin gjatë shtatëdhjetë viteve të fundit, pasi Izraeli u bë fokusi i vendbanimeve hebreje, pas tmerreve të Holokaustit, ndërsa një numër i madh i arabëve palestinezë u larguan drejt e në Lindjen e Mesme.
Shumë më vonë, me shpërbërjen e Sirisë, ndodhi eksodi i shumicës së popullsisë së saj të krishterë, për të mos përmendur një numër të madh refugjatësh myslimanë.
Kuptimi i këtyre ndryshimeve është thelbësor për mënyrën se si ne interpretojmë Mesdheun sot. Problemet e pazgjidhura nuk kanë të bëjnë vetëm me Izraelin dhe palestinezët, por, edhe marrëdhëniet ekonomike në të gjithë hapësirën mesdhetare.
Dekolonizimi pati rezultatin e mirëpritur që banorët e Afrikës së Veriut mund të merrnin në dorë fatin e tyre; por, ndërhyrja e jashtme nga Bashkimi Sovjetik, së bashku me një hezitim për të mbajtur një marrëdhënie të ngushtë me ish-fuqitë koloniale, penguan krijimin e lidhjeve të forta ekonomike në të gjithë Mesdheun.
Kjo ndodhi, për më tepër, pikërisht në momentin kur lëvizja për integrim evropian po rritej, me fillimin e Francës dhe Italisë, dhe më pas demokracitë e tjera mesdhetare, që shikonin drejt veriut, drejt Brukselit, dhe asaj që u bë Bashkimi Evropian.
U bë shumë më e rëndësishme ndjekja e një strategjie të përbashkët ekonomike në Evropë, sesa fokusimi në marrëdhëniet trans-mesdhetare.
Ndërtimi i lidhjeve të ngushta me ekonominë qendrore të Gjermanisë, premtoi të stimulonte rritjen ekonomike, në një mënyrë që lidhjet me vendet shumë më të varfra rreth skajit jugor të Mesdheut nuk mund ta bënin.
Iniciativat për të nxitur një lloj bashkëpunimi në të gjithë Mesdheun nuk kanë pasur rezultate të rëndësishme.
Flitet shumë, por duhet veprim. Ashtu si detet e tjera, edhe Mesdheu ka vuajtur nga mbipeshkimi. Gjithashtu ka vuajtur rëndë nga ndotja, e theksuar nga zgjerimi i madh i industrisë turistike.
Ndërtimi i grupeve masive të hoteleve prej betoni përgjatë brigjeve të Katalonjës, Adriatikut, Qipros dhe shumë pjesëve të tjera të Mesdheut, ka sjellë një shkallë përparimi (prosperiteti) në këto zona, që do të dukej e paimagjinueshme njëqind vjet më parë, por, me një kosto të lartë për vetë Mesdheun.
Problemi më i dukshëm brenda Mesdheut është bërë fluksi i emigrantëve: refugjatët nga persekutimi, dhe lufta jo vetëm në Siri apo Libi, por edhe nga larg, të cilëve duhet t'u shtohen një numër i madh emigrantësh ekonomikë.
Rritja fenomenale e popullsisë në Afrikën Perëndimore, ndërsa kujdesi mjekësor është përmirësuar, dhe mungesa e mundësive për një klasë të mesme, të sapo shfaqur, ka nxitur migrimin në kushte të rrezikshme nëpër Sahara, dhe më pas në varka të padepërtueshme për në Maltë, Lampedusë, dhe Pantelleria, ose mbi barrierat në Keuta (Ceuta) dhe Melilla, në territorin spanjoll.
Kjo rrjedhë nuk do të pushojë. Pyetja është se si ta menaxhojmë atë në interes të sigurisë, drejtësisë dhe kapacitetit të vendeve pritëse për të përballuar fluksin.
Kjo nuk është një çështje vetëm për vende të veçanta si Italia, Greqia dhe Spanja, por një që kërkon një zgjidhje ndërkombëtare, veçanërisht pasi objektivi i shumë emigrantëve trans-mesdhetar nuk është një vend mesdhetar, por, Britania e Madhe, Gjermania dhe shtete të tjera veriore.
Është një problem global që kërkon edhe stabilitet politik, investime dhe krijimin e vendeve të punës në vendet nga vijnë emigrantët.
Thjesht hapja e dyerve dhe lënia e të gjithëve të hyjnë brenda nuk është një zgjidhje humane apo praktike.
Të gjitha këto mendime të çojnë në përfundimin se Mesdheu nuk po funksionon efektivisht për momentin.
Pandemia e Covid vetëm sa e përkeqësoi më tej një situatë të përkeqësuar. Përpjekjet ndërkombëtare për të ringjallur bashkëpunimin trans-mesdhetar duhet të ripohohen dhe të bëhen reale.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Comments