GJYKATA E LARTË NJOFTOI HAPJEN E PROCEDURËS PËR ZGJEDHJEN NGA GJYKATA E LARTË TË ANËTARIT TË RI TË GJYKATËS KUSHTETUESE ME MANDAT TË PLOTË 9-VJEÇAR.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Dec 11, 2024
- 4 min read

Tiranë, Shqipëri | Në Shqipëri, Gjykata e Lartë njoftoi sot hapjen e procedurës për zgjedhjen nga Gjykata e Lartë të anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese me mandat të plotë 9-vjeçar, i cili duhet të zëvendësojë kryetaren aktuale të kësaj gjykate, Holta Zaçajn.
Vendimi i Gjykatës së Lartë, vjen një ditë pasi znj. Zaçaj, bëri të ditur botërisht se mandati i saj nuk përfundonte më 10 mars të vitit 2025, duke anashkaluar në këtë mënyrë mbledhjen e trupës së anëtarëve për deklarimin e e përfundimit të ushtrimit të detyrës dhe njoftimin për këtë të Gjykatës së Lartë, si organ i emërtesës.
Komunikimet zyrtare zbulojnë se znj. Zaçaj ka qenë në dijeni të plotë se mandati i saj përfundon zyrtarisht në 10 mars të vitit të ardhshëm, në ndryshim nga qëndrimi publik i mbajtur prej saj.
Znj. Zaçaj u emërua si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në muajin janar të viti 2023, duke pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, mandati i së cilës kishte përfunduar në 10 mars të vitit 2017.
Emërimi i saj, përfshihej në skemën e parashikuar në dispozitat kalimtare të Kushtetutës, të reflektuara dhe në Ligjin për organizmin e Gjykatës Kushtetuese, e cila, garantonte ripërtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet, me nga tre anëtarë.
Pikërisht për zbatimin e ciklit të ripërtëritjes, mandati pasues i znj. Vitore Tusha u kufizua në 8 vjet, në mënyrë që së bashku me mandatet pasuese të ish-anëtarëve Sokol Berberi dhe Vladimi Kristo (të përfunduara në vitin 2016), të krijohej grupi i tre anëtarëve, nga një për secilin organ emërtese, që do zëvendësohen në vitin 2025.
“Një zgjidhje e tillë konfirmoi përtëritjen e Gjykatës Kushtetuese si një detyrim kushtetues që prevalon ndaj kohëzgjatjes 9 vjeçare të mandatit të gjyqtarit”, nënvizon Gjykata e Lartë, në njoftimin e sotëm për shpalljen e vakancës, të firmosur nga kryetari i saj, z. Sokol Sadushi.
Znj. Zaçaj, bëri një lëvizje të papritur dje, ndërsa injoroi kuadrin ligjor, sipas të cilit, ajo ishte zgjedhur, duke e interpretuar vetë, përfundimin e mandatit të saj, jo më 10 mars të vitit 2025, por bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025.
Ndonëse ajo nuk i referohet asnjë baze ligjore për këtë përllogaritje, si argument për mosnjohjen e 10 marsit 2025, ajo përmendi faktin se sipas saj as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre.
Por e vërteta duket se qëndron tërësisht ndryshe.
Njoftimi i sotëm i Gjykatës së Lartë, zbulon në fakt se kjo gjykatë, kur ka shpallur dy herë vakancën për mandatin pasues të znj. Tusha, ka përcaktuar dhe kohën e përfundimit.
“Në njoftimin e Gjykatës së Lartë të datës 3.06.2021 është përcaktuar se shpallja e vendeve vakante për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese bëhet si më poshtë:
1. Në vendin vakant që krijohet pas largimit të znj. Vitore Tusha (mandati i plotë 9 vjeçar ka mbaruar në vitin 2017), zgjidhet gjyqtari i ri, i cili, qëndron në detyrë deri në mars të vitit 2025”.
Për shkak të numrit të kufizuar të aplikantëve, edhe në njoftimin e datës 31.01.2022 të ribërë nga Gjykata e Lartë për plotësimin e vendit vakant pas largimit të znj. Vitore Tusha, është përcaktuar shprehimisht: “…Kryetari i Gjykatës së Lartë rishpall thirrjen për plotësimin e vendit vakant të krijuar nga mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, për pjesën e mbetur të mandatit 9 vjeçar, që përfundon në muajin mars 2025”, bën të ditur komunikimi i sotëm i Gjykatës së Lartë.
Për tepër që sipas shkresave zyrtare vetë znj. Holta Zaçaj, në dy kërkesat për shqyrtim aplikimi, që i ka drejtuar Gjykatës së Lartë dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në datat 25.02.2022 dhe 30.11.2022, ka shprehur vullnetin e saj për zgjedhjen në mandatin e mbetur të mandatit 9 (nëntë) vjeçar, që përfundon në muajin mars 2025 të znj. Vitore Tusha, saktëson Gjykata e Lartë.
Këto fakte e rëndojmë edhe më tepër pozitën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, pasi rezulton të ketë ofruar të dhëna të rreme për publikun, e madje bazuar mbi to ajo i është drejtuar dhe Komisionit të Venecias, pa u konsultuar më parë as me trupën e anëtarëve të Gjykatës.
Nga ana tjetër, duke përdorur si argumenta të dhëna që nuk qëndrojnë, znj. Zaçaj ka anashkaluar vetë kushtetutën dhe ligjin, me mos deklarimin e përfundimit të mandatit të saj, duke krijuar në këtë mënyrë dhe një krizë artificiale dhe një përplasje të panevojshme me Gjykatën e Lartë.
Kjo e fundit ka vlerësuar se ndërsa nuk është përmbushur nga Gjykata Kushtetuese as detyrimi për deklarimin e mbarimit të mandatit të znj. Holta Zaçaj, as njoftimi nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese për përfundimin e mandatit të gjyqtarit.
Vetë Gjykata e Lartë si organ emërtese është ngarkuar nga neni 125, pika 1 i Kushtetutës të ushtrojë kompetencën e saj ekskluzive për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, pa u penguar nga asnjë organ tjetër kushtetues.
Gjykata e Lartë vëren se mosvënia në lëvizje e Gjykatës Kushtetuese nga kryetari i saj për të shpallur, jo më vonë se data 10.12.2024, mbarimin e mandatit të znj. Holta Zaçaj, nuk mund të pengojë dhe as të shmangë ushtrimin nga Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të kompetencës kushtetuese për zgjedhjes e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas kryetarit të Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi njoftimi i mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nga kryetari i saj si një akt formal, shërben për të shpallur një vakancë, të përcaktuar qartësisht në të gjithë procedurën e ndjekur nga Gjykata e Lartë, si organ emërtese dhe nuk sjell asnjë pasojë në vlefshmërinë e procedurës që zhvillohet për këtë qëllim dhe se në të kundërt mospërmbushja e detyrimit ligjor nga kryetari i Gjykatës së Lartë për të hapur procedurat për pranimin e aplikimit për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese do të pengonte Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për fillimin e procedurës së verifikimit dhe renditjes së kandidatëve, si dhe në veçanti Gjykatën e Lartë për ushtrimin e pushtetit të saj kushtetues për të plotësuar vakancën e radhës në Gjykatën Kushtetuese.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments