Bruksel, Belgjikë | Tre serbë u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e veprimtarit Enver Hadri, në Bruksel, në vitin 1990.
Gjykata e Assizes e Brukselit dënoi me burgim të përjetshëm të mërkurën në mbrëmje tre autorët e vrasjes së veprimtarit të shquar shqiptar, Enver Hadrit.
“Të martën, z. Veselin Vukotiç dhe Andrija Draskoviç u shpallën fajtorë për ekzekutimin e krimit ndërsa z. Bozhidar Spaciç u shpall fajtor për urdhërimin e tij”, raporton enti mediatik “The Brussels Times”.
Z. Enver Hadri, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, u vra në veturën e tij ndërsa ishte ndalur në semaforin e kuq në Saint-Gilles më 25 shkurt të vitit 1990.
Gjyqtarët profesionistë dhe të dymbëdhjetë juristët nuk kanë dhënë asnjë rrethanë lehtësuese për tre të dënuarit, duke i dënuar të gjithë me burgim të përjetshëm, dënimin maksimal.
Më 25 shkurt 1990, rreth orës 16:00, z. Enver Hadri ishte në veturën e tij, ndaloi në semafor të kuq, kur pranë tij u ndal një automjet tjetër.
Nga dritarja e pasagjerit të këtij automjeti u shti me armë zjarri ndaj tij (sipas disa dëshmitarëve). Z. Enver Hadri, atëbotë 49 vjeç u godit nga një plumb në kokë dhe vdiq.
Hetimi, i cili zgjati disa vite, arriti në përfundimin se ishte një atentat politik, i urdhëruar nga shërbimet inteligjente të ish-Jugosllavisë, me ndihmën logjistike të botës së krimit të Beogradit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Commenti