top of page
E BARDHË SHIRIT.png

FJALA E PLOTË E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT ILIR PRODA E MBAJTUR GJATË PREZANTIMIT TË SONDAZHIT ME OBJEKT LËNDOR: “KËNAQËSIA E PUBLIKUT ME PUNËN E POLICISË”.

Writer's picture: Agjencia Telegrafike VoxAgjencia Telegrafike Vox

Tiranë, Shqipëri | I nderuar Zoti Kryeministër,

I nderuar Zoti Ambasador i Suedisë,

I nderuar Zoti Kryetar i Komisionit të Sigurisë,

I nderuar Zoti Ministër i Brendshëm,

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Policia e Shtetit, padyshim ka qenë dhe është në qendër të vëmendjes së qeverisë shqiptare, por veçanërisht veprimtaria jonë pasqyrohet në sytë e publikut.

 

Prandaj theksoj se vlerësimi i jashtëm i organizatës është mjaft i rëndësishëm, e njëkohësisht me një domethënie të vecantë edhe për ne, sidomos kur ky proces realizohet në mënyrë të pavarur, nga organizma kaq prestigjozë.

 

Gjatë viteve 2023 dhe 2024, Policia e Shtetit ka synuar në rritjen e parametrave të sigurisë në përgjithësi, dhe atë në shkolla e komunitet në veçanti.

 

Është kënaqësi për cdo anëtar të organizatës sonë, të shohim që publiku e vlerëson sigurinë në Shqipëri, në nivele të larta, 82%, e cila është shumë pranë mesatares së BE-së.

 

Sfidë më vete ka qenë menaxhimi i numrit të shtuar të turistëve në vendin tonë. Më parë kemi thënë sezon turistik, por tashmë jemi përballë “Vitit Turistik”, pasi gjatë gjithë vitit kemi praninë e turistëve në Shqipëri.

 

Janë të shumtë ata që e kanë ndjerë praninë e Policisë si në kohë normale ashtu dhe momente të vështira në terrene të rrezikshme.

 

Kjo lidhet me vlerësimin e publikut, “Sa mirë Policia po i kryen detyrat e veta?”, ku 65% vlerëson se Policia po bën një punë të mirë/shumë të mirë.

 

Nga viti në vit, konstatojmë se besimi i komunitetit tek Policia po rritet. Këtë e shohim në opinionin e publikut në punën parandaluese që bën Policia, qoftë në parandalimin e vjedhjeve, krimet e dhunshme apo shkeljet rrugore.

 

Mbështetur në rezultatet e anketave në vazhdimësi, kemi ndryshuar mënyrën e punës së Policisë Rrugore, me synim parandalimin.

 

Vlerësojmë pajisjen me radarë automatik nga ana e Programit Suedez për Policinë Rrugore.

 

Policia këto vite, është më e lidhur me njerëzit, ajo është pjesë e këtij komuniteti, dhe komuniteti e sheh veten si faktor i rëndësishëm në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

 

Në vlerësimin e kënaqësisë së publikut me punën e Policisë, gjithmonë kemi thënë që “kemi bërë detyrën“, por sinqerisht unë falënderoj punonjësit e Policisë që janë çdo ditë në kontakt me komunitetin, për punën profesionale dhe përkushtimin që tregojnë në detyrë ditë pas dite.

 

Nga anketimi rezulton që 64% e publikut do ishte i gatshëm të njoftonte Policinë në rast të një shkeljeje.

 

Megjithëse ky trend është në rritje, ne synojmë që dhe 34% e publikut që është hezitues për bashkëpunim, të jetë pjesë e përpjekjes për rritjen e sigurisë në komunitet.

 

Lidhur me gjetjet që kanë të bëjnë me performancën e punonjësve të Policisë të të gjitha niveleve, ne kemi bazë ligjore e procedura të plota, por synojmë që zbatimi i tyre të jetë më i lartë në përqindje, duke ulur aktet korruptive dhe konfliktin e interesit.

 

Perceptimi i korrupsionit është ulur nga 74%, në vitin 2013, në 53% në vitin 2024, këtu vlen të përmendet si faktor pozitiv ndikimi i ngritjes së pagave për punonjësit e Policisë, si dhe shumë iniciativa të qeverisë për rritjen e trajtimit financiar të tyre.

 

Rezultatet e këtij anketimi do të jenë pjesë e strategjive dhe programeve të punës së Policisë së Shtetit.

 

Në përfundim, falënderoj partnerët për mbështetjen e vazhdueshme për arritjen e objektivave të përbashkët në fushën e sigurisë.

 

Është nder për mua, që përfaqësoj armatën e grave dhe burrave, që mbajnë veshur uniformën e Policisë, te cilët me punën dhe përkushtimin e tyre, kanë bërë realitet, prioritetet e qeverisë, lidhur me rendin dhe sigurinë.

Faleminderit!

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page