DHIMBJA E PAPA FRANÇESKUT PËR POPULLSINË E PREKUR NGA PËRMBYTJA: LUTEM PËR JU.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Nov 1, 2024
- 2 min read

Vatikan | Afërsi dhe lutje për të gjithë popullsinë e Valencias në këtë moment katastrofe.
Papa Françesku shprehu dhimbjen e tij për Spanjën e goditur nga cikloni Dana përmes një videomesazhi drejtuar Imzot Luis Javier Argüello García-s, kryepeshkop metropolitan i Valladolidit dhe president i Konferencës Episkopale të vendit, në të cilin ai siguron afërsinë e tij me popullin e Valencias dhe dërgon bekim.
Në orët e fundit, fenomeni atmosferik ka shkatërruar bregun lindor spanjoll me mbi 100 viktima zyrtare, një numër të paspecifikuar personash të zhdukur dhe më shumë se 1200 persona të zhvendosur.
Kjo është ngjarja më e fuqishme që vendi mund të kujtojë, të cilën, shkencëtarët e lidhin me ndryshimet klimatike dhe që në tetë orë shkaktoi më shumë shi se 20 muajt e mëparshëm.
Një alarm i ri i kuq është lëshuar në orët e fundit nga agjencia meteorologjike spanjolle për disa qarqe të Kastelonit, provinca më veriore e rajonit të Valencias, një alarm portokalli për jug të Tarragonës, në veri-lindje të Katalonjës dhe për bregdetin perëndimor i Kadizit, në jugperëndim të vendit.
Spanjollët morën gjithashtu një apel nga Mbreti Felipe VI, i cili u kërkoi atyre të qëndronin të bashkuar në ndihmë dhe mbështetje në mënyrë që të kapërcehej kjo trauma.
Urgjenca nuk ka mbaruar, shpjegoi sovrani, dhe ka parashikime të rrezikut.
Vendi u zgjua nga skenat e shkatërrimit me fshatra të tëra të përfshira nga përmbytjet.
Kërkimi për të zhdukurit vijon pandërprerë.
Lumenjtë e ujit vërshuan katet e poshtme të ndërtesave, duke fshirë gjithçka në rrugën e tyre.
Shumë ura dhe rrugë janë shkatërruar, linjat hekurudhore janë ndërprerë.
Rreth 80 mijë familje ende nuk kanë energji elektrike, ndërsa një numër i panjohur njerëzish janë pa ujë të pijshëm.
“Prioriteti ynë është të gjejmë viktimat dhe të zhdukurit, në mënyrë që të mund të ndihmojmë për t'i dhënë fund vuajtjeve të familjeve të tyre”, tha kryeministri spanjoll Pedro Sançez (Sánchez), në të parën e tre ditëve të zisë zyrtare në vend.
“Ishte një ngjarje e jashtëzakonshme që i befasoi të gjithë, si për shpejtësinë e ngjarjeve ashtu edhe për shtrirjen e tragjedisë për të cilën ne nuk ishim në dijeni - tha Imzot Enrique Benavent Vidal, peshkop i Valencias - vetëm të mërkurën në mëngjes filluam të kuptonim atë që kishte ndodhur, nga pamjet televizive, nga numri në rritje i shpejtë i viktimave”.
Sa më shpejt, shton ai, ai vetë do të udhëtojë në vendet e prekura për të vizituar famullitë dhe priftërinjtë, të cilët janë mirë, por disa kisha janë shkatërruar plotësisht.
Prandaj Benavent Vidal u kërkon të krishterëve të jenë në solidaritet me ata që vuajnë më shumë.
Strukturat e famullive janë vënë në dispozicion, që të jenë një vend solidariteti dhe mirëseardhjeje dhe Caritas-i po punon përkrah atyre që kanë humbur gjithçka.
Më pas, peshkopi lëshon një mesazh shprese: se kjo situatë na ndihmon të jemi më shumë vëllezër e motra dhe, pavarësisht gjithçkaje, të jetojmë me shpresë dhe besim te Zoti.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments