top of page
E BARDHË SHIRIT.png

KOMENT NGA KRYEMINISTRI SUEDEZ MBI NATO-n DHE NDRYSHIMIN E POLITIKAVE PENALE KUNDËR TERRORRIT.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • May 31, 2023
  • 3 min read

Z. Ulf Kristersson, kryeministri i Suedisë dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë shtypi në Stokholm, në mars 2023, pas një takimi me liderët e partive suedeze që mbështesin anëtarësimin në NATO. Nga z. Ulf Kristersson*. *Kryeministri i Mbretërisë së Suedisë Me pak më shumë se pesë javë deri në samitin e NATO-s në Vilnius, është koha që të shqyrtohet seriozisht aplikimi i Suedisë për anëtarësim në NATO. Që nga takimi i organizatës vitin e kaluar, 29 aleatë kanë miratuar kërkesën e Suedisë. Turqia dhe Hungaria mbeten për ta bërë. Suedia ka hyrë në një marrëveshje me Turqinë në të cilën lufta kundër terrorizmit është një nga pikat kyçe. Të enjten, në Suedi hyn në fuqi legjislacioni i ri që e bën të paligjshme pjesëmarrjen në një organizatë terroriste, në çdo mënyrë që e promovon, forcon ose e mbështet atë. Në këtë mënyrë, ne po zbatojmë pjesën e fundit të marrëveshjes sonë. Suedia e mbështet plotësisht Turqinë kundër të gjitha kërcënimeve ndaj sigurisë së saj kombëtare, dhe dënon të gjitha organizatat terroriste, përfshirë PKK-në, që kryejnë sulme kundër saj. Terrorizmi është padiskutim një kërcënim shumë serioz për shoqëritë tona. Ai duhet të luftohet duke përdorur të gjitha mjetet në përputhje me shtetin ligjor, dhe demokracinë. Ne po jetojmë në një botë gjithnjë e më të rrezikshme. Krahas aktorëve shtetërorë, terroristët dhe ekstremistët e dhunshëm përbëjnë gjithashtu një kërcënim serioz. Suedia ka qenë nën një kërcënim të shtuar nga terrorizmi që nga viti 2010. Shërbimet tona të sigurisë gjithashtu vërtetuan kohët e fundit se ne jemi bërë një objektiv prioritar për terrorizmin, jo më pak për shkak të djegies së Kuranit, dhe fushatave dezinformuese, mbi shërbimet sociale suedeze, që marrin nën kujdes fëmijët muslimanë. Legjislacioni që tani hyn në fuqi do t'i japë Suedisë mjete të reja dhe të fuqishme për të ndjekur penalisht ata që mbështesin terrorizmin. Kjo përfshin tre elementë. Së pari, legjislacioni mbyll një boshllëk në ligjet tona kundër terrorizmit. Ndryshe nga disa nga fqinjët e saj, Suedia nuk e ka ndaluar më parë pjesëmarrjen në një organizatë terroriste. Kjo do të thoshte se ekzistonte rreziku që ata që nuk ishin të përfshirë drejtpërdrejt në kryerjen e një akti të caktuar terrorist, por që i mbështesnin aktivisht aktivitete të tilla në ndonjë mënyrë tjetër - duke ofruar logjistikë ose administrim, për shembull - mund t'i shmangeshin dënimit. Ky nuk është më rasti. Tani kemi barazi legjislative me fqinjët tanë. Legjislacioni i ri synon gjithashtu individë që mbështesin financiarisht pjesëmarrjen e njerëzve të tjerë në organizatat terroriste, ose që inkurajojnë ose rekrutojnë publikisht të tjerë për t'u bashkuar me organizata të tilla. Për më tepër, ai kriminalizon udhëtimin me qëllim të pjesëmarrjes në aktivitete terroriste jashtë Suedisë. Së dyti, dënimet penale do të jenë të rënda. Dënimi maksimal bazë është katër vjet burg. Për veprat më të rënda, dënimi është minimalisht dy dhe maksimumi tetë vjet burg. Për drejtuesit e organizatave terroriste, dënimi është nga dy vjet deri në përjetësi. Shembuj të akteve të pjesëmarrjes që do të dënohen penalisht përfshijnë trajtimin e pajisjeve, ngritjen e kampeve, organizimin e vendeve të takimit, administrimin e strehimit, sigurimin e kujdesit për fëmijët, organizimin e aktiviteteve, përgatitjen e ushqimit dhe sigurimin e transportit. Financimi i këtyre formave të pjesëmarrjes do të jetë gjithashtu i dënueshëm. Së treti, rregulloret tona të përmirësuara kundër terrorizmit do të jenë të rëndësishme kur bëhet fjalë për bashkëpunimin ndërkombëtar të Suedisë në BE dhe NATO. Çdo vit, ka sulme të shumta terroriste në mbarë botën. Terrorizmi është kthyer në një problem serioz ndërkombëtar, që i teston ashpër ato shoqëri të prekura, dhe kërcënon paqen, dhe sigurinë kudo, si brenda ashtu edhe globalisht. Trajtimi i kërcënimit që paraqet kërkon përpjekje intensive kombëtare dhe ndërkombëtare. Legjislacioni i ri, i përmirësuar i Suedisë, do të lehtësojëbashkëpunimin tonë me Turqinë, si dhe me vendet e tjera të NATO-s dhe BE-së. Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë ishte një pikë kthese historike për sigurinë evropiane dhe globale. Veprimet e Rusisë janë një sulm brutal jo vetëm ndaj Ukrainës, por ndaj ligjit ndërkombëtar dhe parimeve që janë themeli i rendit evropian të sigurisë. Agresioni i Kremlinit ka pasur pasoja përtej luftës në Ukrainë. Ai ka çuar në unitet të fortë në mbështetje të Ukrainës, dhe kundër Rusisë, por edhe në braktisjen e Suedisë për më shumë se 200 vjet të mos-angazhimit ushtarak, dhe aplikimin për t'u bashkuar me NATO-n. Suedia është e gatshme të jetë një aleate aktive dhe besnike dhe të kontribuojë në sigurinë e të gjithë aleancës që nga dita e parë. Ne kemi një mbrojtje të fortë dhe do të kontribuojmë në praninë e zgjeruar të NATO-s në rajonin e Detit Balltik, në Policimin Ajror në Balltik, dhe në operacione të tjera. Në fund të fundit, vetëm Vladimir Putin ka diçka për të fituar nga Suedia që mbetet jashtë NATO-s.

ความคิดเห็น

ได้รับ 0 เต็ม 5 ดาว
ยังไม่มีการให้คะแนน

ให้คะแนน
bottom of page