FAMILJA KADARE I DHUROI DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARKIVAVE DORËSHKRIMET E SHKRIMTARIT ISMAIL KADARE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Aug 23, 2024
- 2 min read
Tiranë, Shqipëri | Dhjetëra dorëshkrime dhe shtypshkrime të shkrimtarit me fame botërore Ismail Kadare do të ruhen në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA).
DPA shprehet se veprimtaria letrare e shkrimtarit Kadare, i cili arriti të lërë gjurmë edhe në panteonin e letërsisë botërore, do t’i nënshtrohet restaurimit në DPA, që do të realizojë fillimisht rimëkëmbjen e materialeve, për të kaluar më pas në procesin e digjitalizimit të tyre.
Në kuadër të një marrëveshjeje me DPA-në, familja Kadare ka dorëzuar dorëshkrime që mbulojnë gjerësisht krijimtarinë e ngjeshur të shkrimtarit, përmes veprave të tij më të lakuara.
Në një deklaratë për entet mediatike drejtori i përgjithshëm i Arkivave të Republikës së Shqipërisë, Ardit Bido, falenderoi znj. Helena Kadare (bashkëshorten) dhe zonjat Besiana dhe Gresa Kadare (vajzat), për besimin e shprehur kundrejt DPA-së me vendimin për të depozituar pranë saj një fond me materiale të rralla të shkrimtarit.
“Të gjitha këto dorëshkrime janë tashmë pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për ruajtje, për restaurim dhe për digjitalizim, si një hap i rëndësishëm për të mos pasur asnjë lloj problematike me humbjen e pasurive të mëdha kombëtare”, tha drejtori Bido.
Mes materialeve të dorëzuara, bëjnë pjesë dorëshkrimet e veprave: “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Ra ky mort e u pamë”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Hamleti”, “Hijet”, “Përbindëshi” dhe “Mosmarrëveshja”.
Janë dorëzuar edhe shtypshkrimet e veprave “Sorkadhet e trembura”, “Aksidenti”, “Ftesë në studio”, “Ëndërrimet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”.
Krahas tyre, gjenden edhe blloqet me shënime të hedhura prej shkrimtarit Kadare gjatë krijimtarisë së tij letrare, por edhe albume me foto të tij familjare, albume nga aktivitete të shumta kulturore, si edhe dekreti i shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments