GJERMANIA ARRIN NJË MARRËVESHJE TË RE TË GUXIMSHME PËR EMIGRACIONIN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jan 25, 2024
- 4 min read
Londër, Britania e Madhe | Debati i Gjermanisë mbi migracionin ndonjëherë duket i ndarë nga realiteti.
Niveli i ulët i lindjeve në vend, dhe fuqia punëtore në tkurrje, nënkuptojnë një nevojë urgjente për të importuar fuqi punëtore.
Megjithatë, shumë biseda politike kanë të bëjnë me mënyrën se si të mbahen larg emigrantët.
E djathta kundër imigracionit po rritet në sondazhet e opinionit, madje edhe përndryshe njerëzit liberalë janë gjithnjë e më të prirur të thonë se “lloje të caktuara” emigrantësh janë të huaj për Leitkulturën kombëtare, një koncept i turbullt i gjermanizmit.
Megjithatë, java e kaluar ka parë një kthesë. Në fillim të këtij muaji, media gjermane ekspozoi procedurat e një konklave private të politikanëve të së djathtës në një hotel luksoz, pranë Berlinit ,në nëntor, ku pjesëmarrësit diskutuan për dëbimin e miliona të huajve.
Ai skandal zgjoi të majtën e fjetur, e cila, ka organizuar një sërë demonstratash të mëdha “antifashiste” në qytete anembanë vendit, duke numëruar mbi një milion njerëz gjatë një fundjave protestash në shumë qytete në 20-21 janar 2024.
Ndërkohë, koalicioni qeverisës i qendrës së majtë, i përbërë nga socialdemokratët, të gjelbërt dhe demokratët e lirë liberalë, ka injektuar një sens të mirë në debatin e imigracionit.
Më 18 dhe 19 janar 2024 miratoi dy projektligje për imigracionin në Bundestag.
E para, e këndshme për konservatorët, do ta bëjë më të lehtë dëbimin e azilkërkuesve me raste të dyshimta, numri i të cilëve është rritur që nga fundi i pandemisë.
Ligji i dytë, më domethënës, do ta bëjë më të lehtë për emigrantët legjitimë që të fitojnë shtetësinë gjermane.
Arsyet për ligjin e fundit janë të qarta, megjithëse media gjermane i ka kushtuar çuditërisht pak hapësirë diskutimit të tyre.
Një numër i jashtëzakonshëm 13.4 milionë, nga 84 milionë banorët e Gjermanisë, nuk kanë shtetësi.
Më shumë se 5 milion prej tyre kanë jetuar në vend më shumë se dhjetë vjet.
Në disa qytete përqindja është shumë më e lartë: 45% e popullsisë së Ofenbakut (Offenbach), një satelit i madh i Frankfurtit, janë të huaj, si dhe një e treta e Mynihut, dhe një e katërta e Berlinit.
Ky numër është rritur me shpejtësi në dekadën e fundit, pjesërisht për shkak se kanë ardhur më shumë emigrantë, por, edhe sepse Gjermania, nuk ka arritur të natyralizojë ata që janë tashmë këtu.
“Norma e natyralizimit” të Gjermanisë - përqindja e të huajve rezidentë që u jepet shtetësia çdo vit - ishte vetëm 1.2% në vitin 2021, shumë prapa mesatares europiane prej 2.2%.
Suedia doli shumë më mirë me 10%.
Numri i natyralizuar nga Gjermania u rrit nga 130000 në vitin 2021, në 168000 në vitin 2022, më i larti në dy dekada.
Por numri i prapambetur ende u rrit, për shkak të një sërë pengesash: kufizime për shtetësinë e dyfishtë, kërkesat për qëndrim të gjatë, teste të vështira për të vërtetuar aftësitë gjuhësore, dhe punësim fitimprurës, dhe një burokraci të bllokuar.
Mesatarisht, emigrantët turq që marrin nënshtetësinë gjermane kanë qenë tashmë në vend për 24 vjet.
Nuk është çudi që gati gjysma e 3 milionë emigrantëve gjermanë me prejardhje turke - grupi më i madh i imigrantëve - mbeten joshtetas.
Rasti i tyre është i veçantë. Në mesin e qindra mijëra Gastarbeiter (punëtorëve mysafirë) turq që mbërritën në vitet 1960 dhe 1970, shumë supozuan se do të ktheheshin në Turqi, dhe kështu nuk aplikuan për t'u bërë gjermanë.
Megjithatë, me ekspertët e djathtë që tundin gishtat për dështimin e pretenduar të emigrantëve turq për t'u integruar, dështimi i Gjermanisë për t'i mirëpritur ata meritonte gjithashtu një shqyrtim.
Ligji i ri duhet të ndihmojë në trajtimin e ngecjes së shtetësisë. Ai shkurton kërkesën e qëndrimit për shumicën e aplikantëve nga tetë në pesë vjet, gjë që është në përputhje me vendet e tjera që konkurrojnë me Gjermaninë, për të tërhequr talente, si Franca dhe Amerika.
Në raste të veçanta, pritja tani mund të jetë deri në tre vjet. Fëmijët që kanë lindur në Gjermani, me të paktën një prind, që ka jetuar në Gjermani për pesë vjet, do të bëhen automatikisht shtetas.
Në përgjithësi, shtetësia e dyfishtë lejohet.
Qytetarët e rinj do të duhet të premtojnë se do të mbështesin liritë demokratike dhe të pranojnë “përgjegjësinë e veçantë historike” të Gjermanisë për nazizmin, dhe nevojën për të mbrojtur jetën e hebrenjve.
Rreth 5 milionë jogjermanë rezidentë janë qytetarë të BE-së, të cilët, tashmë gëzojnë pothuajse të gjitha të drejtat e vendasve, dhe kështu mund të mos shohin nevojën për të shtuar një kombësi tjetër.
Nga 8 milionë të huajt e mbetur, duke përfshirë rreth 1 milion refugjatë ukrainas, është e paqartë se sa do të nxitojnë tani për të marrë një pasaportë gjermane.
Është gjithashtu e paqartë, se sa aftësisht do t'u përshtatet rregullave të reja burokracia e pamjaftueshme dhe e pafinancuar që trajton natyralizimin, pjesa më e madhe e menaxhuar nga qeveritë vendore.
Disa vlerësime sugjerojnë se 2 milionë ose më shumë gjermanë mund të shtohen në listat zgjedhore në vitet e ardhshme.
Ndoshta nuk do të ketë mjaft prej tyre për të ndikuar fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme kombëtare, në vjeshtën e vitit 2025.
Megjithatë, partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë e sulmoi ligjin e ri si një “grusht shteti nëpërmjet një ristrukturimi të detyruar të demografisë së votuesve.”
Për cilindo që votojnë gjermanët e sapoformuar, është e vështirë të argumentohet me dy pika.
Pa emigracionin, popullsia e Gjermanisë do të ishte tashmë në rënie të madhe, dhe ekonomia e saj në rrezik.
Dhe nëse gjermanët nuk arrijnë t'i bëjnë emigrantët të mirëpritur, ata rrezikojnë të krijojnë pikërisht atë që e djathta e fortë ka frikë: një grup të madh alienësh të padrejtë, dhe të pakënaqur, në mesin e tyre.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments