top of page
E BARDHË SHIRIT.png

HISTORIA E RE E PUTINIT PËR LUFTËN NË UKRAINË.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Nov 12, 2023
  • 10 min read

Nga Z. Mikahil Zigar (Mikhail Zygar). Moskë, Federata Ruse | Që nga pushtimi i Ukrainës në muajin shkurt, të vitit 2022, Rusia ka ndryshuar historinë që tregon për luftën. Në fillim, presidenti rus Vladimir Putin i shpjegoi publikut rus dhe botës se ai e konsideronte të justifikuar një pushtim të Ukrainës, sepse kishte nevojë për denazifikim të vendit. Presidenti Putin pretendoi se një junta naziste kishte marrë pushtetin në Kiev dhe po terrorizonte njerëzit, veçanërisht ata që flisnin rusisht. Për të shpëtuar Ukrainën, argumentoi ai, trupat ruse ishin dërguar edhe një herë, për të shpëtuar botën nga nazistët. Por, sot, nuk dëgjon shumë për nazistët. Pasi ushtria ruse pësoi një sërë humbjesh në fillim të luftës, Kremlini e rregulloi shpejt propagandën e tij. Nuk ishte më e dobishme të pohohej se Moska po luftonte nazistët ukrainas pasi ushtria ruse dështoi të merrte Kievin. Të mposhturit nga ukrainasit ishte shumë poshtëruese për propagandistët e presidentit Putin. Prandaj, Rusia ndryshoi armikun me të cilin po luftonte: Kremlini filloi të thoshte se Rusia ishte në luftë me NATO-n dhe madje edhe me Shtetet e Bashkuara. Në këtë tregim, lufta në Ukrainë ishte një luftë me prokurë, dhe ukrainasit ishin në duart e mjeshtrave të kukullave jashtë shtetit. Për rusët, kjo ishte një histori e njohur, duke rizgjuar mendësinë tonë të Luftës së Ftohtë, kundrejt tyre. Ndërsa mesazhi ka ndryshuar, po ashtu ka ndryshuar edhe audienca. Presidenti Putin nuk po flet më vetëm me popullin e tij, duke u përpjekur të justifikojë një luftë të konceptuar keq. Sot, ai po konkurron me Perëndimin, për aleatë në të gjithë botën në zhvillim, ku po jehojnë pretendimet e tij për hipokrizi perëndimore. Dhe në javët e fundit, ai ka gjetur materiale të reja për t'u shfrytëzuar: mbështetjen e pakushtëzuar të Shteteve të Bashkuara për Izraelin në luftën e tij në Rripin e Gazës. DENAZIFIKIMI. Kur presidenti Putin shpalli qëllimin e tij për denazifikimin e Ukrainës, nuk ishte hera e parë që ai dhe propagandistët e tij i përshkruanin nacionalistët ukrainas si fashistë. Në vitin 2014, kur një kryengritje popullore detyroi presidentin ukrainas Viktor Janukoviç të largohej nga detyra, presidenti Putin dhe mbështetësit e tij në televizionin rus pretenduan se kishte pasur një grusht shteti të armatosur në Kiev, i nisur nga nacionalistët radikalë. Ishte një gënjeshtër për të qeshur: nëse një junta antikushtetuese kishte marrë pushtetin, pse qeveria e re në Ukrainë zhvilloi zgjedhje demokratike në vitin 2019, dhe si mund të humbiste presidenti aktual, Presidenti Petro Poroshenko, nëse ai ishte një udhëheqës autokratik? Dhe nëse qeveria në Kiev përbëhej nga nazistët, pse kishte një president hebre, të quajtur Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky)? Por presidenti Putin nuk lejon që faktet të pengojnë një histori të mirë. Në vitin 2022, në muajt e parë të luftës, denoncimi i nazistëve ukrainas ishte i detyrueshëm për zyrtarët rusë dhe spikerët e lajmeve. Z. Vladimir Soloviov (Solovyov), një nga propagandistët më të urryer rusë, krijoi një traditë: çdo ditë në kanalin e tij Telegram, ai shtonte “Denazifikimi është i pashmangshëm!”, si fjalia përfundimtare për raportin ditor të ushtrisë ruse, për viktimat në vijën e frontit. Por shpejt u bë e qartë se publiku rus nuk po e blinte këtë mesazh. Më 16 qershor 2022, në një tubim pro-luftës, të organizuar nga autoritetet e Dalnegorsk-ut, një qytet i vogël provincial në lindjen e largët, kryetari i bashkisë, Alexandr Terebilov, u përpoq të citonte presidentin Putini, por u pengua tre herë në fjalën ruse “denazifikim”, në një moment, duke bërë thirrje pa dashje për “denazifikimin e Rusisë”. Ndërsa turma shpërtheu në të qeshura, ai u korrigjua, por ishte tepër vonë: video u bë virale në internet. Kryebashkiaku i tërbuar ka tentuar të ndëshkojë gazetarin që ka postuar videon duke e dërguar në ushtri, por, gazetari ishte larguar nga qyteti para se të kapej. Pas këtij skandali, Kremlini kreu një studim të posaçëm që zbuloi se shumica e rusëve as nuk e kuptonin termin “denazifikim”, dhe as nuk besonin se ai zbatohej për Ukrainën. Studimi zbuloi se shoqëria post-sovjetike është shumë pragmatike, nëse jo cinike. Publiku rus nuk beson se presidenti Putin do të shpëtojë dikë, përfshirë ukrainasit. Propagandistët shpejt pushuan së përdoruri fjalën “denazifikim”. Nga vjeshta e vitit 2022, z. Soloviov (Solovyov), nuk po postonte më sloganin e tij të përditshëm. ÇFARË BUTIZMI! Pështesat e hershme të Moskës në luftë i bindën propagandistët rusë se duhej një armik më i madh, dhe më i besueshëm, për të justifikuar humbjet në fushën e betejës. Në vend që të luftojë vetëm me ukrainasit, Rusia e rishikoi konfliktin si një luftë ndërmjetëse me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara. Rusia gjithashtu ndaloi së foluri për shpëtimin e Ukrainës nga fashistët. Toni i propagandës u ngurtësua: ukrainasit tani ishin tradhtarë, të cilët, prandaj meritonin ndëshkimin, jo dhembshurinë. Ky mesazh u ndërtua mbi një mit tradicional, nga historia perandorake ruse, në të cilin, ukrainasit e tradhtuan vazhdimisht Rusinë, duke komplotuar me armiqtë e Rusisë, dhe duke luftuar për pavarësi. Në prill 2022, z. Timofei Sergeitsev (Timofey Sergeytsev), një ish-këshilltar politik rus në Ukrainë, që tani jeton në Moskë, botoi një artikull duke bërë thirrje për “de-ukrainizim”. Vetë identiteti ukrainas, sipas tij, nuk duhet të ekzistojë më. Megjithatë, objektivi kryesor i propagandës ruse nuk ishte më Ukraina, por, Perëndimi, një kundërshtar më i madh kundër të cilit publiku rus do të mblidhej. Në korrik 2022, z. Dmitri Medvedev (Dmitry Medvedev), ish-presidenti dhe kryeministri rus, i cili, dikur ishte konsideruar pro-perëndimor dhe liberal, shkroi një pjesë emblematike të rrëfenjës (narrativës) së re. Qëllimet e presidentit Putin në Ukrainë do të arriheshin, pretendoi ai, por lufta tashmë kishte zgjidhur një problem tjetër: Rusia po merrej sërish seriozisht – “si dikur Bashkimi Sovjetik”. Ai e krahasoi situatën me një fëmijë që përballet me ngacmuesit e lagjes. Nëse keni dalë jashtë, dhe keni ikur në shtëpi, ju nuk jeni askushi, dhe nuk do të jeni të ftuar askund tjetër”, shkroi z. Medvedev. Por nëse godisni i pari, atëherë shanset për të mbrojtur pozicionin tuaj janë dukshëm më të larta. