DREJT NJË TESTI TË URINËS PËR DIAGNOSTIKIMIN E HERSHËM TË KANCERIT OVARIAN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Feb 13, 2024
- 1 min read
Pensilvani, Amerikë | Drejt diagnozës së hershme të kancerit ovarian me një test të urinës: ky është premtimi që vjen nga një studim i Universitetit të Kamneullthit (Commonwealth), i paraqitur në Takimin Vjetor të 68-të, të Shoqatës Biofizike, në Filadelfia, Pensilvani.
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se ka mijëra molekula të vogla, të quajtura peptide, në urinën e grave me kancer ovarian.
Ekspertët kanë kërkuar një qasje të re për të zbuluar më lehtë këto peptide në urinë në një mënyrë me kosto të ulët.
Ekipi përdori teknologjinë nanopore, e cila, ka potencialin për të zbuluar njëkohësisht peptide të shumta.
Në praktikë, metoda përfshin kalimin e molekulave përmes një poreje të vogël, ose nanoporeje, dhe në këtë mënyrë maten vetitë e ndryshme të molekulave.
Metoda është e aftë të identifikojë peptide të shumta njëkohësisht; Në studim, ekspertët identifikuan dhe analizuan 13 peptide, duke përfshirë ato që rrjedhin nga LRG-1, një biomarker që gjendet në urinën e pacientëve me kancer ovarian.
Të dhënat klinike tregojnë një përmirësim 50-75% në mbijetesën 5-vjeçare, kur tumoret zbulohen në fazat e tyre më të hershme.
Sipas studiuesve, sistemi i zhvilluar në këtë studim tregon mundësinë e zhvillimit të një testi të thjeshtë i cili, i kombinuar me informacione të tjera, si analizat e gjakut, ultrazërit transvaginal, dhe historia familjare, mund të përmirësojë në të ardhmen diagnostikimin e hershëm të kancerit ovarian.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments