KAMERA MË E MADHE ASTRONOMIKE NË BOTË DO TË VËZHGOJË UNIVERSIN NGA KILI.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Feb 6, 2024
- 3 min read
Santiago, Kili | Me madhësinë e një makine të vogël, dhe me peshë 2.8 tonë, pajisja do të montohet në një teleskop në ndërtim, dhe do të lejojë eksplorimin e qiellit si kurrë më parë, thonë zyrtarët e programit.
Kili verior, një nga pikat më të përshtatshme për vëzhgime astronomike, me malet e tij të thata dhe qiellin e pastër, po përgatitet të mirëpresë kamerën më të madhe astronomike që është ndërtuar ndonjëherë, me shpresën e një ndryshimi revolucionar në studimin e universit.
Me madhësinë e një makine të vogël, dhe me peshë 2.8 tonë, pajisja do të montohet në një teleskop në ndërtim, dhe do të lejojë që qielli të eksplorohet si kurrë më parë, thanë zyrtarët e programit të financuar nga Shtetet e Bashkuara për AFP.
Kjo kamerë masive, e cila, kushtoi rreth 800 milionë $ për t'u ndërtuar, do të fillojë të marrë pamjet e saj të para gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.
Çdo tre ditë ajo do të fotografojë qiellin, duke përsëritur aktin deri në pafundësi.
“Ne do të kalojmë nga studimi i një ylli dhe të gjithë fizikës së thellë të atij ylli në studimin e miliarda yjeve në të njëjtën kohë”, tha z. Bruno Dias, president i Shoqatës Kiliane Astronomike (Sochias).
“Do të jetë një ndryshim paradigme në astronomi”, thotë z. Stjuart Kordër (Stuart Corder), zëvendësdrejtor i NoirLab, qendra kërkimore amerikane që drejton observatorin mbi 2500 metra në Kerro Paçon (Cerro Pachon), 560 km në veri të kryeqytetit Santiago.
Me këtë program, Kili po konsolidon pozicionin e tij në fushën e vëzhgimit astronomik, me një të tretën e teleskopëve më të fuqishëm në planet, të instaluar në tokën e tij, sipas të dhënave të Shoqërisë Kiliane Astronomike.
Kamera LSST (Space-Time Research as a Legacy for Posterity) pritet të ketë të dhëna për njëzet milionë galaktika, 17 miliardë yje, dhe gjashtë milionë objekte hapësinore brenda dhjetë viteve.
Shkencëtarët do të kenë një katalog të përditësuar të pamjeve të sistemit diellor, do të jenë në gjendje të hartojnë Rrugën e Qumështit dhe të avancojnë kërkimin e energjisë dhe materies së errët.
300 TELESKOPË PËR NJË PAMJE.
Pajisja do të ketë një sensor dixhital 3200 megapikselë dhe imazhi i tij do të jetë i barabartë me atë të më shumë se 300 televizorëve të mesëm me definicion të lartë të kombinuar.
Pajisja, e prodhuar në Kaliforni, do të ketë trefishin e kapacitetit të kamerës më të fuqishme të disponueshme sot, Hyper Suprime-Cam japoneze 870 megapikselë.
Ajo gjithashtu do të jetë gjashtë herë më e fuqishme se kamera më e fuqishme e NoirLab sot.
Teleskopi që do ta inkorporojë ka një pasqyrë me diametër 8.4 metra. Është shumë larg teleskopit 40 cm që mbërriti në Kili 60 vjet më parë, kur u instalua observatori i parë ndërkombëtar i vendit në Kerro (Cerro) Tololo në vitet 1960.
“Ai teleskop erdhi këtu në anën e pasme të një mushke sepse nuk kishte rrugë”, shpjegon z. Stefn Hithkout (Stephen Heathcote), drejtor i observatorit Kerro (Cerro) Tololo, që ndodhet rreth 20 km nga Kerro Pançon (Cerro Pachon).
KRYEQYTETI I ASTRONOMISË.
Observatori Vera C. Rubin, i quajtur sipas astronomit amerikan që zbuloi lëndën e errët, e cila, do të mbajë kamerën e madhe, është një nga qendrat kryesore të astronomisë së Kilit.
Kushtet natyrore të zonave të shkretëtirës së pjesës veriore të vendit, midis oqeanit Paqësor dhe kordilerës së Andeve, krijojnë qiejt më të kthjellët në planet, falë mbulesës së dobët të reve dhe klimës së thatë.
Kili është shtëpia e teleskopëve nga më shumë se tridhjetë vende, duke përfshirë disa nga instrumentet më të fuqishme astronomike në botë, si teleskopi hapësinor ALMA, ose teleskopi jashtëzakonisht i madh, instrumenti optik më i fuqishëm i ndërtuar ndonjëherë, i cili, do të vëzhgojë nga viti 2027 distancat të cilat ende nuk janë pushtuar.
Edhe pse vende të tjera si Shtetet e Bashkuara, Australia, Kina dhe Spanja kanë instaluar gjithashtu pajisje të fuqishme vëzhgimi, Kili është i pamposhtur në astronomi, thotë presidenti i Shoqatës Kiliane Astronomike.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments