IDENTITETI DIGJITAL: MINISTRIA E BRENDSHME E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PREZANTOI PROJEKTLIGJIN NË KUVEND | NISMA SJELL PËRFITIME TË MËDHA PËR QYTETARËT DHE BIZNESIN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jan 29
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Zëvendësministri i Brendshëm Andi Mahila prezantoi në Komisionin e Ligjeve p/ligjin për identitetin digjital të shtetasve, duke bërë një panoramë të lehtësive dhe efekteve pozitive që do të sjellë kjo nismë ligjore për qytetarët, bizneset dhe administratën publike.
Kjo nismë ligjore e njohur si “e-ID”, parashikohet të lehtësojë transaksionet online të shtetasve, bizneseve dhe administratës, dhe është në linjë me objektivat e qeverisë për digjitalizimin e shërbimeve.
Duke folur para deputetëve të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zv.ministri Andi Mahila u shpreh se: “Qëllimi i kësaj nisme është për të kontribuar në modernizimin e administratës publike si dhe të lehtësojë aksesin e qytetarëve në shërbimet digjitale.
Kjo ndërhyrje do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, social e institucional të vendit, duke përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët dhe duke rritur konkurrueshmërinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.
“Pajisja me e-ID ka për qëllim përmirësimin dhe standardizimin e mënyrave të identifikimit të qytetarëve në ambientin digjital, ndër të tjera, duke rritur sigurinë dhe besueshmërinë e transaksioneve online”, tha ai.
“Ministria e Brendshme dhe IdentiTek kanë ndërmarrë këtë nismë në përputhje me kuadrin ligjor, pasi aktualisht nuk ekziston asnjë parashikim ligjor që rregullon përdorimin e e-ID.
Në mungesë të këtij kuadri ligjor, identifikimi digjital nuk mund të përdoret si mjet i njohur zyrtarisht për transaksione administrative, publike ose private”, tha ai.
“Implementimi i e-ID sjell përfitime të mëdha në nivel social duke përmirësuar aksesin në shërbime dhe duke rritur sigurinë dhe besimin në ndërveprimet elektronike.
Njëherësh kjo kontribuon në eficiencën dhe transparencën e shërbimeve publike dhe në rritjen e përfitimeve për bizneset duke u mundësuar të operojnë më lehtë dhe më të sigurt në një mjedis gjithnjë e më digjital”, shtoi ai më tej në ligjërimin e tij.
Gjatë këtij prezantimi Zv.ministri Mahila shoqërohej nga Administratorja e Përgjithshme e shoqërisë “IdentiTek”, Freskida Halilaj dhe Drejtoresha e Përgjithshme Rregullatore për Çështjet e Brendshme në MB, Marbona Cuka.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments