top of page
E BARDHË SHIRIT.png

HIRËSIA E TIJ JOAN PELUSHI U ZGJODH SOT KRYEPESHKOPI I RI I KISHËS SË RRUGËS SË DREJTË TË MËVETËSUAR (ORTODOKSE AUTOQEFALE) TË SHQIPËRISË.

Writer: Agjencia Telegrafike VoxAgjencia Telegrafike Vox

Tiranë, Shqipëri | Hirësia e Tij Joan Pelushi u zgjodh sot Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

 

Zgjedhja e Kryepeshkopit Joan u bë nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse, pas Liturgjisë Hyjnore të së dielës, që për besimtarët ortodoksë përkon me të dielën e dytë të Kreshmës.

 

Hirësi Joani u prit me një ceremoni të veçantë dhe hyri në Katedralen “Ngjalla e Krishtit”, ndërsa kambanat e saj dhe ato të të gjitha kishave ortodokse në Shqipëri, ranë njëkohësisht në nder të këtij momenti historik.

 

Pas shpalljes së emrit të tij, Kryepeshkopi i ri mbajti një fjalë të shkurtër, që u prit nga dhjetëra besimtarë të pranishëm me duartrokitje dhe thirrjet “i denjë”.

 

Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor, pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time.


Do respektoj traditën e shenjtë dhe do përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e Kishës. I vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësie, i lutem Krishtit të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision.


Me dorën time e nënshkruaj këtë zotim”, deklaroi Hirësi Joan Pelushi.

 

Hirësi Joan Pelushi ka studiuar për disa vite në shkollën teologjike ortodokse të Kryqit të Shenjtë pranë Bostonit në Shtetet e Bashkuara.

 

Ai është diplomuar nga Fakulteti Ortodoks i Teologjisë Kryqi i Nderuar në Amerikë (Holy Cross Orthodox School of Theology, Boston), me gradën “Master of Divinity”.

 

Ai ka studiuar në ShBA-ës falë një burse studimi të themeluar atje nga shqiptarët në Amerikë në kujtim të Fan Nolit.

 

Ai ka shërbyer më parë si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare.

 

Ai do të pasojë në këtë detyrë të lartë Kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili, vdiq në moshën 95-vjeçare, më 25 janar të vitit 2025, në një spital në Athinë.

 

Në testamentin e tij, Kryepeshkopi Anastas shprehu dëshirën që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të ketë në krye një klerik shqiptar.

 

Kisha Autoqefale Shqiptare njoftoi më pas se mes shumë urimesh, edhe Bartholomeu i Konstandinopojës ka uruar Hirësi Joan Pelushin, për zgjedhjen e tij si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.

 

Ai i ka uruar atij shërbim të gjatë.


Patriarku ekumenik uron kryepeshkopin e Shqipërisë. Fortlumturisë së tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Joan.


Fortlumturi vëlla i shenjtë. Sapo morëm në Fanar lajmin e zgjedhjes Tuaj të denjë në Fronin Kryepiskopal të Shqipërisë, nxitojmë t’ju përgëzojmë nga zemra dhe në pritje të Letrave Tuaja të Nderuara Paqësore, qëndrojmë me shumë respekt dhe dashuri në Zotin, duke ju uruar një shërbim të gjatë dhe të shkëlqyer Kryepriftëror! I denjë!  Vëllazërisht, Bartholomeu i Konstandinopojës”, thuhet në njoftim.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit


Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page