top of page
E BARDHË SHIRIT.png

GJYKATA KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR SHQIPTOI DËNIM PENAL ME KATËR VJET BURG PËR MUHAMET MANOLLARIN | U AKUZUA SE FINANCOI TERRORIZMIN NË SIRI.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 5 days ago
  • 3 min read

Tiranë, Shqipëri | Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) shqiptoi dënim penal me katër vjet heqje lirie për:

1- Z. Muhamet Manollari.

 

Ai u akuzua dhe u gjykua penalisht si subjekt i përfshirë në financim të entiteteve terroriste islamike (Shtetit Islamik).

 

Sipas autoritetet akuzues (Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) z. Mehdi Manollari (me të cilin i pandehuri Muhamet Manollari ka lidhje gjaku - është i biri) është larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë në muajin maj të vitit 2013 për në drejtim të territorit të Sirisë, me qëllim që t’u bashkohej trupave të Shtetit Islamik, i cili, është cilësuar (përcaktuar) si organizatë terroriste nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

 

Në muajin nëntor të vitit 2016 z. Mehdi Manollari u fut në listën kombëtare të personave të përfshirë në qarqet e terrorizmit.

 

Nga hetimet penale paraprake u arrit në konkluzionin se në muajin nëntor të vitit 2018 z. Muhamet Manollari ka transferuar nëpërmjet një institucioni që ofronte shërbime të transfertave monetare shumën prej tetëqind e gjashtëdhjetë e katër (864) eurosh në favor të një qytetari sirian, me qëllim që t’ia dërgonte të atit (z. Mehdi Manollari), i cili, në atë kohë ndodhej në Siri dhe ishte pjesë e trupave luftarake të Shtetit Islamik.

 

Nga të dhënat penale që kanë mbledhur autoritetet e hetimit penal është krijuar bindja e arsyeshme se z. Mehdi Manollari ka mbetur i vrarë në betejat e Shtetit Islamik - rreth vitit 2019.

 

Për të dërguar këtë shumë parash, i pandehuri Muhamet Manollari nuk ka përdorur emrin e tij, por ka përdorur një kartë identiteti në emër të shtetases me iniciale A. N., e cila, e kishte raportuar atë të humbur, disa kohë para ngjarjes, dhe shuma e parave është dërguar jo në mënyrë të drejtpërdrejtë shtetasit Mehdi Manollari (pasi ai ka qenë i listuar si person ndaj të cilit nuk mund të kryheshin transferta), por një personi tjetër të referuar prej tij, shtetasit sirian A.A.S”, thuhet në përmbajtjen e akteve proceduriale penale në ngarkim të z. Muhamet Manollari.

 

Njoftim | 1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale, që i përket procedimit penal nr. 255, të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurit Muhamet Mehdi Manollari, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, parashikuar nga neni 230/ç i Kodit Penal”.

 

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Erjon Bani dhe Elsa Ulliri, me vendimin Nr. 29, datë 15.04.2025 vendosi:


1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Muhamet Mehdi Manollari, për kryerjen e veprës penale “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, parashikuar nga neni 230/ç i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.

 

2. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Muhamet Mehdi Manollari fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi, në momentin që merr formë të prerë, dhe ky dënim të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

 

3. Bazuar në nenin 190 dhe 391 të K.Pr.Penale, deklarimin e falsitetit të aktit konkretisht “Dërgesë Parash-KOPJA E Agjentit”, nr. ****, datë ****, ora ****, me shënimet “DËRGUESI A.N MARRËSI A.A.S”, e Unionit Financiar Tiranë sh.a (dokument i cili ndodhet bashkëngjitur Akt Ekspertimit grafik nr. 2213, datë 29.03.2024), duke urdhëruar fshirjen tërësore të këtij dokumenti me anë të asgjësimit sipas parashikimeve proceduriale.

 

4. Bazuar në nenin 190 dhe 224 të K.Pr.Penale, provat materiale që janë: CD të Përgjimeve sipas procesverbalit datë 21.02.2024, CD të dërguara me shkresat përkatëse nga Kompanitë Celuare, Cd të dërguara nga ana e institucioneve të ndryshme dhe DVD përkatëse, mbetën pjesë e dosjes.

 

5. Shpenzimet hetimore të llogaritura në shumën 12500 (dymbëshjetë mijë e pesëqind) lekë, dhe ato gjyqësore sipas formularit përkatës t’i ngarkohen të pandehurit.

 

6. Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit, thuhet në njoftimin zyrtar.

 

Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page