Tiranë, Shqipëri | Ndajmë me ju sot një tjetër histori suksesi - historinë e një institucioni që ka qenë shtyllë e fortë e sigurisë dhe besimit në rritje në shoqërinë tonë.
Policia e Shtetit, në dekadën e fundit, ka bërë hapa të mëdhenj drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë.
Si drejtues i Ministrisë së Brendshme, jam krenar të them që së bashku kemi ndërtuar mbi themele të forta, të ardhmen e qëndrueshme dhe të besueshme.
Këto vlera janë bërë parimi udhëheqës i çdo veprimi që ndërmarrim. Nuk janë thjesht fjalë dhe ide, por parime që i kemi zbatuar me përpikëri dhe dedikim.
Në dekadën e fundit, është transformuar perceptimi i publikut dhe fituar besimi i tij.
Kjo nuk ka ndodhur rastësisht, por është rezultat i një pune të palodhur, e cila ka përfshirë:
➡️Modernizimin e Policisë së Shtetit përmes teknologjisë, shërbimeve online;
➡️ Transparencën në çdo vendim, duke siguruar që qytetarët të jenë të informuar dhe të përfshirë;
➡️ Përgjegjësinë ndaj komunitetit, duke dëgjuar shqetësimet dhe duke vepruar për t’i adresuar problematikat që marrim prej tyre;
➡️Bashkëpunimi me qytetarët dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, sepse besojmë se siguria është një detyrë e përbashkët. Madje dhe besimi në rritje tek Policia është edhe frut i rezultateve të institucioneve të reja të drejtësisë.
Duke iu rikthyer sondazhit, rezultatet janë të dukshme.
Sot, 65 % e qytetarëve vlerësojnë punën e Policisë si “Të mirë” ose “Shumë të mirë”.
Koha e reagimit ndaj krimeve është përmirësuar, dhe 67 % e qytetarëve besojnë se trajtohen me respekt. Këto numra nuk janë thjesht statistika - janë pasqyra e besimit të fituar me mund dhe sakrificë.
Por suksesi më i madh është ndryshimi në jetën e përditshme të njerëzve.
82 % e qytetarëve ndihen të sigurt në zonat e tyre të banimit, dhe ky është një tregues që na motivon të ecim përpara.
Një element tjetër që na bën krenar është se Policia e Shtetit Shqiptar po arrin tërësisht standardet e vendeve të Bashkimit Europian 🇪🇺.
Megjithatë, e dimë që ka vend për përmirësim, veçanërisht në aspektin e ndjenjës së sigurisë gjatë natës, ku Ne jemi shumë afër mesatares evropiane. Por ky është vetëm një motivim që të punojmë edhe më fort.
Fakti që vitin e kaluar, Shqipëria🇦🇱 u vizitua nga rreth 12 milionë turistë dhe patëm zero ngjarje kriminale, është edhe një arsye tjetër pse vendi ynë i bukur zgjidhet si destinacion i sigurt për pushime.
Nën markën “Safe Stay in Albania”, Ne tani keni nisur punën për garantimin e një tjetër viti të suksseshëm turistik.
Në kuadër të implementimit të ligjit të ri për Policinë e Shtetit, përmbyllëm një proces tërësisht reformues në nivelin drejtues deri në bazë, të organizatës së Policisë së Shtetit, duke gjeneruar një brez drejtuesish të ri dhe inovator.
Policia e Shtetit shumë shpejt do të implementojë projektin qeveritar “Smart City”, që do të shtrihet në 20 qytetet kryesore të vendit, duke qenë më afër qytetarit nëpërmjet identifikimit të autorëve të ngjarjeve, në kohë reale.
Sfidë e shpejtë është edhe angazhimi i Policisë në garantimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe pa ngjarje të dënueshme.
Megjithatë, ne nuk jemi kënaqur vetëm me këtë. E dimë që ka ende punë për të bërë.
Sfidat si aksidentet rrugore, vjedhjet dhe mashtrimet na kujtojnë që nuk mund të ndalemi së punuari.
Në përditshmërinë time si drejtues që vij nga radhët e Policisë, po konstatoj çdo ditë se besimi nuk jepet, ai fitohet. Ne kemi punuar çdo ditë për ta fituar atë.
Sot, kur shoh qytetarët të ndjehen më të sigurt, kur shoh se 86 % e atyre që janë të njohur me Policimin në Komunitet e vlerësojnë atë pozitivisht, na konfirmon se jemi në rrugën e duhur.
Por, kjo nuk është vetëm meritë e imja apo e institucionit që drejtoj. Kjo është meritë e të gjithëve - e qytetarëve që na kanë besuar, e partnerëve që kanë punuar me ne dhe na besojnë, dhe e ekipeve tona që kanë dhënë gjithçka për të realizuar këtë vizion.
Në përfundim, dua të theksoj një gjë: Një institucion i qëndrueshëm dhe i besueshëm nuk është thjesht një qëllim, është një detyrim.
Jemi këtu për të shërbyer, për të mbrojtur dhe për të ndërtuar një shoqëri ku çdo njeri mund të jetojë me dinjitet dhe paqe.
Faleminderit për besimin tuaj. Le të vazhdojmë të ndërtojmë së bashku një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë, tha ministri Hoxha.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentários