GJYKATA E DURRËSIT: ARREST NË BURG PËR KEVIN STEK-un (STACK); DETYRIM PËR PAGIMIN E 5 MIJË € GARANCI PËR KEIT KANOLLI-n (KEIT CONNOLLY) | AKUZOHEN PËR VJEDHJEN E 41400 €.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Apr 1
- 2 min read

Durrës, Shqipëri | Gjykata e Durrësit shqiptoi masën e sigurimit vetjak arrest në burg për:
1- Z. Kevin Stek (Stack), me moshë 42 vjeç, qytetar irlandez.
Masë sigurimi u shqiptua edhe për:
1- Znjsh. Keit Kanolli (Kate Connolly), qytetare irlandeze.
Ajo do të mbahet në paraburgim deri në depozitimin e një garancie pasurore prej 5000 eurosh (€), të cilën, do të duhet ta paguajë brenda pesë ditëve.
Pas këtij afati, nëse shuma e të hollave nuk do të paguhet, znjsh. Kanolli (Connolly) do të lirohet nga paraburgimi, por, por do të detyrohet të paraqitet pranë Policisë Gjyqësore një herë në dy muaj.
Ata akuzohen për shkelje penale të parashikuar si “Vjedhje”, e kryer në bashkëpunim.
Të sipërcituarit, gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore nuk pranuan se e kishin vjedhur shumën e të hollave.
Vendimi gjyqësor ndaj tyre u shqiptua nga gjyqtarja Suela Xhani.
Para do ditësh, çifti irlandez dorëzoi në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, një shumë prej 41 400 eurosh (€).
Ata deklaruan se shumën e të hollave e kishin gjetur më 26 mars të vitit 2025, rreth orës 15:30, pranë një supermarketi, në Lagjen Nr. 13, në Plazh, në Durrës.
Kamerat e sigurisë zbuluan se deklarimi i tyre nuk ishte i vërtetë, duke ngritur dyshime për përfshirjen e tyre në vjedhje.
Ata ia morën shumën e parave dy të rinjve në plazh, të cilët, e gjetën pasi i ra poseduesit real.
Çifti irlandez, pasi pa skenën e rënies së parave dhe marrjen e tyre nga dy të rinj që i gjetën rastësisht, vendosën të përfitojnë padrejtësisht, duke deklaruar se shuma e të hollave u përkiste atyre.
Të rinjtë ua dorëzuan shumën e të hollave pa bërë rezistencë, duke e besuar alibinë e tyre se ata ishin poseduesit e të hollave.
Në këmbim, në shenjë mirënjohjeje, z. Stek (Stack) i shpërbleu me 500 euro.
Më pas çifti irlandez u largua nga hoteli dhe nga qyteti i Durrësit në drejtim të Shkodrës.
Policia e Durrësit zbuloi lëvizjet e tyre përmes kamerave të sigurisë dhe nëpërmejt GPS-it të automjetit të tyre dhe bashkëpunoi me DVP Shkodër për shoqërimin e tyre në komisariat.
Pas shoqërimit të tyre në Durrës, policia vendore vendosi arrestimin e çiftit irlandez (28.03.2025) me dyshimin se kishin kryer veprën penale të parashikuar si “Vjedhje” - në bashkëpunim.
Gjykata e Durrësit urdhëroi ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit gjyqësor nga Policia Gjyqësore dhe nga Prokuroria e Durrësit.
Dy të arrestuarit e lartpërmendur kanë të drejtë ta ankimojnë masat e sigurimit vetjak në Gjykatën e Apelit të Tiranës brenda kushteve dhe afateve kohore të parashikuara në ligjin shqiptar procedurial penal.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments