KINA DO TË PËRDORË MAKINAT ELEKTRIKE PËR TË SPIUNUAR NË TERRITORIN E BRITANISË SË MADHE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Aug 9, 2023
- 6 min read
Shfaqja e Auto Shanghai. Kina pritet të bëhet importuesi më i madh i automjeteve elektrike në Britani. KREDIA : Bloomberg.

Nga z. Uill Hezëll (Will Hazel) dhe Damënik Pena (Dominik Penna). Londër, Britani e Madhe | Makinat elektrike kineze të importuara Mbrtërinë e Bashkuar për të ndihmuar në arritjen e objektivave neto zero do t'i mundësojnë Pekinit të spiunojë qytetarët britanikë, kanë paralajmëruar ministrat e kabinetit qeveritar britanik. Me kompanitë e makinave që përballen me kuota për shitje me emetim zero nga viti i ardhshëm përpara ndalimit të automjetve të reja me benzinë dhe naftë në vitin 2030, Kina parashikohet të dominojë tregun e Mbretërisë së Bashkuar për shkak të aftësisë së saj në ofrimin e makinave elektrike të lira. Megjithatë, burimet në zemër të qeverisë kanë ngritur shqetësime se teknologjia e ngulitur në automjete mund të përdoret për të mbledhur sasi të mëdha informacioni, duke përfshirë të dhënat e vendndodhjes, regjistrimet audio dhe pamjet video, duke qenë gjithashtu e ndjeshme ndaj ndërhyrjeve në distancë dhe madje edhe të çaktivizuara. Ndërkohë, një grup deputetësh ndërpartiakë paralajmëruan qeverinë se Britania është e gatshme t'i dorëzojë Pekinit kontrollin e “infrastrukturës kritike” të tregut të saj të makinave :me të gjitha rreziqet e sigurisë.” Vjen pasi zero neto është shfaqur si një fushë beteje kryesore midis Konservatorëve dhe Laburistëve, me disa deputetë konservatorë që i kërkuan z. Rishi Sunak që të marrë një qasje më të kujdesshme për arritjen e objektivit të përgjithshëm 2050. Me daljen e Kinës si një forcë globale në automjetet elektrike me bateri, perspektiva e një vërshimi makinash nga vendi në fjalë, që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar, tani ka ngritur frikën rreth implikimeve të sigurisë. Një burim i lartë i qeverisë tha për gazetën britanike Telegraf (The Telegraph), se: “Nëse prodhohet në një vend si Kina, sa i sigurt mund të jeni se nuk do të jetë një mjet për mbledhjen e informacionit dhe të dhënave? Nëse keni automjete elektrike të prodhuara nga vende që tashmë po përdorin teknologjinë për të spiunuar, pse nuk do të bënin të njëjtën gjë këtu?” “Ato janë produkte me rrezik të lartë. Ne e dimë se Kina mendon gjithmonë në terma shumë të gjatë. Pra, nëse ata do të ofronin një produkt, që mund të bënte më shumë sesa thjesht të jepte dëshirën e konsumatorit për të shkuar nga pika A në pikën B, pse nuk do ta bënin atë?” Burimi shtoi: “Do të përdoret me të gjitha të dhënat që ata mbledhin, dhe kështu bëhet tepër e vlefshme, dhe mjaft e rrezikshme.” Një ministër tha se ata ndanë shqetësimet për mbikëqyrjen, dhe ndërhyrjen në distancë. “Kjo është bota në të cilën po shkojmë”, thanë ata. Në vitin 2020, qeveria e ndaloi firmën kineze Huawei nga rrjetet 5G të Mbretërisë së Bashkuar, me një afat kohor për të hequr të gjithë kompletin ekzistues të kompanisë deri në fund të vitit 2027. Dama Priti Patel, ish- sekretarja e brendshme, tha se mbikëqyrja kineze në makina ishte një kërcënim i ngjashëm. “Këto janë rreziqe realiste”, tha ajo. “Gjithçka që duhet të bëjmë është të shohim se si qeveria e lidhi veten me gjëra të tilla si 5G.” Shqetësimet janë përkeqësuar nga depërtimi i shpejtë i makinave kineze në tregun e Mbretërisë së Bashkuar. Duke folur me deputetët muajin e kaluar, z. Kris Stark (Chris Stark), shefi ekzekutiv i Komitetit të Ndryshimeve Klimatike, një organ i pavarur këshillimor, tha se ndërsa Gjermania ishte aktualisht furnizuesi më i madh i makinave në MB, “Kina po kalon me shpejtësi në vendin e dytë, dhe tregon çdo shenjë të duke marrë vendin e parë.” Gazeta britanike Telegrafi (The Telegraph) gjithashtu mundi të zbulojë se prodhuesit e makinave me bazë në Mbretërinë e Bashkuar mund të përfundojnë në mënyrë efektive që të subvencionojnë importet e lira kineze, nëse nuk arrijnë të përmbushin objektivat për heqjen graduale të shitjeve të motorëve me benzinë. Sipas propozimeve që po konsultohen për mandatin e një automjeti me emetim zero (ZEV), 22% e shitjeve të makinave të reja të kompanive në vitin 2024 do të duhet të jenë modele me emetim zero, me përqindjen që do të rritet në 80% deri në vitin 2030. Nëse prodhuesit nuk arrijnë të arrijnë objektivin, ata do të duhet ose të paguajnë gjoba ose të marrin “kredi” nga kompanitë që tejkalojnë objektivin, me kompanitë kineze të makinave elektrike dhe Teslas me burim kinez që pritet të përfitojnë veçanërisht. Shqetësimet rreth kërcënimit të sigurisë që lind nga një dominim i mundshëm kinez në tregun e makinave në Mbretërinë e Bashkuar ka të ngjarë të forcojë thirrjet për zbutjen e mandatit të ZEV. Znj. Kemi Beidnok (Kemi Badenoch), Sekretarja e Biznesit, kuptohet se ka ngritur shqetësime me kolegët e kabinetit për ndikimin më të gjerë të politikës. Anëtarët e Mbretërisë së Bashkuar të Aleancës Ndër-Parlamentare për Kinën, një aleancë ndërkombëtare ndërpartiake, kanë paralajmëruar se pa veprime urgjente industria britanike e makinave rrezikon të “nënshkohet deri në pikën e zhdukjes”, nga Kina. Në një deklaratë të nënshkruar nga deputetët konservatorë Sër Aiën Dankën Smith (Sir Iain Duncan Smith), Kreig Mekkinlei (Craig Mackinlay), Tim Lafton (Tim Loughton), dhe Bab Sili (Bob Seely), dhe njëkohësisht nga Serah Çempiçn (Sarah Champion) e Laburistëve, dhe Stjuart MekDounëlld (Stewart McDonald) i SNP-së, grupi tha se Mbretëria e Bashkuar ishte “duke ecur në gjumë”, për të përfunduar në “në mënyrë katastrofike”. “Në vitin 2022, 88% e të gjithë kilometrave të pasagjerëve në Britaninë e Madhe u kryen me makina”, thanë ata. “Është e vështirë të konceptohet një infrastrukturë më kritike për jetën e përditshme në Mbretërinë e Bashkuar, dhe është absolutisht e gabuar të lejohet që kontrolli i një industrie kaq kyçe t'i dorëzohet Pekinit autoritar”, shtuan ata ndër të tjera. Grupi tha se pa veprim, Mbretëria e Bashkuar do të “përmbytej” me makina dhe bateri kineze “me të gjitha rreziqet e sigurisë.” Ata shtuan se qeveria duhej të jepte përgjigje se si Britania do të arrinte zero neto pa qenë “plotësisht e varur nga Kina” dhe të “shpjegonte se çfarë vlerësimi është bërë për rreziqet e sigurisë”, të mbështetjes ndaj vendit. Mbikqyrja në distancë e makinave është e mundur përmes ekzistencës së “moduleve qelizore ose e thënë ndryshe celulare.” Këta komponentë të vegjël shfaqen në një gamë të gjerë pajisjesh moderne, duke përfshirë makinat, matësat inteligjentë, kompjuterët, karikuesit e automjeteve elektrike dhe mallrat e bardha, dhe përdoren për të krijuar lidhje interneti për të transmetuar sasi të mëdha të dhënash rreth mjediseve të tyre. Module të tilla monitorojnë dhe kontrollojnë sistemet e një makine, duke përpunuar përditësimet e softuerit për të përmirësuar funksionimin e automjetit. Megjithatë, ata janë gjithashtu potencialisht të hapur ndaj spiunazhit dhe ndërhyrjeve malinje. Kina dominon tregun global në furnizimin e moduleve, me komponentë nga vendi të përfshirë edhe në produktet e kompanive jo-kineze. Z. Karl Parton (Charles Parton), një bashkëpunëtor i lartë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, tha se Kina mund të përdorë teknologjinë për të nxjerrë “sasi masive të dhënash”, duke dërguar gjithashtu komanda në makina për të “operuar në një mënyrë keqdashëse.” Sipas projektligjit të prokurimit të qeverisë, ministrat mund të ndalojnë kompanitë kineze nga zona të ndjeshme, të tilla si ofrimi i makinave qeveritare. Megjithatë, zoti Parton – një ish-diplomat britanik i cili shpenzoi 22 vjet duke u specializuar në Kinë – tha se modulet celulare nga vendi ende përbënin një rrezik sigurie, nëse ato mbesin në automjetet e qytetarëve britanikë në përgjithësi. “Le të supozojmë se unë blej një makinë me një nga këto module kineze, dhe jam ftuar të mbaj një fjalim në një institucion mbrojtës”, tha ai. “Nëse ajo makinë ka kamera, ata mund të përdorin modulet për të ndezur kamerat dhe për të marrë të dhënat e mia”, shtoi ai. “Në fund të fundit ju duhet të ndaloni çdo modul kinez në çdo automjet dhe do t'ju duhet ta bëni atë shumë shpejt.” Z. Lafton (Loughton) tha se qeveria duhet të konsiderojë të shkojë më tej se tarifa ekzistuese prej 10 për qind për makinat kineze. “Ne do të duhet të shohim nëse do të kemi kontrolle të importit për këto”, tha ai. Një zëdhënës i qeverisë tha: “Ne kurrë nuk do të komprometojmë sigurinë tonë kombëtare, dhe po vazhdojmë të forcojmë infrastrukturën tonë, dhe qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit, për të mbrojtur sigurinë ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar.” “Ne kemi investuar 2 miliardë £ në përshpejtimin e tranzicionit drejt automjeteve elektrike, dhe grantet janë vendosur për më shumë se një dekadë për të mbështetur tranzicionin, dhe për të mbështetur industrinë e makinave elektrike në Mbretërinë e Bashkuar.” “Ne kemi zhvilluar kërkesa për të gjithë prodhuesit e makinave për të zbutur kërcënimet kibernetike në dizajnet e tyre, dhe për të monitoruar rrezikun gjatë jetës së automjeteve të tyre - ne jemi duke eksploruar opsione për t'i bërë këto të detyrueshme për të gjitha makinat, furgonat dhe kamionët e rinj në Britaninë e Madhe.” “Mandati i ZEV është krijuar posaçërisht për të mbështetur prodhuesit ekzistues me tranzicionin e tyre, duke ofruar fleksibilitet në mënyrë që ata të mund të përmbushin objektivat me kalimin e kohës, dhe të shmangin nevojën për të blerë kredi, nga kompanitë jashtë shtetit.” Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Comments