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që vendi të respektohet dhe të merret parasysh. Ishte një histori zbuluese, sepse z. Medvedev, i cili, u rrit në një familje profesoresh në Leningrad, ka të ngjarë të mos zihej me askënd në lagje si fëmijë. Por presidenti Putin, i cili, u rrit në rrethana shumë më të përulura në të njëjtin qytet, patjetër që u zu. Vlerat e gangsterëve që ai mësoi në fëmijëri - goditi i pari ose bëhu viktimë - ishin depërtuar në fjalimin zyrtar dhe ishin bërë të njohura në mesin e rusëve. Ky shpjegim i ri i luftës në Ukrainë tërhoqi gjithashtu nostalgjinë për Bashkimin Sovjetik, i cili, është i përhapur në brezin e vjetër. Sot, për herë të parë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, autoritetet ruse thonë hapur se po luftojnë Shtetet e Bashkuara. Por, ka një ndryshim thelbësor midis asaj kohe dhe tani. Gjatë viteve sovjetike, propaganda ruse këmbënguli se Bashkimi Sovjetik po luftonte për paqen botërore, dhe se amerikanët ishin luftënxitës. Propagandistët sovjetikë pretendonin se vendi i tyre ishte i drejtë dhe i begatë, ndërsa Perëndimi ishte fajtor për aparteidin, racizmin, dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Sot, propaganda në Rusi është krejtësisht e ndryshme: askush nuk pretendon se njëra palë është më e mirë se tjetra. Thelbi i propagandës ruse është tani “whataboutism” - duke iu përgjigjur çdo kritike, duke treguar keqdashjen e supozuar të palës tjetër - dhe askush nuk e bën këtë më mirë se Margarita Simonian (Simonyan), kryeredaktore e kanalit televiziv RT. Asaj i pëlqen të tregojë historinë se kur ishte 16 vjeçe kaloi një vit si studente shkëmbimi në një shkollë në Hempshaiërin e Ri (New Hampshire), duke jetuar me një familje amerikane. Kjo përvojë e bëri atë skeptike ndaj Shteteve të Bashkuara, dhe mësoi të mos i pëlqente vlerat amerikane, megjithëse, ajo kurrë nuk shtjellon se çfarë ndodhi saktësisht gjatë vitit të saj jashtë vendit, që e bëri të mendonte në këtë mënyrë. Ajo mund të kalojë orë të tëra në televizion, duke thënë se jo vetëm në Rusi nuk ka liri të fjalës, zgjedhje të ndershme, ose një sistem të drejtë gjyqësor. Sipas saj, këto vlera dhe institucione demokratike nuk ekzistojnë askund në botë. Në mendjen e saj, politikanët perëndimorë dinë të mashtrojnë popullsinë e tyre, por në Rusi askush nuk pretendon. Sot, mesazhi që përhapet nga propagandistët rusë është se çdo superfuqi ka të drejtën e dhunës. Për dekada, vetëm amerikanët kishin mundësinë të fillonin luftëra, dhe të pushtonin vende të tjera. Aleatët e presidentit Putin pyesin pse kjo e drejtë nuk duhet të shtrihet në Rusi? Nëse amerikanët mund të pushtonin Irakun në 2003, pse Rusia nuk mund të pushtojë Ukrainën? Ky, argumentojnë ata, është privilegji për të qenë një superfuqi. Çuditërisht, kjo lloj propagande e dytë për Ukrainën ka rezultuar shumë më bindëse se ajo origjinale, gjë që shpjegon pse është ende mesazhi dominues sot. Shumë rusë preferojnë të besojnë se nuk ishte Rusia që sulmoi Ukrainën, por Shtetet e Bashkuara që provokuan konfliktin, dhe tërhoqën të dyja palët në të. ANTIKOLONIALIZMI. Whataboutism-i rus ka fituar tërheqje jo vetëm në shtëpi, por edhe në mbarë botën. Për shumë vende jashtë Perëndimit, lufta në Ukrainë nuk është një prioritet kryesor, dhe ideja se ajo është një luftë kundër hegjemonisë amerikane, ofron leje shtesë për të qëndruar i shkëputur. Për shumë njerëz në jugun global, fakti që presidenti Putini shkatërroi monopolin e Shteteve të Bashkuara mbi dhunën, e bën atë, nëse jo një hero, atëherë të paktën një aleat të situatës. Gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar në Brazil, ndoshta e vetmja pikëpamje e përbashkët midis dy kandidatëve kryesorë - Jair Bolsonaro dhe Luiz Inácio Lula da Silva - ishte vlerësimi i tyre për presidentin Putin. Në muajin shkurt të vitit 2022, kur trupat ruse ishin të grumbulluara në kufijtë e Ukrainës, ish-presidenti Bolsonaro udhëtoi për në Moskë, dhe tha se Brazili ishte në solidaritet me Rusinë. Dhe presidenti aktual i Brazilit Lula, gjatë fushatës së tij, tha për presidentin Zelenski (Zelensky): “Ky djalë është po aq përgjegjës sa Putini për luftën. Në Kinë, Indi, Afrikë, Amerikën Latine, Azinë Juglindore, madje edhe në disa vende evropiane, njerëzit e shohin presidentin Putin si një udhëheqës të fortë, dhe një luftëtar kundër ndikimit amerikan. Për shumë vite, presidenti Putin shmangu pretendimin e mantelit të antiamerikanizmit global, sepse, ai ende kërkonte të bënte marrëveshje me Perëndimin. Por ai ende mbajti marrëdhënie të ngrohta me anti-amerikanistë të ndryshëm famëkeq, si Hugo Çavezi (Chavez) i Venezuelës, dhe Muammar al-Gaddafi i Libisë. Sot, Putini e luan me padurim këtë rol. Në një artikull të botuar në shtator, z. Nikolai Patrushev, një këshilltar i lartë i presidentit Putin, i quajti perëndimorët parazitë. Rendi botëror kolonial me qendër perëndimore - argumentoi ai - po i nënshtrohet një prishjeje përfundimtare. Rusia tani e sheh veten në një betejë në shkallë të gjerë për mendjet dhe zemrat me Shtetet e Bashkuara. Thelbi i propagandës ruse tani është “whataboutism”-i. Vetë presidenti Putin e ka kapur këtë pikëpamje. Më 6 tetor, ai foli për gati katër orë, në Forumin Valdai, një institut me qendër në Moskë. Fjalimi i tij nuk u fokusua në Ukrainën në vetvete, por në konfrontimin më të gjerë me Perëndimin. Duke u kthyer në histori, ai premtoi se epoka e sundimit kolonial nuk do të kthehet. Në një intervistë po atë muaj me televizionin shtetëror kinez, presidenti Putin iu kthye temës. “Vendet koloniale kanë thënë gjithmonë se ata sjellin ndriçim në kolonitë e tyre, se ata janë njerëz të qytetëruar, dhe sjellin përfitimet e qytetërimit për popujt e tjerë, të cilët, konsiderohen njerëz të dorës së dytë”, tha ai. Elita e sotme politike, le të themi në Shtetet e Bashkuara, flet për ekskluzivitetin e saj. Ky është një vazhdimësi e këtij mendimi kolonial. Qasja jonë është krejtësisht e ndryshme. Thirrja ndaj antikolonializmit është e pasur, duke pasur parasysh historinë koloniale të vetë Rusisë. Siberia, për shembull, u kolonizua nga kozakët rusë, shumë kohë përpara se fuqitë e Evropës Perëndimore të kolonizonin Afrikën dhe Azinë. Presidenti Putin preferon ta lërë jashtë këtë të vërtetë të papërshtatshme, megjithatë, duke argumentuar se të gjitha territoret ruse i janë bashkuar gjithmonë vullnetarisht Nënës Rusi. PUTIN HUMANISTI. Kriza e re në Lindjen e Mesme ka forcuar propagandën e Kremlinit. Putini mbushi 71 vjeç më 7 tetor 2023, dhe shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme ishte një dhuratë për të në çdo kuptim. Së pari, lufta në Ukrainë ka të ngjarë të zhduket nga faqet e para të mediave ndërkombëtare, dhe do të duket lokale, kur krahasohet me luftën e Izraelit në Gaza, e cila, ende rrezikon të përshkallëzohet në një luftë rajonale. Nga ana tjetër, konflikti në Lindjen e Mesme i ofron presidentit Putin një mundësi unike për të demonstruar lidershipin e tij në kampin anti-amerikan. Ai as nuk ka nevojë të mbështesë Hamasin hapur; ai vetëm duhet të përsërisë në çdo rast se amerikanët janë fajtorë për gjithçka. Në ditët e para pas sulmit të Hamasit kundër Izraelit, makina e propagandës ruse ndryshoi tonin e saj. Z. Soloviov (Solovyov), një prezantues televiziv nga kanali televiziv shtetëror Rusia 1, është hebre. Disa vite më parë, ai tha në një intervistë për mediat izraelite se nëse do të shpërthente një luftë në Izrael, ai do të fluturonte në vend për të mbrojtur atdheun e tij historik. Sot, z. Soloviov (Solovyov) mund të dëgjohet në televizion duke dënuar politikat e Izraelit. Ndërkohë, znj. Simonian (Simonyan), e cila, zakonisht reagon në entin mediatik Russia Today (RT) me tallje kaustike, ndaj informacioneve për viktimat civile, të bombardimeve ruse në Ukrainë, tashmë po reagon me tmerr, ndaj ngjarjeve të ngjashme në Gaza. Më 17 tetor, pasi një shpërthim tronditi Spitalin Arab al-Ahli në qytetin e Gazës, ajo postoi mendimet e saj në kanalin e saj Telegram, duke u shprehur: “Unë as nuk di çfarë të shkruaj, për një botë, në të cilën, janë ende e pranueshme (dhe e pranuar), ekzekutime të tilla, si ai që ndodhi në Gaza. Çdo ditë e më shumë, bëhet e padurueshme, të jesh bashkëkohës i kësaj bote. Për një kohë të gjatë, vetë presidenti Putin kishte respekt të lartë për Izraelin, dhe gëzonte një marrëdhënie të ngushtë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu (Netanyahu). Dy udhëheqësit kanë botëkuptime të ngjashme dhe metoda politike të ngjashme: asnjëri prej tyre nuk kujdeset shumë për demokracinë. Kjo nuk ka më rëndësi. Presidenti Putin, pavarësisht ndjenjave të tij personale ndaj kryeministrit Netanjahu (Netanyahu), ka kritikuar sulmet ajrore izraelite ndaj objektivave civile, dhe ka shprehur simpati për popullsinë e Gazës. Përdorimi i pajisjeve të rënda në zonat e banuara është një çështje komplekse me pasoja serioze për të gjitha palët - tha ai më 13 tetor 2023 - dhe më e rëndësishmja, viktimat civile, do të jenë absolutisht të papranueshme. Ka pothuajse dy milionë njerëz. Kancelari gjerman Olaf Sholc (Olaf Scholz) e ka quajtur cinik qëndrimin e presidentit Putin për Gazën. Por, janë akuzat e Kremlinit, për hipokrizi perëndimore, që kanë një efekt të fuqishëm në mbarë botën. Nga z. Erton Duka. © Copyright | Agjencia Telegrafike Vox Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page