
Tiranë, Shqipëri | Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) njoftoi sot lënien në fuqi të vendimit të shkarkimit nga detyra të gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani.
Vendimi u muar me shumicë votash nga trupi gjykues i KPA-së, i kryesuar nga znj. Rezarta Schuetz, me relatore znj. Natasha Mulaj dhe anëtarë z. Sokol Çomo, znj. Albana Shtylla dhe znj. Mimoza Tasi, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të gjyqtares Kapedani.
Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtaren Kapedani më 18 maj të vitit 2022 për probleme në kriterin e pasurisë dhe u konstatua se me veprimet e saj kishte cenuar besimin e publikut tek drejtësia.
Më 17 janar të vitit 2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor e pezulloi gjyqtaren Kapedani nga detyra për 6 muaj, për shkak të një procedimi disiplinor të hapur nga Inspektori i Lartë të Drejtësisë, pas publikimit në rrjetin social virtual TikTok të disa videove.
Znj. Kapedani përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014. Pas një periudhe stazhi në Tiranë, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit, ku ushtroi edhe funksionin e zv/kryetares së gjykatës.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments