top of page
E BARDHË SHIRIT.png
Writer's pictureAgjencia Telegrafike Vox

GJYKATA E LARTË KËTHEU PËR RIGJYKIM NË GJKKO ÇËSHTJEN PENALE NË NGARKIM TË 5 ANËTARËVE TË GRUPIT TË STRUKTURUAR KRIMINAL QË U PËRFSHINË NË SHKELJE PENALE NË LAZARAT | EMRAT 1 PËR 1.

Tiranë, Shqipëri | Pesë anëtarë nga grupi i strukturuar kriminal që e kishin kthyer Lazaratin në vendkultivimi droge dhe njëkohësisht rezistenca e armatosur e tyre ndaj strukturave të Policisë së Shtetit, në ndërhyrjen e parë të saj në fshatin e hashashit, në muajin qershor të vitit 2014, bash një vit pasi subjekti politik Partia Socialiste e Shqipërisë erdhi në pushtet, do të rigjykohen nga e Para në Gjykatën e Posaçme.

 

Vendimi u mor në dhomë Këshillimi nga Gjykata e Lartë më 18 dhjetor 2024.

 

Trupa gjykuese përbëhej nga Vojsava Kola, Margarita Buhali dhe Enton Dhimitri.

 

Pritet që me zbardhjen e vendimit të mësohen edhe arsyet apo shkeljet procedurale që mund të jenë zbuluar nga vendimet e mëparshme të drejtësisë për atë që u konsiderua grupi i zjarrit në Lazarat.

 

Prishjen e vendimit Nr. 42, datë 21.05.2019 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në vendim.

 

Z. Arbjon Aliko, vëllezërit Gurgaz dhe Enrik Skënderi, z. Alfred Proko dhe z. Beqo Brahimaj, 5 nga të pandehurit që kundërshtuan me armë punonjësit e policisë, u dënuan nga Gjykata e Krimeve te Rënda në atë kohë, me 52 vite burg në total nga 57 që kërkoi prokuroria.

 

Avokatët kundërshtuan duke kërkuar pafajësi, por i njëjti vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.

 

Sërish me pretendimet për pafajësinë e 5 të pandehurve, avokatët bënë rekurs, por supriza në Gjykatën e Lartë ishte vendimi për të kthyer çështjen në pikën zero, me rigjykimin e saj për herë të parë në Gjykatën e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

 

Si epiqendër e rezistencës prej orësh në 2014-ën u bë magazina e z. Gate Mahmutaj, e cila, për nga pozicioni ishte dominante në raport me lëvizjet e Policisë së Shtetit, ndërsa një pjesë e grupit u futën edhe në brendësi të fshatit duke zënë pozicione të ndryshme zjarri.

 

I konsideruar koka organizatore e grupit të zjarrit, z. Gate Mahmutaj ndërroi jetë në vitin 2021 pas disa vitesh qëndrimi në burg. Ai ishte dënuar me 18 vjet heqje lirie.

 

Grupi në rigjykim janë të vetmit në mesin e  të pandehurve që nuk kanë pranuar të kenë lidhje me kultivimin e drogës në Lazarat dhe goditjen me armë ndaj uniformave blu.

 

Një vit pas ndërhyrjes së parë në fshatin e drogës, policia zhvilloi një aksion të dytë në vitin 2015 ku nga përplasja e armatosur u vra efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha.

 

Edhe kjo çështje e konsideruar Lazarati 2, përfundoi deri në Gjykatën e Lartë, me kërkesën e të dënuarit Ruhan Hiraj për rishikim të dënimit penal, por trupa gjykuese la në fuqi vendimin e Apelit.

 

Ish-Gjykata e Krimeve të Rënda shqiptoi këto dënime penale për të akuzuarit:

1- Arbjon Aliko, 13 vjet heqje lirie.

2- Z. Gurgaz Skënderi, 11 vjet heqje lirie.

3- Z. Enrik Skënderi, 10 vjet heqje lirie.

4- Z. Alfred Proko, 10 vjet heqje lirie.

5- Z. Beqo Brahimi, 8 vjet heqje lirie.

 

Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page