KRYETARI I PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË SALI BERISHA: LIGJI 7501 ISHTE I PADREJTË; U DIKTUA NGA FAKTI SE 75% E SHQIPTARËVE JETONIN NË FSHAT POR EDHE NGA URREJTJA POPULLORE NDAJ PRONARËVE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Mar 20
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Kryetari i Partisë Demokratike të shqipërisë, Sali Berisha deklaroi sot se është bërë gjithçka që kthimi dhe kompensimi i pronave të pengohet në shkallën më maksimale.
Nga 26 mijë dosje nga viti 2014 deri më sot janë zgjidhur gjithsej 800 dosje, tha ai.
Gjatë paraqitjes pasditen e sotme të programit të koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë madhështore” për pronën, z. Berisha tha se PD-ja bëri shqiptarët pronarë të banesave ku kishin jetuar para viteve 1990, të 224 mijë apartamenteve të ndërtuara në 50 vite.
“Në një mënyrë, ose një tjetër krijoi fermat e vogla në fshat, por prapë ajo hodhi hapa të drejta për kompensimin fizik të pronës dhe filloi ta aplikojë në bashkëpunim me pronarët atë skemë.
Në vitet 2005-2013, nuk u korrigjuan të gjitha ligjet, por shumë nga kufizimet u hoqën. Dhe ajo ç’ka mund të them unë, Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave ktheu faktikisht 106 mijë hektarë tokë, nga të cilat mbi 14 mijë truall, të tjera tokë bujqësore, kullota”, tha z. Berisha.
“Kjo agjenci - shtoi z. Berisha - me një punë efikase arriti të rikthejë qindra e qindra objekte, dhe të dëmshpërblejë financiarisht ish-pronarët me 37 milionë euro.
Agjencia, përveç këtyre, përzgjodhi 71 mijë hektarë tokë publike për të kompensuar pronarët. Pra, krijoi një fond vërtet të fuqishëm për kompensimin e pronarëve për tokat që nuk i kishin më”.
Ai foli edhe për ligjin 7501 për ndarjen e pronave.
“Ligjet e para që miratuam, ishin ligje të diktuara. pasi, sigurisht, një realitet tjetër ekzistonte, i vështirë. Transformimi i Shqipërisë në një rezervat njerëzor e bënte shumë të vështirë rikthimin e menjëhershëm të tokave pronarëve.
Ligji 7501, një ligj i padrejtë ndaj pronës, u diktua së pari nga realiteti ku 75% e shqiptarëve ishin ngujuar në fshat, dhe t’ua hiqje tokën mbeteshin vetëm me qiellin mbuluar, por nuk ka asnjë diskutim që ai përcaktim, ai ligj kishte në bazë dhe psikologjinë e hapur antipronë në qëndrimin ndaj pronarëve”, tha z. Berisha.
“Shqipëria ka çdo mundësi që problemet e trashëguara me pronarët legjitimë dhe me të përndjekurit politikë t’i mbyllë gjatë 4 viteve që vijnë, dhe do t’i mbyllë ato”, tha z. Berisha.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments