KA LLOGARITJE QË INTELIGJENCA ARTIFICIALE NUK DO TË JETË NË GJENDJE T’I KRYEJË KURRË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Sep 18, 2023
- 2 min read

Kaliforni, Amerikë | Inteligjenca Artificiale është e aftë të bëjë shumë gjëra, dhe megjithëse mund të përmirësohet me kalimin e kohës, do të ishte gabim të mendohej si një superfuqi e aftë për gjithçka.
Kjo është teza e mbështetur nga profesori i Shkencave Kompjuterike në Universitetin Bokoni (Bocconi), dhe drejtor i masterit në Inteligjencën Artificiale, Luka Trevizian (Luca Trevisan).
Me rastin e leximit inaugurues të Katedrës së Fondacionit Invernizi (Invernizzi) në Shkenca Kompjuterike, më 7 shtatorin e kaluar, z. Trevisan deklaroi për mediat italiane se: “Ne jemi dëshmitarë të përparimit të vazhdueshëm në zhvillimin e algoritmeve që bëjnë gjithnjë e më shumë gjëra, dhe në perspektivë, në vitet e ardhshme shohim gjithnjë e më shumë aplikime, duke filluar nga mjekësia me zhvillimin e terapive të reja, diagnoza të hershme, dhe trajtime të personalizuara, por, ky përparim, mund të na japë përshtypjen se nuk ka kufi për atë që është e mundur me algoritme.”
Realiteti është ndryshe.
Kështu shpjegon z. Trevisan: “Ka gjëra që algoritmet nuk do të jenë në gjendje t'i bëjnë, llogaritje për të cilat nuk mund të zhvillohen algoritme efikase. Një konsideratë që mund të zbatohet, për shembull, për bankingun në shtëpi, dhe në përgjithësi për transaksionet financiare, siguria e të cilave kalon përmes aplikacioneve të bazuara në llogaritje, të cilat, nëse do të ishte e mundur të kryheshin me efikasitet, mund ta linin fushën e hapur ndaj operacioneve të paautorizuara. Për shembull, mund të jetë e mundur të depërtosh në një sistem të sigurt, të imitosh përdoruesin e një shërbimi bankar online që kërkon që të identifikohesh. Është e vërtetë se ka probleme llogaritëse që mund ta lejojnë këtë, por, nuk ka algoritme që mund ta lejojnë këtë në një kohë të arsyeshme: do të duheshin miliarda vjet.”
“Është një çështje kompleksiteti. Në të ardhmen do të ketë algoritme me inteligjencë të ngjashme me tonin, por më të shpejtë. Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar, por, edhe një sistem super-inteligjent i Inteligjencës Artificiale nuk do të jetë në gjendje të kryejë llogaritje që do të cenonin sigurinë”, përfundon ai.
Z. Luka Trevizian (Luca Trevisan) është një studiues me një karrierë të rëndësishme si studiues në Shtetet e Bashkuara, midis universiteteve të Kolumbisë në Nju Jork, dhe Barklei (Berkeley), dhe Stenford (Stanford) në Kaliforni.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Comments