KRIMI I ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONI I PUSHTETARËVE KANË ARRITUR NIVELE TË LARTA SOFISTIKIMI | PARATË PO I FSHEHIN NË PARAJSA FISKALE; NUK I MBAJNË MË NËPËR DYSHEQE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Apr 1
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka forcuar radhët për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Është hartuar një strategji pune për periudhën kohore që u korrespondon viteve 2024-2027 ku tregohen synimet dhe objektivat që ka Prokuroria e Posaçme (SPAK) në forcimin e luftës institucionale kundër krimit dhe korrupsionit.
Në dokumentin e nënshkruar nga drejtuesi i Prokurorisë së posaçme (SPAK) Altin Dumani theksohet se korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë arritur një nivel të lartë sofistikimi dhe për këtë arsye SPAK-u duhet të angazhohet më fort.
“Qoftë krimi i organizuar, por dhe korrupsioni i zyrtarëve të lartë kanë një nivel të lartë sofistikimi.
Pas hetimit të një morie çështjesh u vu re se grupet kriminale shqiptare kishin rritur nivelin e bashkëpunimit të tyre me organizatat ndërkombëtare kriminale dhe me vendet e origjinës së prodhimit të drogërave të forta.
Nga ana tjetër, format e pastrimit të parave, të cilat tani kanë filluar të shtrihen edhe në juridiksionet off-shore, e vendosin SPAK përballë vështirësive të ndryshme, qoftë me hetimin e çështjeve, por dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese.
Sfida kryesore mbetet rritja e kapaciteteve në luftën kundër pastrimit të parave, duke pasur parasysh këtu edhe futjen e Shqipërisë në listën ‘gri’ të pastrimit të parave nga Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL në shkurt të vitit 2020.
Ngritja e cilësisë së hetimit financiar bëri që Prokuroria e Posaçme të ishte një ndër institucionet kryesore dhe të luante një rol të rëndësishëm për daljen nga lista gri MONEYVAL e Shqipërisë në tetor 2023, duke rritur numrin e sekuestrimeve dhe konfiskimeve të produkteve të pastrimit të parave, si dhe duke kontribuar në të gjitha raportimet apo grupet e punës të ngritura për këtë qëllim.
Prokuroria e Posaçme është përpjekur që të rrisë dhe kapacitetet infrastrukturore, duke siguruar tashmë një godinë shtesë, e cila është në fazën e mobilimit dhe organizimit të brendshëm të saj”, theksohet në përmbajtjen e dokumentit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Commenti