ITALI: 90 MIJË VAJZA NGA AFRIKA DHE EUROPA LINDORE SHFRYTËZOHEN | TUTORËT FITOJNË 4.5 MILIARDË €.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Oct 21, 2023
- 4 min read

Nga “We World”. Romë, Itali | Raporti i ri “We World”, thekson rritjen në 6 muajt e fundit të vajzave të reja viktima të trafikimit: historitë, të dhënat dhe situatën në Itali. “E dija për rrjetin e prostitucionit në të cilin përfundojnë vajzat nigeriane, por, familja ime dhe unë i besuam një fqinji që më premtoi se do të më lejonte të bëhesha parukiere në Evropë, dhe kështu filloi udhëtimi për në Libi”, thotë ajo, Princesha, një 25-vjeçare.
25 vjeçarja nga Nigeria, e cila, ëndërronte Evropën siç u ndodh shumë vajzave të moshës së saj.
“Aty, megjithatë, gjërat ndryshuan: unë u prostituova për një vit, derisa arrita shumën e nevojshme për të kaluar detin. Kur mbërrita në Itali, jetoja me vajza të tjera, dhe çdo natë më bënin prostitutë. Dhe nëse nuk gjeja klientë, më rrihnin. Më pas, falë një vajze braziliane, arrita të shpëtoja.”
Historia e saj është e ngjashme me atë të shumë grave të tjera, që janë viktima të trafikimit, domethënë rekrutimit, ndalimit ose transferimit me përdorimin e forcës, ose formave të tjera të shtypjes, për qëllime pune, ose shfrytëzimi seksual.
“Kur më vdiq babai, unë dhe nëna ime humbëm gjithçka, dhe prandaj nisa udhëtimin tim për në Evropë. Gjatë udhëtimit tim u përdhunova, dhe më pas mbeta për një vit në Tunizi, ku punova si kujdestare për një grua që ishte ofruar të më ndihmonte, dhe nuk më paguante kurrë”, thotë Natalia (Nathalie), 18-vjeçare, nga Ventimila (Ventimiglia), ku disa herë ajo u përpoq të kontaktonte motrën e saj në Lion, por nuk mundi ta bënte këtë për shkak të refuzimeve.
Në 6 muajt e fundit numri i grave migrante është rritur.
Nga Ventimilia emigrantët tentojnë të kalojnë kufirin francez, por, ndeshen me kontrolle dhe refuzime, për shkak të pezullimit nga qeveria franceze, në vitin 2015, të Traktatit të Shengenit, i cili, rivendosi kontrollet kufitare.
Në gjashtë muajt e fundit është shënuar një feminizim më i madh i ardhjeve, ndryshe nga kur në të kaluarën kishte një prevalencë të emigrantëve meshkuj.
Gratë që vijnë nga Bregu i Fildishtë, për shembull, janë rritur me 100% (nga 600 në 1200 prania në një vit) dhe me mbi 60% nga Guinea.
Kështu raporton raporti i ri “We World”, Inter-Rotte – Tregime të grave dhe familjeve në kufirin Ventimilia.
“Ne kemi nevojë për më shumë burime ad hoc për gratë për të kufizuar trafikimin.”
Prandaj, ka një rritje të mprehtë të numrit të grave të detyruara të ndërpresin udhëtimin e tyre drejt destinacioneve evropiane, dhe të qëndrojnë në Ventimilia, shpesh duke rrezikuar të bien viktimë e rrjeteve kriminale që organizojnë kalime të parregullta kufitare dhe trafik të qenieve njerëzore për qëllime shfrytëzimi, duke i mashtruar me premtimi i një shëlbimi të gjendjes së dikujt pasi të jetë kaluar kufiri italo-francez.
“Rritja është evidente dhe nuk mund të pretendojmë se nuk ka ndodhur asgjë: na duhen më shumë burime të dedikuara për këto gra, në mënyrë që ato të mos bëhen viktima të trafikimit”, komenton Xhakopo Kolomba (Jacopo Colomba), kreu i projektit “WeWorld” në Ventimilia.
“Pas bllokadës së shkaktuar nga pandemia – shton ai – lëvizjet kanë rifilluar dalëngadalë: 2022 regjistroi 33 mijë refuzime në kufi, dhe me shumë mundësi, në fund të vitit 2023 ky prag do të kalohet.”
Çfarë thonë të dhënat?
Trafikimi është një fenomen që është i vështirë për t'u matur, sepse, përgjimi i viktimave të tij, është veçanërisht i ndërlikuar.
Vlerësohet se vetëm 10% e viktimave raportojnë tek autoritetet, përveç faktit se fenomeni ndodh shpesh në rezidenca private, dhe se rekrutimi bëhet shpesh në aplikacione, dhe faqe të errëta të internetit.
Prandaj, të dhënat mund të nënvlerësohen. Në vitin 2021, mbi 50 milionë gra në mbarë botën ishin viktima të trafikimit.
Nga këto, 9 nga 10 janë gra ose vajza që janë përfshirë në rrjete kriminale për qëllime seksuale.
Në Itali, fenomeni prek rreth 90 mijë gra dhe vajza të reja, kryesisht nga Afrika dhe Evropa Lindore, trupat e të cilave, shfrytëzohen për një vlerë prej rreth 4.7 miliardë euro në vit.
“Ndryshe nga fenomeni i trafikimit të emigrantëve – thekson raporti – i cili kufizohet në periudhën kohore të nevojshme për transferimin e personit nga vendi i origjinës në vendin e destinacionit, fenomeni i trafikimit karakterizohet sepse viktima detyrohet të kryejnë punë të përsëritura, ose aktivitete seksuale, dhe zhvillohen për një periudhë afatmesme, dhe afatgjatë.”
Kjo e bën edhe më të ndërlikuar mundësinë e daljes nga rruga e trafikimit.
Në Itali nuk po bëhen përpjekje të rëndësishme për ta luftuar fenomenin.
Italia, duke qenë veçanërisht e ekspozuar ndaj lëvizjeve migratore, ka një numër të madh grash viktima të trafikimit, për qëllime shfrytëzimi seksual.
Mes viteve 2016 dhe 2020 në Itali ka pasur një rritje të ankesave dhe kallëzimeve për krimin e trafikimit.
Por sidoqoftë – vëren “We World”, monitorimi i përputhshmërisë me Protokollin e Palermos – “Italia nuk po bën përpjekje domethënëse për të parandaluar dhe luftuar trafikimin dhe shfrytëzimin për qëllime seksuale. Kriteret minimale nuk janë përmbushur në disa aspekte, siç janë mangësitë në sistemet e identifikimit të viktimave, që i dekurajojnë ato nga raportimi, dhe se masat e mbrojtjes, nuk janë të tilla që t'i mbrojnë nga pasojat e mundshme kriminale, me të cilat do të përballeshin, për veprimet me të cilat trafikantët i detyrojnë ato të angazhoheshin.”
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments