top of page
E BARDHË SHIRIT.png

GJKKO SHQIPTOI DËNIM PENAL ME HEQJE TË PËRJETSHME LIRIE PËR FRAN MARASHIN | U AKUZUA SI PJESËMARRËS NË “MASAKRËN E URËS VAJGURORE”.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Mar 11
  • 6 min read

Tiranë, Shqipëri | Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) shqiptoi dënim penal (më 10 mars të vitit 2025) me heqje të përjetëshme lirie për z. Fran Marashi.

 

Ai u akuzua si i përfshirë në masakrën e Urës Vajgurore, e ndodhur më 17 qershor të vitit 1997.

 

Z. Marashi ka qenë në regjim penintenciar 41 BIS qysh prej 13 dhjetorit të vitit 2024.

 

Gjatë dinamikës së ngjarjes kriminale për të cilën ai u akuzua mbetën të vrarë 4 punonjës të Policisë së Shtetit dhe u plagosën 6 të tjerë.

 

Gjykata e Posaçme e shpalli fajtor z. Marashi për të gjitha akuzat penale që i ishin ngarkuar duke i shqiptuar dënim penal prej 108 vitesh burg + 4 dënime të përjetshme.

 

Njoftim | 1. Me datë 19.09.2023 pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është paraqitur për gjykim çështja penale në ngarkim të të pandehurit Fran Marashi.

 

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Flojera Davidhi, me vendimin Nr. 21, datë 10.03.2025 vendosi:

 

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale “Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”, në formën e pjesëmarrjes në bandë të armatosur, parashikuar nga neni 333 i Kodit Penal (ligji nr.7895 datë 27.01.1995) dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.

 

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, në dëm të viktimës I.B, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Bandës së armatosur”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal (ligji nr.7895 datë 27.01.1995), në lidhje me nenet 28 paragrafët 1, 3 dhe 4 dhe 334 paragrafi 1 i Kodit Penal (ligji nr.7895 datë 27.01.1995) e dënimin e tij me 20 (njëzet) vjet burgim.

 

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, në dëm të viktimës M.K, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Bandës së armatosur”, parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal, në lidhje me nenet 28 paragrafët 1, 3 dhe 4 dhe 334 paragrafi 2 i Kodit Penal (ligji nr.7895 datë 27.01.1995) e dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

 

4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, në dëm të viktimës A.Sh, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Bandës së armatosur”, parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal, në lidhje me nenet 28 paragrafët 1, 3 dhe 4 dhe 334 paragrafi 2 i Kodit Penal (ligji nr.7895 datë 27.01.1995) e dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

 

5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, në dëm të viktimës A.S, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Bandës së armatosur”, parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal, në lidhje me nenet 28 paragrafët 1, 3 dhe 4 dhe 334 paragrafi 2 i Kodit Penal (ligji nr.7895 datë 27.01.1995) e dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

 

6. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale“Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, në dëm të viktimës I.B, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Bandës së armatosur”, parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal, në lidhje me nenin 28 paragrafët 1, 3 dhe 4 të Kodit Penal dhe me nenin 334 paragrafi 2 i Kodit Penal (ligji nr.7895 datë 27.01.1995), e dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

 

7. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale“Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e mbetur në tentativë në dëm të viktimës Th.T, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Bandës së armatosur”, parashikuar nga nenet 79/b dhe 22 i Kodit Penal, në lidhje me nenin 28 paragrafët 1, 3 dhe 4 dhe me nenin 334 paragrafi 2 i Kodit Penal (ligji nr.7895 datë 27.01.1995) e dënimin e tij me 35 (tridhjete e pesë) vjet burgim.

 

8. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale“Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e mbetur në tentativë në dëm të viktimës Y.Dh, parashikuar nga nenet 79/b dhe 22 i Kodit Penal, në lidhje me nenin 28 paragrafët 1, 3 dhe 4 dhe me nenin 334 paragrafi 2 i Kodit Penal (ligji nr.7895 datë 27.01.1995) e dënimin e tij me 35 (tridhjete e pesë) vjet burgim.

 

9. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Marashi për kryerjen e veprës penale“Heqja e paligjshme e lirisë”, në dëm të viktimës K.B, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Bandës së armatosur”, parashikuar nga neni 110 paragrafi 2 i Kodit Penal (ligji nr.7895 datë 27.01.1995), në lidhje me nenin 28 paragrafët 1, 3 dhe 4 të Kodit Penal dhe me nenin 334 pika “I” të Kodit Penal (ligji nr.7895 datë 27.01.1995), e dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.

 

10. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal në bashkim të dënimeve, i pandehuri Fran Marashi, përfundimisht dënohet me një dënim të vetëm me burgim të përjetshëm.

 

11. Vuajtja e dënimit të kryhet nga i pandehuri Fran Marashi në një burg të sigurisë së lartë, në respektim të nenit 16 pika 1, gërma “a” të Ligjit Nr. 81/2020 “PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË PARABURGOSURVE”.

 

12. Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë gjykimit sipas formularit bashkëlidhur t’i ngarkohen të pandehurit Fran Marashi.

 

13. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

 

Historik | Ngjarja kriminale u rigjykua nga GjKKO-ja pas vendimit penal të Gjykatë së Lartë për ta rikthyer dosjen me aktet proceduriale penale në gjykatën e shkallës së parë.

 

Pas një mitingu të subjektit politik partisë Socialiste e Shqipërisë, subjekte të Policisë së Shtetit ktheheshin në Berat me automjetet e tyre, kur ndaj tyre u shti me armë zjarri 150-200 metra larg një banese që njihej rëndom si “Vila e Protoduarëve”.

 

Kumtohet se autoblinda e Policisë së Shtetit uli kapakët dhe u nis në drejtim të sheshit në qendër të qytetit por pa bërë 50-60 metra rrugë u godit me predhë antitank nga “Vila e Protoduarëve”.

 

Dëshmitari okular Lulzim Nexhipi ka thënë se në këtë moment mbi autoblindin e Policisë së Shtetit u hodhën shishe me lëndë djegëse si dhe u pa z. Lek Lorja dhe z. Fran Marashi.

 

Më pas u dëgjuan dy gjuajtje të fuqishme dhe autoblindi mori zjarr duke shkaktuar vdekjen (me djegje) e punonjësve të Policisë së Shtetit:

1- Z. Miltiadh Koçi.

2- Z. Arjan Shemuni.

3- Z. Asllan Selami.

4- Z. Ilia Bano.

 

Të plagosur mbetën punonjësit e Policisë së Shtetit:

1- Z. Thimi Tanku.

2- Z. Ylli Dhamo.

 

Nga të shtënat me armë zjarri mbeti i vdekur edhe një civil (qytetar), konkretisht;

1- Z. Ilir Bani (i cili, kumtohet se gjendej atje rastësisht).

 

Gjatë hetimeve penale u dual në konkluzionin gjyqësor se doras ishin subjekte të lidhur me atë entitet që njihej si “Banda e Protoduarve”.

 

Të dënuar të tjerë për ngjarjen kriminale në fjalë janë:

1- Z. Musa Protoduari, me burgim të përjetshëm.

2- Z. Shkëlqim Protoduari, me burgim të përjetshëm.

3- Znj. Fatbardha Protoduari, me 25 vjet burg.

4- Z. Sokol Ndreu.

5- Z. Gjovalin Ndreu.

6- Z. Preng Miri.

7- Z. Gjelosh Miri.

 

Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit


Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page