GJKKO-ja URDHËROI SPAK-un QË TË FILLOJË HETIMET PENALE PARAPRAKE PËR ISH-DEPUTETEN OLTA XHAÇKA DHE BASHKËSHORTIN E SAJ INVESTITOR STRATEGJIK ARTAN GAÇI | U KALLËZUAN NGA FREDI BELERI PËR PRONAT.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Apr 1
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Gjykata e Posaçme (GjKKO) urdhëroi Prokurorinë e Posaçme (SPAK) që të pranojë padinë e z. Fredi Beleri për znj. Olta Xhaçka dhe bashkëshortin e saj, z. Artan Gaçi (investitor strategjik).
Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK-un që të regjistrojë procedim penal dhe të marrë nën hetim penal paraprak të lartpërmendurit.
Urdhri i GjKKO-së vjen pas një ankimimi të bërë nga z. Fredi Beleri, i cili, ankimoi në gjykatë vendimin e SPAK-ut për të mos hetuar penalisht çiftin e politikanëve.
Ata u paditën nga z. Beleri për abuzime me pronat në jugun e Shqipërisë.
Gjyqtarja Flora Hajredinaj kumtoi në vendim se SPAK-u duhet të regjistrojë kallëzimin penal ndaj znj. Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, z. Artan Gaçi, për akuzat penale të shpërdorimit të detyrës; falsifikimit të dokumenteve; pastrimit të produkteve të veprës penale të kryer në bashkëpunim.
“Në rastin konkret, Prokuroria e Posaçme duhet të regjistrojë procedim penal dhe të vazhdojë hetimet, mbi parashtrimet në kallëzimin e regjistruar me nr. 81/2023 se ish-Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime në lidhje me falsifikimin e dokumenteve zyrtarë, të cilat, janë përdorur për regjistrimin e një pasurie të paluajtshme në pronësi të subjektit Foto Mëhilli, dhe kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve, konkretisht të familjarëve të të kallëzuarës Olta Xhaçka, e cila në kohën e marrjes së këtyre vendimeve nga Këshilli i Ministrave, ka ushtruar detyrën shtetërore të Ministres së Mbrojtjes në atë kohë, dhe funksionin politik të deputetes.
Shtetasja Olta Xhaçka, me mosveprimet e saj, duke mos deklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor, të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit, nuk i takojnë.
Kjo shtetase, nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj”, thuhet në vendimin e gjyqtares Hajredinaj.
Prokurori i SPAK-ut Olsi Dado dyshohet se ka favorizuar znj. Olta Xhaçka dhe z. Artan Gaçin duke mos i marrë nën përgjegjësi penale.
SPAK-u dërgoi për gjykim penal vetëm ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës, z. Jorgo Goro.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit





Comments