Tiranë, Shqipëri | Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi shkurtimisht se: “Do t’ju shpjegoj nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës”.
Z. Veliaj mbërriti në Prokurorinë e Posaçme rreth orës 09:00 dhe doli rreth orës 14:00.
Ai u intervistua si person në dijeni në kuadër të hetimit penal paraprak që po zhvillohet ndaj tij për korrupsion pasiv, ndërsa më herët është marrë edhe dëshmia e bashkëshortes së tij, znj. Ajola Xoxa.
Më 6 dhjetor 2024, Prokuroria e Posaçme dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, sekuestruan telefonin e bashkëshortes së tij, znj. Ajola Xoxa.
Z. Veliaj, në reagimin në rrjetet sociale virtuale, u shpreh se mirëpriste çdo hetim ndaj tij, apo familjarëve.
“Hetimi pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap”, tha z. Veliaj.
“Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve”, shkrroi z. Veliaj.
Me vendim të GJKKO-së, më 6 dhjetor 2024 Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë autorizimin dhe kërkonte të kontrollonte telefonin e znj. Ajola Xoxa (bashkëshortes së kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj).
Agjentët e BKH-së shkuan në orët e para të mëngjesit në banesën ku jeton z. Veliaj, pikërisht për të kontrolluar telefonin e bashkëshortes se tij. Nuk pati kontroll të banesës, por zbatim të vendimit të GJKKO-së për të këqyrur telefonin e bashkëshortes së tij.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentários