EVROPA DËSHIRON TË PËRGATISË QYTETARËT E SAJ PËR LUFTË: A DUAN DHE A DO TË DËGJOJNË ATA?
- Agjencia Telegrafike Vox
- 6 days ago
- 7 min read

Nga: znj. Sofi (Sophie) Tanno.
Londër, Britani e Madhe | Udhëzues për mbijetesë, grumbullim rezervash dhe ushtrime për evakuim masiv.
Evropa po përpiqet me ngut të përgatisë qytetarët e saj për kërcënimin në rritje për një konflikti që mund të mbërrijë në pragun e saj.
Disa shtete evropiane kanë dhënë udhëzime vetëdijesimi muajt e fundit - duke përmendur garazhe dhe stacione metroje të shndërruara në strehimore dhe duke promovuar qëndrueshmërinë psikologjike.
Mesazhi i përgjithshëm është nevoja për një ndryshim në mentalitetin e popullsisë, për t’u përgatitur për luftë.
Siç u shpreh sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, para ekspertëve të sigurisë në Bruksel në dhjetor: “Është koha për të kaluar në një mentalitet lufte”.
Këto zhvillime ndodhin në kohën kur liderët evropianë shprehin frikën se presidenti rus, Vladimir Putin, i inkurajuar nga përparimet në Ukrainë, mund të synojë të zgjerojë më tej ndikimin e tij në kontinent, ndërkohë që aleati i fuqishëm dhe afatgjatë i Evropës, Shtetet e Bashkuara, po tregon një qëndrim më armiqësor ndaj sigurisë evropiane - duke vënë në pikëpyetje gatishmërinë për të ndërhyrë në rast se një vend anëtar i NATO-s sulmohet.
Megjithatë, mbetet e paqartë se sa efektive do të jenë këto plane emergjente në praktikë dhe - mbi të gjitha - nëse qytetarët do t’i marrin seriozisht këto udhëzime.
Komisioni Evropian u ka kërkuar të gjithë qytetarëve të krijojnë rezerva ushqimore dhe të tjera, të nevojshme për të paktën 72 orë, në rast të një krize.
Në udhëzimet e publikuara në mars, Komisioni theksoi nevojën që Evropa të ndërtojë një kulturë “gatishmërie” dhe “qëndrueshmërie”.
Në të njëjtën kohë, shtetet e caktuara kanë filluar të hartojnë udhëzimet e veta për situata emergjente, përfshirë edhe konfliktet e mundshme.
Në muajin qershor të kaluar, Gjermania përditësoi Direktivën për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse, duke dhënë udhëzime se çfarë duhet bërë në rast se shpërthen një konflikt në Evropë.
Dokumenti përshkruan një transformim të plotë të jetës së përditshme për qytetarët gjermanë në rast lufte.
Suedia ka publikuar një udhëzues mbijetese të titulluar Nëse ndodh një krizë apo luftë.
Fletushka u shpërnda në miliona familje në nëntor, pasi u përditësua për herë të parë pas gjashtë vitesh - për shkak të rritjes së nivelit të kërcënimit ushtarak.
Ajo udhëzon qytetarët suedezë për mënyrën se si do të jepen paralajmërimet në rast lufte, përfshirë edhe një sistem të jashtëm alarmi, i cili, thuhet se është funksional në shumicën e zonave.
“Futuni brenda, mbyllni dritaret dhe dyert dhe, nëse është e mundur, fikni sistemin e ventilimit. Dëgjoni radion shtetërore suedeze Sveriges Radio, kanalin P4 për më shumë informacion”, thuhet në fletushkë.
Aty jepen këshillat se duhet kërkuar strehë gjatë një sulmi ajror, duke përfshirë bodrumet, garazhet dhe stacionet e metrosë nëntokësore.
Nëse ndodheni jashtë pa mburojë afër, këshillohet të shtriheni në tokë, “mundësisht në një gropë apo kanal të vogël”.
Këshilla specifike u jepen qytetarëve suedezë edhe për rastet e sulmeve me armë bërthamore, duke u thënë që të “strehohen ashtu siç do të bënin gjatë një sulmi ajror. Strehimoret e mbrojtjes civile ofrojnë mbrojtjen më të mirë”.
Më tej shtohet: “Nivelet e rrezatimit do të bien ndjeshëm pas disa ditësh”.
Aty gjithashtu ka këshilla për evakuim, ndalimin e gjakderdhjes, përballimin e ankthit dhe mënyrën se si të flitet me fëmijët për krizën dhe luftën.
Për Finlandën - e cila ndan një kufi prej 1340 kilometrash me Rusinë, më i gjati ndër vendet anëtare të NATO-s - mbrojtja e sovranitetit nga Moska ka qenë prej kohësh pjesë e psikologjisë kombëtare.
Vendi për dekada të tëra është përgatitur për mundësinë e një konflikti me Rusinë. Që nga vitet 1950 të shekullit XX, është i detyrueshëm ndërtimi i strehimoreve nën objekte banimi dhe zyrash.
Megjithatë, ky shtet nordik - që iu bashkua NATO-s në vitin 2023 pas dekadash neutraliteti - ka përshpejtuar përgatitjet që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Dy vite më parë, të nxitur nga lufta e Rusisë, autoritetet finlandeze bënë një inventar të strehimoreve ekzistuese emergjente dhe zbuluan se kishin gjithsej 50500 strehimore, të afta për të strehuar deri në 4.8 milionë persona, në një vend me 5.6 milionë banorë.
Ministria e Brendshme e Helsinkit, në nëntor publikoi gjithashtu udhëzime të reja për krizën, ku ofrohen këshilla për përgatitjen ndaj ndërprerjeve të gjata të energjisë, mungesës së ujit, ndërprerjes së komunikimeve, fenomeneve ekstreme atmosferike dhe konflikteve ushtarake.
Megjithëse vendet kanë përditësuar udhëzimet për mbrojtjen civile, nuk ka asnjë garanci se qytetarët do t’u kushtojnë vëmendjen e duhur.
Znj. Klaudia (Claudia) Major, zëvendëspresidente për sigurinë transatlantike në Fondin Gjerman Marshall, tha për transmetuesin televiziv “CNN” se këto këshilla duhet të merren seriozisht.
Ajo theksoi nevojën për përgatitje jo vetëm ndaj një kërcënimi të drejtpërdrejtë ushtarak nga Rusia, por edhe ndaj asaj që ajo e quajti “zona gri” mes luftës dhe paqes - që përfshin forma më të ulëta agresioni dhe luftë hibride.
Megjithatë, ajo shtoi: “Vija e hollë që duhet ndjekur është rritja e gatishmërisë pa kaluar në panik dhe tmerr. Duam që njerëzit të jenë të vetëdijshëm, por jo të terrorizuar”.
Për disa vende, sidomos ato që ndodhen në sferën e ndikimit të Moskës, kërcënimi nga Rusia ndihet më shumë. Për të tjerat, është më e vështirë të kuptohet.
Znj. Major përmend Finlandën që humbi territor ndaj Rusisë gjatë Luftës së Dimrit në vitet 1939-1940, dhe vendet baltike të cilat u aneksuan nga Bashkimi Sovjetik midis viteve 1940 dhe 1991, si shtete ku kërcënimi nga Rusia është më i rrënjosur në atë që ajo e quajti “ADN-ja kombëtare” e këtyre shteteve.
“Kërcënimi ekzistencial, frika për t’u pushtuar, për t’u zhdukur nga harta, është shumë reale në shtetet baltike. Ata pyesin veten pse vendet e tjera nuk e kuptojnë këtë”, tha ajo.
“Finlandezët, gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë, e kanë marrë mbrojtjen seriozisht”, shtoi znj. Major.
“Pse po shkojmë të gjithë tani në Finlandë, për të parë sistemin e tyre të strehimoreve, rezervat e ilaçeve dhe sistemin e rezervistëve? Sepse ata kanë mësuar nga historia; askush nuk do të na ndihmojë. Duhet t’ia dalim vetë”.
Znj. Major përmendi Portugalinë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar si vende ku kërcënimi nga Rusia është më pak i pranishëm në ndërgjegjen kombëtare.
Italia, sipas saj, është më e përqendruar në kërcënimet që vijnë nga terrorizmi dhe paqëndrueshmëria në shtetet e brishta pranë kufirit të saj jugor.
“Aty kërcënimi është më afër”, tha ajo. “Është një problem më i madh për stabilitetin, mirëqenien dhe politikën e brendshme të vendit”.
Territori kryesor i Mbretërisë së Bashkuar, si një ishull, nuk është pushtuar nga një fuqi e huaj që nga viti 1066, ndërkohë që për shumë vende të Evropës Perëndimore, pushtimi ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kjo do të thotë se gjeneratat e sotme kanë më pak përvojë direkte dhe qytetarët mund të jenë më pak të prirur për të ndjekur këshillat e qeverisë.
“Pyetja është si mund të ndryshohet ADN-ja e një vendi – kjo është pyetja themelore”, tha znj. Major.
Efektiviteti i planeve të mbrojtjes civile gjithashtu mbetet i paqartë. Në të kaluarën, ato madje janë pritur me tallje.
Për dekada të tëra gjatë Luftës së Ftohtë, qeveria britanike ofroi informacion zyrtar për qytetarët mbi mënyrën si të mbroheshin ndaj kërcënimit bërthamor nga Bashkimi Sovjetik.
Fushata më e njohur britanike e informimit publik ishte e njohur me emrin “Mbrohu dhe Mbijeto” midis viteve 1974 dhe 1980.
Seria përmbante informacione mbi rreziqet e mbetjeve radioaktive, udhëzime se çfarë duhet bërë në orët dhe ditët pas një sulmi bërthamor dhe një plan për mbijetesë.
Një broshurë e publikuar në maj të vitit 1980 përmbante këshilla mbi ndërtimin e një dhome të improvizuar kundër rrezatimit, brenda shtëpisë, përfshirë një të ashtuquajtur strehë të brendshme për t’u mbrojtur nga pluhuri radioaktiv.
Kjo fushatë u kritikua gjerësisht për dhënien e këshillave jorealiste dhe për krijimin e një ndjesie të rreme optimizmi përballë një katastrofe bërthamore. Ajo u satirizua për një kohë të gjatë në kulturën popullore britanike.
Studiuesi britanik, Taras Jang (Young), autor i librit “Lufta bërthamore në Mbretërinë e Bashkuar”, i tha transmetuesit televiziv “CNN” se “Mbrohu dhe Mbijeto” u krijua si një fushatë multimediale në vitet 1970 të shekullit XX, por nuk ishte menduar të bëhej publike deri në rastin e mundësisë për një luftë bërthamore.
Megjithatë, pasi kryeministrja Margaret Theçër (Thatcher) erdhi në pushtet në vitin 1979, gazeta “The Times” kërkoi nga qeveria të publikonte broshurat.
“Si pasojë, ajo u publikua në një kohë kur nuk kishte një kërcënim të menjëhershëm për sulm, ndaj njerëzit e panë atë me një tjetër sy”, tha z. Jang (Young).
Për këtë arsye, sipas tij, pati një “kundërpërgjigje kulturore”, duke shtuar se fushata u tall edhe në komeditë e njohura televizive britanike.
Z. Jang (Young) përmendi si një nga këshillat më komike udhëzimin e qeverisë britanike për të zbardhur dritaret, me qëllim të ndalimit të përhapjes së nxehtësisë nga një shpërthim bërthamor.
Qytetarëve u rekomandohej të “lyenin dritaret nga brenda me bojë të holluar, në një ngjyrë të çelur, në mënyrë që të reflektohej një pjesë e madhe e valës termike, edhe pse shpërthimi që pason do t’i thyente ato”.
Në krahasim, z. Jang (Young) e sheh këshillën moderne të vendeve evropiane - përfshirë edhe udhëzimet britanike për përgatitjen ndaj emergjencave - si më realiste dhe që përfshijnë më shumë aspekte të rëndësishme psikologjike, siç është përballimi i traumës.
Për znj. Major, nevoja për të përgatitur civilët për kërcënimet e jashtme - veçanërisht në atë që ajo e quan “zona gri” - nuk mund të nënvlerësohet.
“Ne kemi tendencën të fokusohemi tek aspekti ushtarak, por jemi jashtëzakonisht të pambrojtur në zonën gri. Ndaj duhet të mendojmë për parandalim, mbrojtje dhe qëndrueshmëri. Dhe, kjo nënkupton veçanërisht një përgatitje më të madhe të shoqërisë”.
Ajo shton: “Nëse shoqëria nuk është e gatshme dhe e përgatitur të mbështesë një luftë - ashtu siç po bën shoqëria ukrainase për momentin - ne nuk do të mund të fitojmë”.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments