INSTAGRAMI PO TESTON FUNKSIONIN E RI | MUNDËSON NDARJE ME SUBJEKTE SPECIFIKË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Oct 6, 2023
- 1 min read

Uashington, Amerikë | Opsioni i “miqve të ngushtë” në Instagram konsiderohet i çmuar pasi i jep mundësi përdoruesit të ndajë (share) përmbajtje vetëm me njerëzit që zgjedh ai, dhe jo me të gjithë audiencën që e ndjek.
Ky opsion i veçantë krijon kushtet për më shumë privatësi, por, edhe për ndërveprim vetëm me njerëzit që keni zgjedhur t’u kushtoni përmbajtjet tuaja.
Zbulimi i funksionit të ri u bë nga kreu i platformës, Edëm Moseri (Adam Mosseri), i cili, tha në një transmetim të drejtpërdrejtë në Instagram se aktualisht po teston aftësinë për të publikuar historitë (stories) tuaja në shumë lista të ndryshme të miqve tuaj të ngushtë.
Kjo do të thotë, në një kohë të shkurtër do të jeni në gjendje të krijoni lista me njerëz që ju zgjidhni për të parë një histori (story) tuajën specifike.
“Kjo ju jep mundësinë për të ndarë histori me grupe më të vogla njerëzish, dhe më shumë kontroll, se kush i shikon historitë tuaja. Si dikush që përdor shpesh miqtë e ngushtë, jam shumë i emocionuar që mund të krijoj lista shtesë të njerëzve në jetën time”, tha z. Moseri (Mosseri), duke prezantuar funksionin e ri të Instagramit.
Thjesht do të vendosni një “blind” dhe më pas do të jeni në gjendje të zgjidhni se cila listë e njerëzve mund ta shohin atë.
Diçka e tillë mund të jetë e dobishme, por, pa dyshim, ju mund të hutoheni lehtësisht, ndërkohë që duhet të mbani mend, dhe të kontrolloni saktësisht se cilët njerëz keni shtuar në secilën listë, për të shmangur çdo keqkuptim.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Comments