KLIMA: UNICEF DENONCOI SE SMOGU NË EUROPË DHE AZI VRET ÇDO JAVË 90 FOSHNJA TË PORSALINDURA.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Sep 11, 2023
- 2 min read
Updated: Sep 11, 2023

Amerikë, Uashington | Smogu vret 90 të porsalindur në javë. Ky është përfundimi dramatik që doli nga raporti i fundit i publikuar nga Unicef, mbi lidhjen (korrelacionin) midis vdekshmërisë foshnjore, dhe ndotjes së ajrit.
Midis Evropës dhe Azisë Qendrore, më shumë se 5800 fëmijë dhe adoleshentë vdiqën nga shkaqe të lidhura me ndotjen dhe smogun në vitin 2019. Nga këto, 85% vdiqën para ditëlindjes së tyre të parë.
Fëmijët, në fakt, janë fiziologjikisht më të ekspozuar ndaj rreziqeve të ndotjes së ajrit, sesa të rriturit. “Për sa i përket ndotjes së ajrit, mushkëritë më të vogla paguajnë çmimin më të lartë, dhe kjo shkakton dëmtim të shëndetit, dhe zhvillimit të fëmijëve, ndonjëherë duke u kushtuar atyre jetën. Reduktimi i ndotësve të ajrit, dhe ekspozimit të fëmijëve ndaj ajrit toksik është thelbësor për mbrojtjen e shëndetit të tyre, dhe shoqërive të tyre, duke rezultuar në uljen e kostove të kujdesit shëndetësor, përmirësim të mësimit, rritje të produktivitetit dhe një mjedis më të sigurt e më të pastër për të gjithë”, tha znj. Rexhina De Dominikis (Regina De Dominicis), drejtoreshë rajonale e UNICEF-it për Evropën dhe Azia Qendrore.
Rreziqet më të mëdha, në një moshë kaq të re, lidhen me infeksionet akute të frymëmarrjes, si pneumonia.
Frymëmarrja e ajrit të ndotur, shkakton dëmtime afatgjata në mushkëritë e fëmijëve, duke rezultuar në një rrezik të shtuar të astmës, sëmundjeve kronike të frymëmarrjes, dhe atyre kardiovaskulare, përfshirë kancerin.
Për më tepër, smogu mund të çojë në çrregullime neurologjike gjatë stadeve të mëvonëshme të jetës, si rezultat i dëmtimit të hershëm të trurit tek fëmijët.
Propozimi i UNICEF-it për të mbrojtur fëmijët është që qeveritë të krijojnë dhe mirëmbajnë sisteme të monitorimit të cilësisë së ajrit pranë çerdheve dhe shkollave, nga të cilat, të zbulojnë nivele të rrezikshme për fëmijët, dhe gratë shtatzëna.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Comments