FIJA E PËRBASHKËT MES KARTELEVE MEKSIKANE DHE HAMASIT KU MERR FORMË NARKO-XHIHADI.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Dec 27, 2023
- 3 min read
Nga z. Valerio Çiapaino (Valerio Chiappaino).
Romë, Itali | Konflikti i nisur nga Izraeli kundër Hamasit pas sulmit të paprecedentë të 7 tetorit 2023, ka nxjerrë në pah rëndësinë e kontrollit të botës së nëndheshme, në luftërat e shekullit të 21-të, veçanërisht në kontekstin e operacioneve ushtarake, të kryera në mjedise urbane.
Militantët e Al Kaedës, talebanët në Afganistan, dhe vietkongët në Azinë juglindore e dinin mirë këtë, pasi ata përdorën tunelet për t'i shpëtuar atyre që po i gjuanin.
Organizata që kontrollon Rripin e Gazës që nga viti 2007 nuk është e vetmja sot që ka monopol në këtë fushë.
Në mënyrë të papritur, në fakt, islamistët sunitë të territorit palestinez kishin nënshkruar një marrëveshje me narkosat meksikanë për t'i transferuar këtyre të fundit njohuritë dhe teknologjitë për të shfrytëzuar nëntokën në avantazhin e tyre.
Ismael Zambada Garcia, i njohur si “El Mayo” zot i kartelit Sinaloa , i konsideruar nga shumë si trashëgimtari i Çapo Guzmanit (Chapo Guzman), dhe me një shpërblim mbi kokën e tij prej 15 milionë dollarësh, ishte ai që krijoi një aleancë të hekurt me fedajinët rreth dhjetë vjet më parë.
Sipas marrëveshjes, Hamasi do të ndihmonte kushërinjtë e tij jashtë shtetit, për të ndërtuar rrjete nëntokësore në zonat kufitare, për të lejuar transferimin e drogës në Shtetet e Bashkuara, si dhe për të tallur agjencitë amerikane dhe meksikane kundër drogës.
Për më tepër, tunelet do të përdoren gjithashtu për t'i shpëtuar grupeve rivale.
Lëvizja islamike ka përvojë të konsiderueshme në ndërtimin e tuneleve - e ashtuquajtura metro e Gazës ka një gjatësi të vlerësuar prej 500 kilometrash - dhe që të paktën nga viti 2001 ajo i ka përdorur ato për të kontrabanduar mallra nga Egjipti dhe për të nisur sulme në territorin izraelit.
Shteti hebre e ka monitoruar gjithmonë këtë kërcënim, dhe që nga viti 2004, njësia ushtarake Samur, e Forcës Mbrojtëse të Izraelit (IDF) është specializuar në gjurmimin dhe shkatërrimin e rrjeteve nëntokësore të armikut, shpesh përmes përdorimit të robotëve.
Një strategji e përdorur gjerësisht në operacionin tokësor që po zhvillohet në Gaza, i cili, ditët e fundit ka çuar në identifikimin e tunelit më të madh të zbuluar deri më tani nga forcat e Shtetit Hebre.
Lajmi i parë mbi marrëveshjen e fshehtë midis Hamasit dhe “El Mayo”-s u zbulua në vitin 2018, kur Deni Tirza (Dany Tirza), një ish-kolonel i ushtrisë izraelite, deklaroi në një intervistë se islamistët në Gaza marrin para duke mbështetur grupet kriminale meksikane për ndërtimin e tuneleve që funksionojnë nga Tijuana në Shën Diego (San Diego) për trafik droge.
Në të njëjtin vit, agjentët e Mossad-it rindërtuan lëvizjet e tre milicëve, të cilët, pasi kaluan nëpër Madrid, takuan disa nga togerët e Zambadës në Tijuana, Meksikë.
Në këmbim të transferimit të aftësive të tyre te narkotikët, duke përfshirë ndërtimin e bombave të bëra vetë, islamistët kishin marrë armë dhe pajisje amerikane, si dhe ngarkesa droge dhe trajnime nga kimistët meksikanë për prodhimin dhe tregtimin e kaptagonit.
Në këto trafikime u përfshinë edhe shiitët e Hezbollahut.
Keptagoni (Captagon) njihet si “droga e xhihadit”, dhe u gjet te disa terroristë të vrarë pas sulmit të 7 tetorit 2023.
Pilulat e amfetaminës tani janë veçanërisht të përhapura në Lindjen e Mesme, dhe Siria fqinje menaxhon një pjesë të rëndësishme të këtij tregu, aq sa ka fituar titullin e narkoshtetit të fundit në botë.
Marrëveshja midis Hamasit dhe kartelit Sinaloa është vetëm e fundit në një seri të gjatë bashkëpunimesh midis organizatave terroriste dhe grupeve të pamëshirshme kriminale, të mbrojtura shpesh nga marrëveshjet e fshehta, dhe elementët devijues, brenda qeverive të kombeve të brishta, dhe më gjerë.
Megjithatë, ngjarjet në Gaza dhe shpërthimet e vazhdueshme të dhunës, vetëm pak hapa larg kufirit me Shtetet e Bashkuara, u kujtojnë vendimmarrësve politikë çdo ditë rreziqet që ata përballojnë, duke injoruar këto kërcënime ndërkombëtare.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Commentaires