top of page
E BARDHË SHIRIT.png

GJKKO: “ARREST NË BURG” PËR SAFET BAJRIN; BEHAR BAJRIN; ASTMER BILALIN | AKUZOHEN SE KANË GISHT NË VRASJEN E FATBARDH LICIT PËR MOTIVE HAKMARRJEJE PËR VRASJEN E BORAN BËRÇANËS DHE SILVI NDOCIT.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Feb 24
  • 4 min read

Tiranë, Shqipëri | Gjykata e Posaçme (GjKKO) la në fuqi masën e sigurimit vetjak “arrest me burg” për:

1- Z. Safet Bajri.

2- Z. Behar Bajri.

3- Z. Astmer Bilali.

 

Z. Safet Bajri u arrestua ditën e premte në Shkodër, por, më pas u transferua në Tiranë.

 

Ata akuzohen për vrasjen e z. Fatbardh Lici, ngjarje kriminale e ndodhur në muajin gusht të vitit 2018 në Shkodër.

 

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), tre të dyshuarit dyshohet se ekzekutuan të afërmin e kundërshtarit të tyre, z. Ibrahim Lici, si një akt hakmarrje për vrasjen e mikut të tyre ish-policit, Boran Bërcana, i cili, u vra me armë zjarri brenda në automjetin e tij, së bashku me bashkëjetuesen e tij, znj. Silvi Ndoci.

 

Autoritetet e hetimit penal kishin dyshime të arsyeshme se ngjarja kriminale lidhej me konfliktet mes fiseve Lici dhe Bajri, por, nuk arritën të siguronin prova materiale me karakter kompromentues penal për zbulimin e vrasësve.

 

Z. Safet Bajri është i njohur për policinë dhe autoritetet e hetimit dhe të drejtësisë penale kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Në muajin shtator të vitit 2018 z. Safet Bajri u arrestua në Tiranë me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për disa vepra penale në kuadër të operacionit të koduar “Oaz”.

 

Akuzat penale që i atribuhoeshin ishin ato të:

1- Drejtimit të organizatës kriminale.

2- Vrasje.

3- Trafikim të lëndëve narkotike.

4- Pastrim parash.

5- Fiksimi i basteve sportive.

 

Me z. Bajri u arrestuan edhe dhjetë (10) veta të tjerë. Dy vjet pas arrestimit nuk u provuan akuzat penale dhe aktet proceduriale penale u transferuan në prokurorinë e Shkodrës duke e akuzuar z. Safet Bajri vetëm akuzën penale të fiksimit të basteve sportive.

 

Ai rezultonte në listën e subjekteve kriminalë më të kërkuar nga autoritetet e drejtësisë penale të Mbretërisë së Belgjikës, ku ishte i dënuar me nëntë (9) vjet burg si kreu i një organizate kriminale për trafikun e drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit.

 

Për shkak se autoritetet shqiptare kanë firmosur një marrëveshje me ato belge për sa u takon njohjeve të dënimeve penale, ishte gjykata e Shkodrës që njohu dënimin penal të shqiptuar ndaj z. Bajri nga drejtëisa penale belge.

 

Në muajin mars të vitit 2023 ai u lirua me kusht nga burgu i Fierit pasi kreu 2\3 e dënimit penal.


Njoftim | 👇👇👇


REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

 

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 22.02.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personave nën hetim Behar Brajoviq, Astmer Bilali dhe Safet Rustemi”.

 

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Etleva Deda, bazuar në nenet 228, 229, 230, 232, 238, 244, 246 e 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 22, datë

24.02.2025, vendosi:

 

1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

 

2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 12, datë 17.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Behar Brajoviq, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, në dëm të viktimës F.L, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atij të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

 

3. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues

“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 12, datë 17.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Astmer Bilali, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, në dëm të viktimës F.L, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atij të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

 

4. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 12, datë 17.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Safet Rustemi, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, në dëm të viktimës F.L, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atij të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

 

5. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.

 

6. Ndalohet publikimi i këtij Vendimi, në referim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale.

 

7. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, brënda afatit ligjor.

 

Tiranë, më datë 24.02.2025

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, thuhet në njoftimin zyrtar.

 

Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page