KULTURA E RRENSAVE TË KULTURUAR.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Sep 27, 2023
- 6 min read

Nga z. Agron Dalipaj. Tiranë, Shqipëri | Ngacmimi për një shkrim, jo rrallë vjen prej një shkrimi të tjetërkujt, me të cilin nuk dakortësohesh dhe ky shkrim, që po përcjell, vjen si një reagim prej shkrimit të para pak ditëve të prof. Aurel Plasarit me titull: “dëmet e kulturës së rrenave”. Plasari është një penë e spikatur e letrave shqip dhe, sikur është i lindur më ndonjë bibliotekë, shpesh na sjell në vemendje informacione historike të mbështjella me një finesë artistike për t'u admiruar. Nuk ka dyshim, se me veprën e tij shumë dimesionale, Plasari shfaqet si një shqiptar i madh i letrave shqip. Nisur nga “dëmet e kulturës së rrenave”, shkrim në të cilin Plasari ka qëmtuar, le të themi ca pasaktësi në fushën e albanologjisë të dy autorëve të huaj, më erdhi në kujtesë se ka shtete të tëra që qenien e tyre e mbështesin në kulturën e rrenave dhe kanë sjellë përfitime prej kësaj kulture të rrenave. Ka historianë bashkëkohorë të Greqisë dhe enciklopedi serioze të shtetit grek që konfirmojnë se heronjtë e “Revolucionit Grek” ishin të gjithë arvanitë e shqiptarë dhe i gjithë ai revolucion ishte revolucion i arbërorëve. Porse në shkollat e shtetit fqinj u mësohet “revolucioni grek” nxënësve e studentëve. Këtë rrenë e ka pranuar dhe e propogandon edhe albanologjia zyrtare e Tiranës, aq sa ajo duket sikur është ngritur vetëm për të amplifikuar gënjeshtat greke e rrenat serbe e për t'u mbushur mendjen shqiptarëve me “kulturën” e “historinë” e lavdishme “greke” dhe me "autoktoninë" e serbëve në tokat e zaptuara prej shqiptarëve. Kultura e rrenave është ngritur në art e sot emërtohet "shkencë albanologjike" dhe ka institucionet e saj zyrtare si ASh e ASA, aq sa shqiptarëve u thuhet sot zyrtarisht se gjuha e tyre është e huazuar në masën 93% dhe disa mijëra fjalë i kanë marrë nga serbishtja dhe asnjë fjalë nuk ka marrë serbishtja prej shqipes! Ndërsa historianë të sotëm të Athinës deklarojnë se ky qytet para 200 viteve banohej krejtësisht prej shqiptarëve dhe të gjitha qendrat e mëdha arkeologjike të Greqisë së sotme rrethohen ende vetëm me popullsi shqipfolëse, i shumëndrituri prof. Plasari as që shkruan një rresht për këto fakte dhe ka rënë në dakortësi me këtë kulturë rrenash të stërmadhe me përmasa europiane dhe e cik atë (kulturën e rrenave) vetëm kur ia do puna atij për të sulmuar dikë, se po ta kish seriozisht, për kulturën e rrenave ka aq shumë fakte e dëshmi sa nuk del jeta e një historiani të vetëm për ti shkruar... Ka shtete, që nuk gjejnë dot heronj në historinë e tyre dhe i marrin borxh nga heronjtë e letërsisë për tu bërë me heronj kombëtarë. Por ka dhe shtete që i marrin borxh heronjtë nga fqinjët e tyre dhe këtë e realizojnë duke blerë një pjesë të historianëve të fqinjit dhe duke blerë heshtjen e historianëve të tjerë. Në disa media vizive të Tiranës u imponua debati për “identitetin sllav” të Gjergj Kastriotit dhe më vonë gazetari Mustafa Nano deklaroi se “mediatizimi i debatit mbi identitetin e Skënderbeut u sponsorizua nga një kompani serbe”. Vetëm se gazetari Mustafa Nano, që ishte edhe më aktivi në atë mediatizim, nuk tregoi se sa ishte shuma e sponsorizuar prej “kompanisë serbe” dhe cilët ishin përfituesit e atij sponsorizimi. Nuk dimë se sa u paguan ata që “faktuan” identitetin “serb” të Gjergj Kastriotit dhe sa u paguan ata që heshtën kur u duhej të flisnin... Në shkollat e Greqisë Skënderbeun e “konfirmojnë” si grek. Në Serbi Kastrioti është 24 karat serb dhe në Shqipëri ai padyshim që është vllah! Vetëm turqit e njohin për arnaut dhe vegjëlia që sheh filma me Skënderbe. Paria e Tiranës, që zyrtarisht lëvron kulturën dhe historinë, është e gjitha në shërbim të fqinjëve dhe as që bëhet merak nëse një figure kombëtare ia ndryshojnë etnicitetin tre herë brenda javës. Që kur eksponentë të minoriteteve drejtojnë punët e shqiptarisë dhe albanologjisë, ne shqiptarët do mësohemi e do besojmë se kombi shqiptar është produkt i pakicave dhe i gjitonëve që na kanë luftuar parreshtur. Moda më e re e vjedhjes së personaliteteve të kombit shqiptar dhe të identitetit të Skënderbeut, është ajo vllahe. Duhet thënë se një pjesë e vllehëve të shqipërisë i duan të gjitha figurat e kombit shqiptar të jenë vllehe. Pakica vllehe në Shqipëri ka dhënë një kontribut të njohur e të çmuar për çështjen tonë kombëtare, aq sa Shqipërinë ata e meritojnë si atdheun e tyre të vërtetë, porse vllahizimi i të gjitha figurave të kombit shqiptar është një “lajthitje” e një pjese të intelektualëve vllehë. Kulmin e lajthitjes e arriti një ish deputet i “Omonias” në Parlamentin e Shqipërisë (Kristo Goci), ku në një kuvend albanologjik (i futur jashtë programit) në sallën kryesore të Muzeut Kombëtar në Tiranë filloi të shfaqte nga projektori për të pranishmit portretet e Aleksandrit të Madh, Pirros së Epirit, Skënderbeut, Naim Frashërit, Lasgush Poradecit, Nënë Terezës etj, e duke u prononcuar për seicilin prej tyre se ishte i etnisë vllehe. M'u desh t'ia ndërprisja kumtesën dhe prej irritimit edhe të disa pjesmarrësve të tjerë, z. Goci e pa të udhës të largohej. Kam ndeshur shpesh nëpër tavolina prej miqve të mi vllehë të thonë se vëllezërit frashëri janë vllehë dhe Naim Frashëri e kishte emrin Naum e nuk dinte shqip! Fillimisht e shijoja dhe e kaloja me shaka duke ua “pranuar” idenë dhe duke shtuar se emri i vërtetë i Abdul Frashërit qe Abdum dhe Samiu ka patur emrin Samum. Bile, - u thosha unë, - vetë “Naum” Frashëri ka shkruar: “O malet e Vllahisë e ju o lisat e gjatë...” e mandej u recitoja:
“Ti Shqipëri më ep nder,
më ep emrin vllah...” Porse një ditë hasa në një shkrim me titull “origjina vllehe e Nënë Terezës” të shqiptaromadhit Aurel Plasari e që për madhështinë e tij është shprehur edhe At Zef Pëllumbi... Në atë shkrim, Plasari, pasi sillte ndonjë referencë “të besueshme” nga Dimo Dimcev (Kryetar i Unionit për Kulturën të Aromanëve në Maqedoni), arrin në përfundimet se Nënë Tereza e ka patur të atin me etnicitet vlleh... Biles, Plasari, lidhur me debatet me përkatësinë etnike të Nënë Terezës, shkruan: “E para që do të neveritej... ... do të ishte ajo vetë, e cila refuzoi me ngul të merrej me përkatësinë e saj etnike apo me prejardhjen e saj.” Duket se të përndriturit e filovllahut Plasari nuk i paska vajtur lajmi se Nënë Tereza në 10 dhjetor 1979 në marrjen e Çmimit Nobel, pat deklaruar qartë e me krenari etnicitetin e saj, duke thënë: “unë jam shqiptare e me gjak shqiptar”, por kjo nuk mjafton për plagjiatët e historisë, që me lente në dorë kërkojnë ndonjë plasaritje për të mbjellë rrenat e tyre. Kultura e shtrembërimit apo fshehjes së të vërtetës i shërben shumë kulturës së rrenës dhe kultura e rrenave ka gjetur rrugën e saj nëpërmjet referencave të pa baza për të krijuar “referenca të besueshme” si kjo e Aurel Plasarit. Pas çdo gënjeshtre të madhe, që ajo të ripërsëritet e të kthehet në dogmë për masën, lypset sistemi i referencës. Kështu u veprua edhe me identitetin e gjuhës shqipe, i cili u përcaktua nga “albanologët” sllavë dhe u dogmatizua nga një sistem referencash i kontrolluar prej censurës sllavokomuniste të instaluar në Tiranë e që denigronte çdo studjues i cili nuk përfillte referentët që pollën mashtrimin në albanologji. Kësaj pjese të “çuditëshme” të inteligjencës vllehe i duhen medoemos ca figura vllehe të shquara dhe këto “po i gjen” aty ku “i gjejnë” edhe serbët e grekët: te kombi shqiptar. Natyrisht, që të pranohet të krijohet një shtet i ri prej një etnie, kjo e fundit duhet të provojë se ka zotëruar prej antikitetit territore dhe ka bërë luftra për t'i mbrojtur ato dhe e konfirmon këtë me historinë e shkruar, me heronj, me njerëz të artit e të kulturës që i njeh edhe bota. Në të gjitha enciklopeditë angleze, për shqiptarët thuhet se “janë popull që kanë nxjerrë mbretërit e parë të Europës e janë pasardhës të Aleksandrit të madh, Pirros së Epirit e Skënderbeut”. Së fundi bota shkencore po e nxjerr shqipen si gjuhën e gjallë më të vjetër në botë dhe kjo konfirmon dhe vjetërsinë e shqiptarëve, porse paria kulturorohistorike e Tiranës nxitoi me deklarata të shpejta të hedhë poshtë revistën “Science” në U.S.A., sipas së cilës “shqipja është folur 6000 vjetë pandërprerje” dhe të “rikofirmojë” ideologjinë serbe se shqipja është krijuar pas ardhjes së sllavëve në Ilirik. Do i sugjeroja njeriut të letrave, z. Plasari që heronjtë vllehë t'i gjejë në historinë e luftrave vllaho-romake, vllaho-turke e vllaho-greke ashtu si shqiptarët i kanë heronjtë e tyre të lindur nga luftrat iliro-romake e shqiptaro-osmane. Pse jo, Plasari, si ekspert i rrenave, mund ta bëjë edhe një studim se cilët rrejnë në çështjen e vjetërsisë së gjuhës shqipe: shkencëtarët amerikanë apo sllavistët e ASh të Tiranës. Fjala e Plasarit për këtë çështje do qe flori... Të dëshirosh heronjt e një kombi tjetër do të thotë të pretendosh se historia e atij kombi është e jotja e ty ta kanë vjedhur, por më herët do duhet t'i mbushësh mendjen gjithë botës se je komb me luftra të mëdha dhe, nëse historia e etnisë tënde nuk ka luftra të tilla, koha shtyhet më mirë duke parë filma me Robin Hudin... Vllehët që janë në Shqipëri janë pjesë vitale e popullit tonë dhe në historinë e Shqipërisë dhe ata kanë kontributin e tyre të artë. Përpjekja për të zbrazur panteonin e heronjve të kombit shqiptar a për t'i lyer ata me një tjetër bojë etniciteti, është ide dështake e kujtëdo që e pretendon dhe kjo nuk njollos dot bashkjetesën e paqtë të komunitetit vlleh me atë shqiptar dhe plasarët nuk do mund ta plasaritin këtë marrdhënie të përsosur ndëretnike. Vllehët mund të mburren me figurat e kombit shqiptar, sepse në historinë e kulturën shqiptare ata kanë dhe vulën e tyre të qartë. Nga z. Agron Dalipaj. © Copyright | Agron Dalipaj
Comments