ILLËN MASK NJOFTOI SE U ARRIT VENDOSJA E ÇIPIT TË PARË NEURALINK TË IMPLANTUAR NË TRURIN E NJË NJERIU.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jan 30, 2024
- 1 min read
Uashington, Amerikë | Implantimi i parë i një çipi Neuralink në një njeri, u krye të dielën, dhe pacienti “po shërohet”.
Rezultatet fillestare tregojnë zbulim premtues të thumbave të neuroneve.
Kjo u njoftua nga z. Illën Mask (Elon Musk).
Në maj, kompania e z. Mask (Musk) njoftoi se kishte marrë dritën jeshile nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave për të kryer testet e para te njerëzit.
Rekrutimi i vullnetarëve filloi në fund të vitit të kaluar.
Neuralink ka kryer tashmë studime të gjera mbi implantet në kafshë, duke tërhequr kritika nga shumë aktivistë, të cilët, thonë se kompania ka abuzuar me të drejtat e kafshëve, duke shkelur Aktin e Mirëqenies së Kafshëve, ligj që rregullon se si studiuesit mund të trajtojnë dhe eksperimentojnë me kafshë të caktuara.
“Produkti i parë i Neuralink quhet Telepathy, do t'ju lejojë të kontrolloni telefonin ose kompjuterin tuaj dhe përmes këtyre, shumë pajisje të tjera”, kështu e sheh z. Mask (Musk), themeluesi dhe financuesi kryesor i kompanisë Neuralink, të ardhmen e çipit të implantueshëm.
Ai e shkroi këtë në platformën virtuale Iks (X), menjëherë pasi shpalli implantin e parë në një qenie njerëzore.
“Përdorimi fillestar - vazhdoi ai - është për ata që kanë humbur përdorimin e këmbëve të tyre. Imagjinoni nëse Stefën Hoking (Stephen Hawking) mund të kishte komunikuar më shpejt.”
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments