ISH-ANËTARI I BANDËS SË LUSHNJES MAKSIM ÇELA KËRKON MBROJTJE NDËRKOMBËTARE NË BRITANINË E MADHE | PRETENDON SE DUAN TA VRASIN KUNDËRSHTARËT E BOTËS SË KRIMIT.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Apr 1
- 3 min read

Londër, Britani e Madhe | Ish-anëtari i bandës së Aldo Bares (e njohur edhe si Banda e Lushnjes), z. Maksim Çela, me moshë 59 vjeç, apeloi vendimin administrativ të autoriteteve britanike, me anë të cilit, iu kumtua dëbimi nga Britania e Madhe.
Z. Çela pretendon se në Shqipëri i rrezikohet jeta nga kundërshtarët.
Ai kreu 23 vjet burg për vrasjen e oficerit të Policisë Gjyqësore Klenti Bano
Ai u akuzua se tentoi të hidhte bombë një stadium futbolli 12000 vendesh në vitin 2000 në Lushnje.
Ai pretendon se ishte dënuar gabimisht për krimet e tij dhe se përndjekja proceduriale penale ishte e motivuar politikisht.
Home Office ka tjetër mendim për të.
Në vlerësimin e saj ai është terrorist i dhunshëm i cili duhet të dëbohet sa më parë nga Britania e Madhe.
Z. Çela, i cili, ka lindur në Lushnje, u ka deklaruar autoriteteve britanike se ka qenë biznismen dhe se drejtonte një dyqan shitjesh makinash në Gjermani, dhe se ka punuar gjithashtu në një klinikë dentare dhe në një spital.
Fillimisht u burgos me pesë vjet pasi tentativa e tij për të shpërthyer një bombë në një stadium doli në dritë në vitin 2001.
Gjykata britanike dëgjoi se ai u dënua me 25 vjet burg në muajin shtator të 2006 për veprën penale të parashikuar si: “Pjesëmarrje në organizata kriminale”, “Vrasje” (e një oficeri policie) dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.
Ai u lirua në muajin dhjetor të vitit 2022, pasi kishte kryer më shumë se 23 vjet nga dënimi i tij 25-vjeçar.
Në muajin dhjetor të vitit 2022 ai u largua nga Shqipëria për në Spanjë, udhëtoi për në Itali dhe më pas fluturoi për në Mbretërinë e Bashkuar me atë që ai pranoi se ishte një pasaportë false, duke mbërritur në aeroportin Hithrou (Heathrow) në muajin janar të vitit 2023.
Gjatë intervistimit nga Zyra e Brendshme, z. Çela pretendoi se tre grupe kriminale i ishin qepur atij dhe familjes së tij sepse e konsideronin anëtar të “Bandës së Lushnjes”.
Një letër drejtuar Zyrës së Brendshme të shkruar në emër të tij, ai thoshte se anëtarët e bandës rivale do ta ekzekutonin për hakmarrje nëse ai kthehej.
Z. Çela që atëherë ka ndryshuar historinë e tij, deklaruan avokatët e Home Office, duke pretenduar se ai kurrë nuk ishte me të vërtetë një anëtar i bandës, por kishte trilluar.
“Ishte i motivuar politikisht”, tha z.Cela në seancë, përmes një përkthyesi.
“Unë isha thjesht një biznesmen”, shtoi ai.
Ai deklaroi në gjykatë se ishin katër përpjekje për vrasjen e tij gjatë kohës që ishte në burg.
Zyra e Brendshme deklaroi se ai e ka ekzagjeruar kërcënimin nga kundërshtarët e botës së krimit dhe mund të marrë mbrojtje nga autoritetet shqiptare ose të zhvendoset në një zonë tjetër të vendit nëse deportohet.
Përfaqësuesi i Home Office, z. Poll Skinër (Paul Skinner), tha në gjykatë: “Është e vërtetë që je një person që bën dhe thotë gjithçka që do për të arritur atë që do, apo jo? Në të vërtetë, dëshiron të jesh në Mbretërinë e Bashkuar për të qenë me gruan dhe vajzën tënde, dhe je i gatshëm të bësh çfarëdo që është e nevojshme për të qëndruar. Shteti shqiptar po merr masa për të hequr rreziqet që mund të hasë z. Çela”.
Kërkesa për azil e z. Çela u refuzua nga një gjykatës në gjykatën e parë për çështjet e emigracionit, por një kërkesë e veçantë, ku ai deklaronte se jeta e tij kanoset nga kundërshatrët u pranua.
Kërkesa e tij u bazua në Nenin Tre të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, i cili, ndalon “torturën, trajtimin ose dënimin çnjerëzor ose poshtërues”.
Pas një apelimi nga Home Office, një panel gjykatësish e anuluan vendimin, duke gjetur se kishte pasur një gabim ligjor.
Tani po pritet që Gjykata e Nivelit të Lartë të marrë një vendim nëse z. Çela do të mund të qëndrojë ose jo në Mbretërinë e Bashkuar.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments