KOMISIONERJA PËR FQINJËSINË DHE NEGOCIATAT PËR ZGJERIMIN MARTA KOS UROI NË SHQIP QYTETARËT E SHQIPËRISË PËR VENDIMIN E SOTËM PËR HAPJEN E NEGOCIATAVE PËR GRUPKAPITULLIN 6 “MARRËDHËNIET ME JASHTË”.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Dec 18, 2024
- 2 min read

Bruksel, Belgjikë | Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin Marta Kos uroi në shqip qytetarët e Shqipërisë për përkushtimin dhe përfshirjen e të gjitha palëve politike në vend sa i takon negociatave për integrimin në Bashkimin Europian.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama të mbajtur në Bruksel, dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Péter Szijjártó, e cila, mban Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian, komisionerja Kos tha se vendimi i sotëm për hapjen e negociatave për grupkapitullin 6 “Marrëdhëniet me jashtë”, është një sinjal për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më tej, që zgjerimi është prioritet për Bashkimin Europian dhe se Bashkimi Europian është përkushtuar për të marrë rezultate të tjera dhe të mund të plotësojë e përforcojë unionin europian në bazë të ndryshimeve gjeostrategjike që po ndodhin.
Rrugëtimin e deritanishëm të Republikës së Shqipërisë, komisionerja e cilësoi si gur kilometrik, ndërsa vlerësoi edhe angazhimin e Hungarisë, si dhe shprehu besimin se edhe presidenca polake të vazhdojë këto përpjekje në të ardhmen.
Komisionerja Kos theksoi se zgjerimi ka rëndësi edhe gjeostrategjike.
“Ky vendim i sotëm është gjithashtu një sinjal për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më tej, që zgjerimi është prioritet për BE dhe jemi të përkushtuar për të marrë rezultate të tjera dhe të mund të plotësojmë e përforcojmë bashkimin tonë, unionin tonë në bazë të ndryshimeve gjeostrategjike që po ndodhin.
Sot në kontekstin ndërkombëtar hapja e negociatave për grupkapitullin 6 mban një veçanti, ka një rëndësi gjeostrategjike dhe përçon një sinjal gjeostrategjik. Është një njohje e qartë e harmonizimit të Shqipërisë me politikat e Bashkimit Europian, si një partner i qëndrueshëm dhe i vlefshëm”, tha komisionerja Kos.
Sipas saj, temat e marrëdhënieve me jashtë forcojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Bashkimin Europian dhe në kufijtë e Bashkimit Europian, duke qenë si një aktor së bashku me Shqipërinë.
“Për sa i përket veprimit tonë të jashtëm, ne jemi për të mbrojtur interesin tonë dhe duke promovuar të gjitha vlerat e përbashkëta me vendosmëri të lartë”, tha ajo.
“Kam besim në vendosmërinë e Shqipërisë për të punuar fort për këto negociata dhe besojmë se mund të jeni të përkushtuar për të gjitha reformat për këtë proces.
Duke parë konsensusin kombëtar për sa i përket negociatave, përfshirjen jo vetëm të qeverisë, jo vetëm Parlamentin, por edhe shoqërinë civile, çdo individ dhe çdo qytet, negociatat janë siç ju e keni thënë kryeministër, një proces që do të ketë një ndikim pozitiv për shoqërinë e ekonominë, duke sjellë përfitime për qytetarët gjatë procesit. Do të vazhdojmë të ndërtojmë së bashku një të ardhme të përbashkët dhe të lulëzuar. Urime Shqipërisë”, deklaroi komisionerja Kos.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments